Deputetët e Kuvendit të Kosovës votuan të hënën pro formimit të Qeverisë Kurti, e cila do të drejtohet nga LVV dhe LDK.

E pas votimit edhe të kabinetit qeveritar, Komuna e Podujevës pritet që të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, pasi që kryetari i saj, Agim Veliu tashmë ka marrë porstin e ministrit të Punëve të Brendshme.


Kjo ndodhë për shkak se i njëjti person nuk mund të mbajë dy pozita udhëheqëse në institucionet publike.

Florent Spahija nga KDI, ka thënë për Telegrafin se sipas ligjit për zgjedhjet lokale, Presidenti i Republikës së Kosovës në konsultim me subjektet politike në rastet normale shpall zgjedhjet dhe datën e zgjedhjeve në nivelin komunal.

“Në rastin e Podujevës, Presidenti jo më vonë se 10 ditë pas dorëheqjes së kryetarit të Podujevës obligohet të shpall zgjedhjet. Zgjedhjet për kryetarin e komunës nuk mund të mbahen më herët se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga dita e dorëheqjes.

Sistemi zgjedhor parasheh që kuvendi komunal nuk na nevojë të shkoj në zgjedhje, por në zgjedhje shkon vetëm posti i kryetarit të komunës.

Sipas rregullave, për të qenë kandidatë duhet të plotësohen kushtet ligjore dhe një ndër kushtet është edhe që kandidati-ja duhet të jetë banor i komunës ku aplikon në 3 vitet e fundit”, ka thënë Spahija.

Ai ka shtuar se kandidati për kryetar për tu zgjedhur duhet të fitojë më shumë se 50 % plus 1 të votave.

“Nëse askush nuk arrin të marr 50% të votave, atëherë dy kandidatët me më së shumti vota do të shkojnë në balotazh, dhe kushdo nga dy kandidatët fiton më shumë vota zgjidhet kryetar”, tha Spahija.

Një gjë e tillë është e sqaruar në nenin 4 të Ligjit për Zgjedhjet Lokale në Kosovë.

Screenshot 1 3

“4.4 Pas shpërbërjes së Kuvendit të Komunës ose shkarkimit të Kryetarit të Kuvendit, nëse nuk parashtrohet ankesë në afat prej pesë (5) ditësh tek Gjykata Kushtetuese, zgjedhjet e parakohshme lokale shpallen nga Presidenti i Kosovës. Pas shpërbërjes së Kuvendit të Komunës zgjedhjet e parakohshme shpallen jo më vonë se dhjetë (10) ditë pas shpërbërjes.

Zgjedhjet e parakohshme nuk mund të mbahen më herët se tridhjetë (30) ditë dhe jo më vonë se dyzetepesë (45) ditë pas shpërbërjes.

Zgjedhjet e parakohshme qeverisen përmes ligjeve të njëjta dhe rregullat e KQZ-së sikurse edhe zgjedhjet tjera, përveç se KQZ-ja mund të ndryshojë afatet kohore në rast se kjo nevojitet për shkak të rrethanave” thuhet në Ligjin për Zgjedhjet Lokale në Kosovë.

Njëjtë kanë bërë të ditur edhe nga Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal.

“Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, në përputhje me mandatin e përcaktuar me  Ligjin Nr. 03/L-040 për Vetëqeverisje Lokale e njofton Presidentin e Kosovës për të ndërmarrë veprimet ligjore për shpalljen e zgjedhjeve lokale të jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës së Podujevës, ashtu siç parashihet në dispozitat e Ligjit Nr. 03/L-040 për Vetëqeverisje Lokale dhe nenit 11.2 të Ligjit Nr. 03/L-072 për Zgjedhjet Lokale në Republikën e Kosovës.

Ligji nr. 03/l-072 për zgjedhjet lokale në Republikën e Kosovës, ka paraparë se zgjedhjet e parakohshme nuk mund të mbahen më herët se tridhjetë (30) ditë dhe jo më vonë se dyzetepesë (45) ditë pas shpërbërjes, në rastin konkret dorëheqjes së Kryetarit”, thuhet në përgjigjen e MAPL-së për Telegrafin.

Kujtojmë se Agim Veliu në periudhën 2004-2007 ishte Ministër i Arsimit, i Shkencës dhe i Teknologjisë. Po ashtu në vitet 2008-2009 ishte edhe deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës. /Telegrafi/