Site icon Telegrafi

Aktivizohet “alarmi i kuq” pasi Mallorca goditet nga një stuhi – 50 centimetra borë, rrugë të bllokuara dhe ndërprerje të shumta të energjisë elektrike

Mallorca është përfshirë nga një stuhi dimërore që po bën kërdinë, me rreth 50 centimetra borë që mbylli rrugët dhe ndërpreu energjinë elektrike në dhjetëra qytete.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, ishulli spanjoll i pushimeve është i mbuluar me borë sot dhe zyrtarët lëshuan një paralajmërim të rrallë të kuq për të dytën ditë radhazi, pasi rreth 40 centimetra të tjerë pritet të bien në 24 orët e ardhshme.

Stuhia Juliette goditi Mallorcan, e njohur për plazhet e saj të mbushura me diell, të dielën, dhe që atëherë ka sjellë stuhi dhe mot të ftohtë në ishullin Balearik.

Agjencia meteorologjike e Spanjës AEMET paralajmëroi se rajonet bregdetare në Mallorca veriore do të goditen me erëra me shpejtësi deri në 90 km/h dhe dallgë.

AEMET lëshoi një paralajmërim të kuq për borë sot dhe paralajmëroi se 40 centimetra borë do të bien në vargun malor Serra de Tramuntana në veri të ishullit brenda 24 orëve.

Ekspertët meteorologjikë kishin parashikuar 40 centimetra borë që do të binte herët këtë mëngjes, por më shumë se 50 centimetra mbuluan qytetin e Valldemossa ku temperaturat kanë rënë në -2C.

Stuhia e borës ka çuar gjithashtu në ndërprerje të energjisë elektrike në dhjetëra qytete duke përfshirë Valldemossa, Alaró, Vilafranca dhe Port d’Alcúdia.

Në pjesën tjetër të ishullit, paralajmërimet portokalli dhe të verdha janë aktivizuar për erëra me shpejtësi më të madhe se 70 km/orë dhe reshje që mund të arrijnë deri në 10 centimetra në disa zona. /Telegrafi/

Exit mobile version