LAJMI I FUNDIT:

Alarmohet Pogradeci – i vihet GPS makinës, u dyshua për eksploziv

Alarmohet Pogradeci – i vihet GPS makinës, u dyshua për eksploziv
Foto: Ilustrim

Një alarm është dhënë në policinë e Pogradec pasi një shtetas ka vendosur një send të dyshuar poshtë një mjeti.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen 3, pranë prokurorisë së qytetit. Burime bëjnë me dije se ka qenë roja i prokurorisë që ka lajmëruar policinë.

Rreth orës 3:30 të mëngjesit ai ka vënë re një shtetas duke u shtrirë përtokë e duke vendosur diçka poshtë makinës.


Fillimisht është dyshuar për eksploziv, është sjellë nga Tirana grupi i shpërthimeve të kontrolluara, ndërsa pas kontrollit të xhenierëve ka rezultuar se nuk është tritol, por një aparat GPS.

Mjeti është në pronësi të shtetasit Eris Çekani, i cili kohët e fundit ka pasur disa konflikte me shtetas të tjerë në Pogradec, ku më i fundit ishte aksidenti kokë më kokë në Elbasan.

“Mëngjesin e sotëm, në lagjen 3, Pogradec, nën dy automjetet në pronësi të shtetasit E. Ç., 39-vjeç, banues në Pogradec (të cilat i lëshon me qira) janë konstatuar dy sende të dyshimta. Në vendngjarje shkuan shërbimet e Policisë dhe nga verifikimet e kryera, rezultoi se nuk ishin lëndë plasëse, por ishin dy GPS”, njoftoi policia.

Nga ana e policisë, janë sekuestruar të gjitha kamerat në zonë, për të bërë të mundur identifikimin e personit që ka vendosur GPS, e për të zbardhur më tej rrethanat. /Ora News/