Kompania kosovare Albed, me përvojë mbi 30 vjeçare në industrinë e drurit, është duke marrë pjesë në panairin më të madh të industrisë së ndërtimit në Evropë, në Swiss Bau në Bazel të Zvicrës.
Shtandi i Albed është vizituar edhe nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.
“Jemi këtu për të ndërtuar lidhje, për të shfaqur cilësinë tonë dhe për demonstruar se Kosova nuk është thjesht një vend, por një konkurrues lokal e global”, ka thënë Kurti në konferencën për media.
Po ashtu, ai shtoi se produktet kosovare janë shumë cilësore.
Për pjesëmarrjen e Albed në këtë panair, Miri Veseli, tha se është kënaqësi ekspozimi i produkteve cilësore në panaire të tilla.
“Përvojën tonë të gjatë në industri e dëshmojmë me produktet kualitative, disa prej të cilave i kemi të ekspozuara edhe në këtë panair. Kjo është një mundësi e mirë për të promovuar punën tonë, për të krijuar kontakte të reja e mundësi bashkëpunimi”, ka thënë Veseli.
Produktet e Albed, të ekspozuara në këtë panair, po zgjojnë interesimin e pjesëmarrësve, të cilët duan të dinë më shumë rreth prodhimit dhe karakteristikave të tyre.
Ky panair do të jetë i hapur deri më 19 janar, ku do të keni rastin të shihni nga afër produktet e Albed.\