Në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, i mbështetur nga United Hospital, psikiatri forenzik Shpend Haxhibeqiri ndau me publikun një nga rastet më komplekse dhe të ndjeshme që ka trajtuar gjatë karrierës së tij.


Bëhet fjalë për një pacient të nacionalitetit serb, i cili ishte i dyshuar për një vrasje brutale me 74 therje, por që nuk kishte pranuar të fliste për krimin për 72 ditë me radhë.



“Rasti ka ndodhur në vitin 2016. Fillimisht ishte kryer një ekspertizë nga kolegët, por gjyqtari i çështjes, Burim Ademi, kishte kërkuar një super-ekspertizë me 37 pyetje të detajuara. Njëra prej tyre ishte: ‘Sa kanë qenë dhimbjet shpirtërore të viktimës deri në momentin e vdekjes? Pasi viktima kishte pësuar 74 therje”, tha Haxhibeqiri.

Ai shpjegoi se pacienti, në momentin e pranimit kishte inskenuar një lëndim të lehtë duke pretenduar se ishte therur nga e dashura.

Por gjatë qëndrimit të tij në institut për 70 ditë, Haxhibeqiri tha se pacienti nuk kishte treguar asnjë detaj mbi ngjarjen, pavarësisht se nuk po i jepej asnjë terapi.

“Në çdo pyetje, përgjigja e tij ishte: ‘Nuk më kujtohet’. Situata filloi të sqarohej kur morëm ndihmë nga një mjek i mjekësisë ligjore, i cili na ndihmoi të kuptojmë më mirë se si kishte ndodhur krimi”, shpjegoi doktori.

Momenti kyç ndodhi në ditën e 72-të, kur ekipi mjekësor vendosi të përballej drejtpërdrejt me pacientin, në një përpjekje të fundit për të arritur në një rrëfim të sinqertë.

“I thamë: ‘Nuk na intereson çka thotë gjykata, neve na intereson shpirti yt me u qetësu’. Pas një bisede të gjatë dhe të ndjeshme, në ditën e 74-të ai pranoi të fliste për herë të parë”.

Për më shumë shikoni podcastin e plotë "Shëndeti në rend të parë":

- YouTube www.youtube.com