Ambasadori britanik, Hargreaves viziton KQZ-në: Tani është radha e qytetarëve të Kosovës të dalin e të votojnë

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, e ka nisur ditën e sotme me një vizitë në Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ) në Prishtinë, ku ka falënderuar drejtuesit dhe institucionet përgjegjëse për angazhimin në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, përcjell Telegrafi.
Në një postim në profilin e tij në Facebook, Hargreaves ka shprehur mirënjohje për kryetarin e KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, si dhe për prokurorin kujdestar, për përkushtimin e tyre dhe të ekipeve përkatëse në sigurimin e një procesi të qetë dhe efikas zgjedhor.
“Ka shumë njerëz që po punojnë pa pushim sot për të garantuar një proces demokratik të qetë dhe efikas. Tani është radha e qytetarëve të Kosovës të dalin dhe të votojnë”, ka theksuar ambasadori britanik. /Telegrafi/


















































