Nëse dëshiron të ndalosh gjidhënien, por nuk je e sigurt nëse ka ardhur koha e duhur, këto gjashtë shenja mund të të ndihmojnë të marrësh vendimin

Nëse ushqen me gji, nxjerr qumësht, e kombinon me formulë apo përdor ndonjë formë tjetër, sigurisht je e njohur me rekomandimet mjekësore. Një nga më të zakonshmet është ushqyerja me gji për të paktën gjashtë muaj deri në një vit.


Nëse ke kaluar këtë periudhë dhe ndihesh mirë duke vazhduar, dëgjo instinktin tënd. Por nëse ndjen se dëshiron të ndalosh, pa marrë parasysh sa kohë ka kaluar, më poshtë janë disa sinjale që tregojnë se mund të jesh gati për këtë hap.

1. Je shtatzënë

Disa nëna vendosin të ushqejnë me gji fëmijën më të madh edhe gjatë shtatzënisë, madje edhe pas lindjes së të porsalindurit. Megjithatë, shumica e shohin shtatzëninë si një shenjë natyrale për të ndalur gjidhënien e fëmijës më të madh. Sipas ekspertëve, është më mirë që ky proces të fillojë rreth gjysmës së shtatzënisë, pasi gjidhënia mund të shkaktojë kontraksione të parakohshme të mitrës dhe ndjeshmëri në thithka. Përveç kësaj, mësimi i fëmijës për të pirë nga biberoni apo gota mund të zgjasë disa javë ose edhe muaj. Kohën që dikur e kaloje duke e ushqyer me gji, mund ta zëvendësosh me përqafime, lojëra apo lexim librash.

2. Fëmija ka tashmë një ushqyerje të plotë

Nëse fëmija është mbi 12 muajsh dhe ka një dietë të pasur me perime, proteina, drithëra dhe qumësht lope, atëherë mund të marrë të gjitha lëndët ushqyese që më parë i siguronte qumështi yt.

Gjithsesi, këshillohet që të flasësh me pediatrin për të parë nëse duhet ende ta kombinosh ushqimin me qumësht gjiri apo formulë.

3. Fëmija nuk është më i përqendruar

Në këtë moshë, shumë fëmijë janë kureshtarë dhe shpesh shpërqendrohen gjatë gjidhënies. Nëse fëmija fillon të luajë, të flasë ose duket krejtësisht i painteresuar, kjo mund të jetë shenjë se është gati të ndahet nga qumështi i nënës. Megjithatë, përpiqu që ndalja e gjidhënies të mos përkojë me ndryshime të tjera të mëdha, si kthimi yt në punë apo fillimi i çerdhes, për të mos krijuar stres shtesë, transmeton Telegrafi.

4. Ke nevojë për gjumë

Nëse ke një të porsalindur dhe një fëmijë më të madh që ende e ushqen me gji, lodhja mund të bëhet e tepërt. Nëse fëmija më i madh zgjohet vetëm një herë gjatë natës, por gjoksi yt është ende në “programin” e një të porsalinduri, atëherë gjumi yt është i prishur. Në një periudhë të tillë, pushimi është po aq i rëndësishëm sa dhe kujdesi për fëmijët, ndoshta është momenti për të menduar ndaljen e gjidhënies.

5. Gjidhënia po ndikon në shëndetin tënd fizik dhe emocional

Për disa nëna, kombinimi i punës, kujdesit për fëmijët, shtëpinë dhe gjidhënien mund të bëhet tepër kërkues.

Nëse ndihesh e rraskapitur, e stresuar apo ke filluar të ndjesh pakënaqësi gjatë ushqyerjes, është plotësisht në rregull të mendosh për ta ndalur. Psikologët theksojnë se një nënë e lodhur apo e tensionuar ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien emocionale të fëmijës.

6. Marrëdhënia me fëmijën po ndikohet

Nëse ndihesh aq e përqendruar te gjidhënia sa të mungon energjia për të luajtur, për t’u shëtitur apo për të kaluar kohë cilësore me fëmijën, kjo mund të jetë shenjë se duhet ta ndryshosh rutinën.

Nëse fëmija është tashmë mjaftueshëm i rritur dhe ju të dy mund të krijoni lidhje përmes lojës, përqafimeve dhe komunikimit, ndalja e gjidhënies mund të jetë hap pozitiv për të dy.

Në fund: çdo nënë dhe çdo fëmijë kanë ritmin e tyre. Nëse ndjen se është koha e duhur për të ndaluar gjidhënien, beso instinktin tënd dhe mos e ndiej fajin, fëmija yt tashmë ka marrë ushqimin dhe afeksionin më të mirë që mund t’i ofroje. /Telegrafi/