LAJMI I FUNDIT:

Afrim Muçiqi shpjegon situatën në FC Prishtina, pas dorëheqjes së Krasniqit

Afrim Muçiqi shpjegon situatën në FC Prishtina, pas dorëheqjes së Krasniqit

FC Prishtina e ka falënderuar Ramiz Krasniqin për punën e bërë në skuadrën bardh e kaltër, nga e cila trajneri i njohur dha dorëheqje sot.

Nënkryetari Afrim Muçiqi thotë se Krasniqi përkohësisht nuk do të jetë pjesë e FC Prishtinës, i bindur se e ardhmja do ta sjell sërish trajnerin e njohur në klubin më të madh në vend.

“E falënderojmë sinqerisht Ramizin për punën e shkëlqyeshme që e ka bërë duke e konfirmuar vetën se është një trajner i madh. Ai nuk është fajtori i rezultateve. Kurse, ata lojtarë që e kanë fajin kryesor për këto rezultate të dobëta nuk do t’i zë janari as në stadiumin e Prishtinës, e lëre më në skuadër”, deklaroi për "Zërin" nënkryetari, Afrim Muçiqi.

Muçiqi: Po vijnë ditë të këqija për dashakëqijtë e FC Prishtinës


Afrim Muçiqi beson se FC Prishtina shumë shpejt do ta kalojë krizën e rezultateve dhe do të bëhet me trajner të ri, ndërsa thumbon kritikët e klubit më të madh në vend.

“Dashakëqijtë që derdhin lot të krokodilit nëpër kafene, portale e rrjete sociale, do të dëshpërohen keq, edhe atë shumë shpejt”, nënvizoi Muçiqi.

Kandidatët për trajnerë

Pas dorëheqjes së Ramiz Krasniqit, drejtuesit e FC Prishtinës menjëherë kanë filluar të gjurmojnë për gjetjen e një tjetër trajneri, i cili do mund ta këndellte skuadrën.

“Shumë shpejt do ta gjejmë trajnerin e ri, por duhet të pranojë se klubi nuk ka mundësi të paguajë aso shuma të parave siç dinë t’i kërkojnë zakonisht disa trajnerë kosovarë”, theksoi nënkryetari Afrim Muçiqi, pa përmendur emra.

Mirëpo, Siç ka mësuar gazeta Zëri, Sami Sermaxhaj të hënën konsiderohej kandidati më potencial për ta marr drejtimin e skuadrës. Por, prishtinasit e kanë parasysh edhe Afrim Tovërlanin, me të cilin vite më parë i kishin fituar tre tituj të kampionit.

Ka pasur zëra edhe për një rikthim të mundshëm të Bylbyl Sokolit. Nuk ka arsye për t’u çuditur nëse edhe Ismet Munishi zbret në Prishtinë. Por, askush nuk e ka përjashtuar edhe mundësinë e ardhjes së ndonjë trajneri nga jashtë, qoftë i huaj apo shqiptar, siç është Ejup Mehmeti – Kapiti, i cili edhe më moti e pati drejtuar këtë skuadër./Zëri/