“Abstenuam kur Kosova kërkoi të pranohet në UEFA, kundërshtar i rrezikshëm”, presidenti i Federatës Sllovake flet para përballjes me “Dardanët”

Presidenti i Federatës Sllovake të Futbollit Jan Kovacik thotë se Sllovakia ka abstenuar kur Kosova kishte kërkuar të bëhej pjesë e UEFA-s, ndërsa e ka vlerësuar përballjen si një sfidë mjaftë të rrezikshme.
“Dardanët” do të jenë mysafir i Sllovakisë në gjysmëfinalen e play-offit të Kupës së Botës 2026, ndërsa kjo ndeshje ka filluar t’i frikësojë sllovakët meqenëse edhe janë favorit.
Kovacik në një intervistë së fundmi për “sportnet” ka kujtuar kohën kur ishte i pranishëm në kongresin, që Kosova u pranua në UEFA.
“Isha pjesëmarrës kur Kosova ishte pranuar si anëtar i UEFA-s. E diskutuam sitautën me përfaqësuesit e shtetit sepse nuk dëshironim të votonim ndryshe nga politikat tona. Komunikuam me Ministrinë e Jashtme atë kohë dhe vendosëm të abstenojmë. Nuk votuam as pro as kundër”.
Ai ndër të tjera premtoi se do të parandalojë çdo problem që nuk lidhet me futbollin, me shpresën që Sllovakia ta eliminojë Kosovën.

“E shohim këtë sfidë si shumë të rrezikshme. Nuk isha aspak i lumtur kur mësova se me cilin kundërshtar do të përballemi në play-off. Përveç faktit që është një kundërshtar i zgjuar në futboll, e kuptova që në momentin e parë se çfarë problemesh të tjera na presin dhe çfarë mund të ndodhë. Mendoj se në një masë të madhe duhet ta marrim parasysh këtë”.
“Do të bëjmë çmos për të parandaluar çdo problem jo-futbollistik që mund të lindë në stadium. Gjithashtu po konsultohemi me njerëz me përvojë nga Ministria e Punëve të Jashtme, me njerëz që kanë punuar në Ballkan. Shpresoj se do të kemi sukses”, deklaroi ai.
Kujtojmë, përballja mes Sllovakisë dhe Kosovës do të zhvillohet më 26 mars prej orës 21:00./Telegrafi




















































