“Aleanca Rusi-Iran”, si po ndryshon ekuilibri gjeopolitik sipas Lulzim Pecit
Drejtori i Institutit KIPRED, Lulzim Peci, ka deklaruar se mënyra më e mirë për të kuptuar se çfarë nënkupton partneriteti apo aleanca për Rusinë është shembulli aktual me Iranin.
Peci përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se lufta me Ukrainën e ka gjunjëzuar Moskën, e siç tha "ajo për herë të parë në 80 vitet e fundit është tërhequr nga Mesdheu, Lindja e Mesme e Gjiri Persik".
Sipas tij, Irani ka mbet i vetëm, dhe me siguri nuk ka menduar që dronat dhe armatimin tjetër që ia dha Rusisë për luftën në Ukrainë, si shenjë falënderimi tani do t’i kthehet në këtë mënyrë.
“Krejt kjo, mendoj se është lajm i mirë për sigurinë evropiane, dhe vet Kosovës. Strategët e establishmentit të sigurisë së SHBA-ve, qysh në fillim të 90’ e kanë lexuar mirë rrezikun e regjimit të Ayatollaheve, për shkak të ambicieve të tyre për zhvillimin e raketave balistike, duke përshirë këtu edhe ato me mbushje nukleare, që do të mund të mbërrinin edhe deri në Evropën qendrore! Tash ky rrezik është në largim e sipër. Armët, sikurse edhe pushteti, janë të rrezikshme, sidomos kur bien në duart e njerëzve mizor dhe të papërgjegjshëm”, ka thënë Peci. /Telegrafi/






























