Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka shprehur mbështetje për amendamentet kushtetuese që parashikojnë zgjedhjen direkte të presidentit të Kosovës, por ka kritikuar ashpër mënyrën se si po realizohen ndryshimet.

“LDK i mbështetë në parim amendamentet e tilla sepse janë në frymë me bindjen tonë ideologjike. Presidenti i Kosovës duhet të zgjidhet nga qytetarët. Pavarësisht vërejtjeve që pajtohem, Kushtetuta ndërrohet natën, besomëni s’ka bereqet”, tha Abdixhiku, duke e përshkruar procedurën si të nxituar dhe jo transparente.


Ai rikujtoi se amendamentet nuk janë ide të reja të LDK-së, por projekte që datojnë nga vitit 2011 dhe nga presidenti historik, dr. Ibrahim Rugova.

“Këto amendamente janë dërguar në Gjykatë Kushtetuese nga ne, sepse janë bindje ideologjike që datojnë nga presidenti historik. Presidenti duhet të zgjidhet nga populli. Ky koncept kërkon rregullim të ri kushtetues, duhet më tepër punë, por po i kapërcejmë.”

Megjithatë, Abdixhiku kritikoi ashpër ritmin e procedimit.

“Amendamentet hyjnë në fuqi gjashtë muaj pasi të votohen nga Kuvendi, dhe ne jemi vetëm 2-3 orë larg afatit përfundimtar. Kishte qenë mirë që këtë kohë ta kishim shfrytëzuar më mençur, por këto janë manovra politike të natës. Nata nuk ka bereqet, prandaj LDK-ja i mbështet dhe i voton", u shpreh ai./Telegrafi.