Administrata Trump propozon një "shkundje të madhe" të Departamentit të Shtetit të SHBA-së, zbulohen disa detaje

Administrata e Donald Trump po propozon “një rishikim të madh” të Departamentit të Shtetit të SHBA që do të eliminonte më shumë se 100 zyra, duke përfshirë disa që punojnë për krimet e luftës dhe mbrojtjen e të drejtave.
Kjo, sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, do të bëhet “për të siguruar që agjencia të jetë në përputhje me prioritetet e presidentit Donald Trump ‘Amerika së pari’".
Siç thuhet më tej, plani, për të cilin Kongresi është njoftuar, do të eliminonte 132 nga 734 zyrat e departamentit, thuhet në një memorandum të brendshëm të Departamentit të Shtetit të parë nga Reuters.
Nënsekretarët do të paraqesin plane për të reduktuar stafin me 15%, shtohet në dokument.
Nuk ishte menjëherë e qartë se sa njerëz do të pushoheshin nga puna si rezultat, por një raport në në internet i Free Press, të cilin Sekretari i Shtetit, Marco Rubio postoi në X, tha se 700 pozita të tjera do të eliminoheshin në zyrat e mbyllura.
Një grup i brendshëm pune do të udhëheqë zbatimin e riorganizimit dhe do të zhvillojë plane të detajuara për secilën pjesë të departamentit deri më 1 korrik, i shkroi stafit Zëvendës Sekretari i Shtetit Christopher Landau në një email të brendshëm të parë nga Reuters.
“Shkundja” vjen si pjesë e një shtytjeje të paprecedentë nga Trump dhe këshilltari i tij miliarder Elon Musk për të tkurrur qeverinë federale, duke thënë se paratë e taksapaguesve amerikanë janë shpërdoruar.
Përpjekja ka çuar në shkarkimin e mijëra punonjësve të qeverisë.
"Në formën e tij aktuale, Departamenti është i fryrë, burokratik dhe i paaftë për të kryer misionin e tij thelbësor diplomatik në këtë epokë të re të konkurrencës së fuqive të mëdha", ka thënë Rubio në një deklaratë.
Si Rubio ashtu edhe zyrtarët thanë se struktura e fryrë e Departamentit të Shtetit e bëri të pamundur marrjen e shpejtë dhe efikase të vendimeve dhe se plani i ri do të përpiqet të fuqizojë zyrat rajonale për të rritur funksionalitetin dhe për të hequr zyrat dhe programet që nuk janë në përputhje me interesat thelbësore kombëtare të Amerikës.
Trump lëshoi një urdhër të veçantë ekzekutiv në shkurt, duke e urdhëruar Rubion të rindërtojë Shërbimin e Jashtëm të SHBA-së dhe mënyrën se si funksionon Departamenti i Shtetit për të siguruar që trupi diplomatik i SHBA-së të zbatojë me besnikëri axhendën e tij. /Telegrafi/


































