Gjykata Kushtetuese ka shpallur të pavlefshëm dekretin e 6 marsit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.

Sipas vendimit të gjykatës, deputetët kanë 34 ditë kohë për të zgjedhur Presidentin e ri, përndryshe Kuvendi do të shpërndahet automatikisht dhe do të organizohen zgjedhje të parakohshme brenda 45 ditëve.


Vendimi i Gjykatës Kushtetuese vjen pasi në fillim të këtij muaji Kushtetuesja e kishte pezulluar përkohësisht deri më 31 mars dekretin e presidentes, Vjosa Osmani, për shpërndarjen e Kuvendit.

Kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit për shpërndarjen e Kuvendit ishte dorëzuar nga kryeministri i Albin Kurti në emër të Qeverisë.

Telegrafi do të ju informoj për të gjitha zhvillimet, si dhe reagimet e institucioneve dhe akterëve politikë pas këtij vendimi.


26/03/2026 19:49- Kryeziu: Vendimi i Kushtetueses është përfundimtar dhe i detyrueshëm

Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka theksuar se vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese për dekretin e presidentes Vjosa Osmani është përfundimtar dhe i detyrueshëm për t’u zbatuar nga të gjitha institucionet.

Duke folur në FIVE të TV Dukagjinit, Kryeziu ka thënë se pavarësisht debatit publik që mund të shoqërojë vendimin, karakteri i tij juridik nuk vihet në diskutim.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i zbatueshëm dhe duhet të pranohet. Për shkak se Gjykata Kushtetuese është institucion final, që bën interpretimin e Kushtetutës dhe është institucion shtetëror. Interpretimin e Kushtetutës mund ta bëjmë edhe ne profesorët, politologët e gazetarët, por interpretimi vendimmarrës është interpretimi shtetëror, të cilin e bën një organ i centralizuar, te ne quhet Gjykata Kushtetuese. Ky vendim duhet të pranohet nga organet shtetërore. Por debatet mund të vazhdojnë rreth vendimit”, ka thënë Kryeziu.

Lajmi i plotë>>>

26/03/2026 17:22- Gjini: AAK nuk ka votë për kandidatët e ditur për president

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të AAK-së, ka thënë se kjo parti nuk ka votë për kandidatët që tashmë janë të ditur për president.

Gjini, në një konferencë për media, tha se Lëvizja Vetëvendosje po përgatit terren për t’i akuzuar partitë e tjera, derisa theksoi se procesi i zgjedhjes së presidentit nuk do të përmbyllet pa zgjedhje nacionale.

“Deri tash, për këta emra që janë në tavolinë, nuk kemi votë. Të tjerat edhe një herë duhet t’i shohim bashkë, mirëpo nuk po besoj që po ekziston një atmosferë dhe një vullnet nga partia më e madhe që në mënyrë të sinqertë dhe serioze të provojë ta përmbyllë këtë proces pa zgjedhje nacionale".

"Ne nuk po e shohim, unë nuk po e shoh. E gjithë ajo që po ndodh sot është për të përgatitur terren për t’i akuzuar të tjerët për dështimin e mundshëm për zgjedhjen e presidentit. Gjithçka që po përdoret, edhe fjalori që po përdoret, ka një qëllim të vetëm: për të përgatitur terren për t’ia hedhur fajin dikujt tjetër. Nuk shoh fare sinqeritet dhe vullnet për të arritur konsensus me partitë opozitare”, tha ai.

Lajmi i plotë>>>

26/03/2026 17:22- Çitaku: Respektimi i vendimeve të gjykatës, për PDK-në asnjëherë nuk është çështje diskutimi

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka mbajtur sot mbledhjen e Kryesisë dhe të Grupit Parlamentar.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka bërë të ditur se u vendos që brenda pak ditësh do të mblidhet edhe Këshilli Drejtues i partisë, ku pritet të diskutohet për zhvillimet e fundit politike në vend.

“Aty do t’i marrim vendimet për veprimet e ardhshme politike që na presin”, ka deklaruar Çitaku.

Ajo theksoi gjithashtu se PDK respekton vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Lajmi i plotë>>>

26/03/2026 15:43- Pas vendimit nga Kushtetuesja, Haxhiu të hënën mbledh Kryesinë e Kuvendit

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thirrur mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, e cila pritet të mbahet të hënën në ora 11:00.

Lajmi është konfirmuar për Telegrafin nga Zyra për Informim e Kuvendit të Kosovës, ndërsa në këtë mbledhje pritet të shqyrtohen gjithsej 14 pika të rendit të ditës.

Thirrja e kësaj mbledhjeje vjen një ditë pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, që ka ndikuar në zhvillimet politike në vend.

Lajmi i plotë >>>>

26/03/2026 14:27- AAK mbledh sot Këshillin e Përgjithshëm, në fokus zhvillimet politike

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) do të mbajë sot në orën 16:00, mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, ku pritet të diskutohen zhvillimet aktuale politike në vend.

Sipas njoftimit zyrtar nga Zyra për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun e AAK-së, në këtë takim do të shqyrtohen qëndrimet e partisë lidhur me situatën e krijuar politike.

Lajmi i plotë >>>>

26/03/2026 14:26- Hamza: PDK do të respektojë vendimin e Kushtetueses, ende pa qëndrim për kompromis dhe pa ftesë nga Kurti

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka deklaruar se subjekti që ai drejton do të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar rëndësinë e zbatimit të vendimeve të institucioneve më të larta juridike në vend.

Ai bëri të ditur se gjatë ditës së sotme pritet të mbahet mbledhja e Kryesisë dhe e grupit parlamentar të PDK-së, ndërsa në ditët në vijim është planifikuar edhe një takim i Këshillit Drejtues.

Sipas tij, në këto mbledhje do të diskutohen qëndrimet dhe pozicionet e partisë, për të dalë më pas me një qëndrim zyrtar të bazuar në vendimet e organeve të saj.

Lajmi i plotë >>>>

26/03/2026 10:11- Osmani mbetet “presidente” dhe merr 70 për qind të pagës, edhe kur e kryen mandatin

Vjosa Osmani do të jetë presidente, “zyrtarisht” dhe me ligj, edhe pas 4 prillit, kur pritet ta mbarojë mandatin e saj aktual si kryetare shteti.

Vazhdimin e këtij statusi asaj ia garanton ligji për Presidentin e Republikës së Kosovës. Më saktësisht, pika 3 e nenit 18 të këtij akti juridik.

“Pas përfundimit të mandatit për të cilin është zgjedhur, thirrja “President” vazhdon të vlejë për Presidentin e Republikës të cilit i ka përfunduar mandati në pajtim me paragrafin 1 të këtij neni”, thuhet në këtë pikë.

Pos këtij privilegji, Osmani, nëse nuk vendos ndryshe për të ardhmen e saj, fiton edhe privilegje e benefite tjera, në cilësinë e presidentes që i ka përfunduar mandati. Këtu përfshihet edhe paga, gjatë gjithë jetës, në nivelin prej 70 për qind të rrogës që ka marrë sa ka qenë në detyrë.

26/03/2026 09:59- Hasani: Vendimi i Gjykatës profesional, dekreti i Osmanit ishte tërësisht kundërkushtetues

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, e vlerëson si profesional aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me rrëzimin e dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit si dhe afatin 34 ditor shtesë për zgjedhjen e presidentit.

Profesori i së drejtës ndërkombëtare në një intervistë për KosovaPress, thekson se, ndonëse arsyetimi juridik i vendimit është korrekt, gjuha e përdorur në dispozitiv “reflekton njëfarë hezitimi” të Gjykatës për ta emërtuar drejtpërdrejt situatën si vendim kundërkushtetues të Osmanit, siç thotë për shkak të frikës dhe presionit që i është bërë këtij institucioni.

Lajmi i plotë >>>>

26/03/2026 08:01- Pas vendimit të Kushtetueses, sot mblidhet Kryesia dhe Grupi Parlamentar i PDK-së

Gjykata Kushtetuese të mërkurën ka shpallur të pavlefshëm dekretin e 6 marsit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.

Sipas vendimit të gjykatës, deputetët kanë 34 ditë kohë për të zgjedhur Presidentin e ri, përndryshe Kuvendi do të shpërndahet automatikisht dhe do të organizohen zgjedhje të parakohshme brenda 45 ditëve.

E në këtë rrjedhë, sot është bërë e ditur se do të mblidhet Kryesia dhe Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës.

Mbledhja e Kryesisë dhe Grupit Parlamentar të PDK-së do të mblidhet në ora 14:00.

25/03/2026 23:51-Mbyllim raportimin për sonte, vazhdojmë nesër për gjithçka mbi afatin e Kushtetueses

Me kaq e mbyllim raportimin për sonte rreth vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe afatit 34-ditor për zgjedhjen e Presidentit.

Për zhvillimet e mëtejshme na ndiqni nesër me detaje të reja.

25/03/2026 22:59- Surroi: Dekreti i Osmanit mund të shihet si veprim arbitrar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese

Publicisti Veton Surroi ka dhënë një interpretim të shkurtër të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës lidhur me dekretin e Presidentes për shpërndarjen e Kuvendit, ku Gjykata i dha Kuvendit edhe 34 ditë për të zgjedhur Presidentin.

Ai ka vlerësuar se konstatimi i Kushtetueses se dekreti i Presidentes “nuk prodhon asnjë efekt juridik” do të thotë se Gjykata konstatoi se nuk kishte mbështetje kushtetuese për të prodhuar efekt juridik shpërndarja e Kuvendit.

“Në të kundërtën, Gjykata do të kishte konsideruar se dekreti prodhon efekt juridik dhe se Kuvendi është shpërndarë”, ka shkruar Surroi në Facebook.

Lajmi i plotë >>>>

25/03/2026 22:01- Kraki: Gjykata Kushtetuese konfirmoi analizën time për afatin 60-ditor të Kuvendit

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Nezir Kraki, ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me afatin për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës.

Kraki ka treguar se ai ishte i pari në Kosovë që argumentoi kohëzgjatjen e Kuvendit dhe kërkoi që ditët e munguara t’u riktheheshin deputetëve.

“Qysh më 6 mars me shkrim dhe të nesërmen me video pata thënë se Gjykata Kushtetuese duhet t’ua rikthejë deputetëve ditët që i mungojnë afatit 60-ditor, sepse nga 11 shkurti deri më 5 mars Kuvendi nuk kishte as 30 ditë në dispozicion,” ka shkruar Kraki.

Lajmi i plotë >>>>

25/03/2026 21:53- Gruda shpjegon vendimin e Gjykatës Kushtetuese: Afati 30-ditor për Presidentin është i detyrueshëm

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për çështjen e presidentit.

Gruda ka thënë se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ka përcaktuar qartë tri çështje kryesore.

“Afati 30-ditor për zgjedhjen e Presidentit para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual është obligues dhe detyrues”, ka shkruar Gruda duke shtuar se ky afat ka qenë gjithmonë pikë kyçe e diskutimeve.

Lajmi i plotë >>>>

25/03/2026 21:42- Cakolli për vendimin e Kushtetueses: Afati 30 ditor është detyrues, por pasojat lidhen me 60 ditët

Vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese ka sqaruar dhe rikonfirmuar disa parime kyçe lidhur me afatet kushtetuese, veçanërisht në procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës.

Eugen Cakolli nga KDI, ka theksuar se vendimi i sotëm nuk e cilëson dekretin e Presidentes si akt antikushtetues, por e shpall atë pa efekt juridik.

“Gjykata pranon që afati 30-ditor është detyrues dhe mosrespektimi i tij ka pasoja, por këto pasoja nuk aktivizohen direkt, por përmes afatit 60-ditor dhe shpërndarjes ‘ex constitutione’,” shpjegon Cakolli.


Lajmi i plotë >>>>

25/03/2026 20:52- Presidenca: Osmani nuk ka bërë shkelje kushtetuese, Kuvendi qysh nesër ta caktoj seancën për presidentin

Presidenca e Kosovës ka mirëpritur aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjen e presidentit, duke theksuar se vendimi konfirmon qëndrimet juridike të paraqitura nga ky institucion.

“Presidentja e Republikës së Kosovës e mirëpret aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastet nr. KO 72/26 dhe KO 74/26, i cili i konfirmon argumentet juridike të dorëzuara nga Presidenca në Gjykatën Kushtetuese rreth këtij rasti, si dhe konfirmon se Presidentja Osmani nuk ka bërë asnjë shkelje kushtetuese", thuhet në njoftim.

Presidenca thekson se Gjykata ka sqaruar edhe çështjen e afateve kushtetuese për zgjedhjen e presidentit.

Lajmi i plotë >>>>

25/03/2026 20:09- LDK paralajmëron zgjedhje nëse nuk ka marrëveshje politike për presidentin brenda 34 ditëve

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka sjellë qartësi të nevojshme në një moment të rëndësishëm institucional për vendin.

Abdixhiku theksoi se LDK-ja e respekton plotësisht këtë vendim dhe e konsideron atë si udhërrëfyes për veprimet e mëtejshme politike.

Sipas tij, vendimi nuk krijon epërsi për asnjë palë, por e rikthen procesin në Kuvend dhe u jep deputetëve një afat shtesë për zgjedhjen e Presidentit. Ai bëri të ditur se LDK mbetet e gatshme të kontribuojë në çdo përpjekje serioze për zgjidhje, por nuk do të shërbejë si “alibi e dështimeve të askujt”.

Lajmi i plotë >>>>

25/03/2026 19:48- Zëdhënësi i LDK-së: Nuk shkojmë në zgjedhje sipas qejfit të Albinit

Besian Mustafa, zëdhënës i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për çështjen e zgjedhjes së presidentit.

Sipas Mustafës, vendimi për zgjedhje nuk mund të përdoret si mjet për të favorizuar interesat e një partie.

Ai theksoi se nuk duhet të ndodhë që një parti të detyrojë Albulenën të ushtrojë detyrën e Presidentes për të emëruar kryeprokurorin, drejtorin e AKI-së apo për të caktuar datën e zgjedhjeve.

Lajmi i plotë >>>>

25/03/2026 19:36- Deda: Kushtetuesja sqaroi përfundimisht zgjedhjen e Presidentit

Opinionisti politik Ilir Deda ka reaguar pas vendimit të Gjykata Kushtetuese e Kosovës lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit, duke thënë se ky institucion “e sqaroi njëherë e përgjithmonë” këtë proces.

Në një postim në Facebook, Deda renditi disa nga pikat kryesore të vendimit, duke theksuar se Gjykata ka sqaruar procedurat dhe ka rrëzuar disa nga pretendimet e partive në pushtet.

“Gjykata Kushtetuese sqaroi njëherë e përgjithmonë çështjen e zgjedhjes të presidentit të Kosovës: sqaroi procedurën 60 ditëshe, duke e rrëzuar pretendimin e partive në pushtet; sqaroi që nuk ka mandat detyrues deputetëve, siç kërkuan partitë në pushtet”, ka shkruar ai.

25/03/2026 19:32- PDK respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese, mbledh kryesinë dhe deputetët

Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka deklaruar se PDK-ja e respekton vendimin e sotëm të Gjykatës Kushtetuese.

“Ne e respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese si institucion kyç i rendit demokratik, ashtu siç kemi vepruar gjithmonë”, ka thënë shkurtimisht Çitaku, duke treguar se PDK-ja do t’i mbledhë nesër organet e saj drejtuese për të diskutuar për zhvillimet e reja dhe hapat e ardhshëm.

Lajmi i plotë >>>>

25/03/2026 19:21- Miftaraj: Deputetët nuk janë të detyruar të qëndrojnë në sallë

Ehat Miftaraj nga IKD ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për çështjen e zgjedhjes së presidentit.

Miftaraj u shpreh se ky aktgjykim sqaron se qëndrimi në sallë i deputetëve nuk është i detyrueshëm dhe se dekreti i presidentes Vjosa Osmani nuk ka pasoja juridike.

25/03/2026 19:08- Vendimi i Kushtetueses, vjen reagimi nga Presidenca

Egnesa Vitia, këshilltarja e presidentes Vjosa Osmani, ka reaguar menjëherë pas publikimi të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me çështjen e presidentit dhe dekretin e Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.

Vitia theksoi se zgjedhja e Presidentit duhet të realizohet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit aktual të presidentit.

Lajmi i plotë >>>>

25/03/2026 19:07- LVV reagon pas vendimit të Gjykatës: Dekreti ishte antikushtetues - do të angazhohemi për zgjedhjen e presidentit

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që shpalli pavlefshëm dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit dhe u dha afat 34 ditë deputetëve për të zgjedhur presidentin e ri, liderët dhe anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë reaguar menjëherë në rrjetet sociale.

Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci theksoi rëndësinë e përgjegjësisë dhe reflektimit.

Nagavci u shpreh se gjatë ditëve në vijim, duhet të angazhohemi të gjithë për të zgjedhur Presidentin dhe për të shmangur edhe një palë zgjedhje, të cilat janë të panevojshme dhe të padrejta.

Lajmi i plotë >>>>

25/03/2026 19:06- Kushtetuesja: Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda afatit, zgjedhjet e reja mbahen pas 45 ditëve

Gjykata Kushtetuese ka nxjerr aktgjykimin e saj lidhur me çështjen e presidentit, duke vendosur se dekreti i presidentes Vjosa Osmani nuk prodhon asnjë efekt juridik.

Sipas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, nëse Kuvendi i Kosovës nuk arrin të zgjedhë Presidentin brenda periudhës së përcaktuar prej 34 ditësh, atëherë Kuvendi do të shpërndahet automatikisht, sipas nenit 82 të Kushtetutës së Kosovës.

Lajmi i plotë >>>>

25/03/2026 19:05- Vendos Kushtetuesja: Dekreti i Osmanit i pavlefshëm, Kuvendi ka 34 ditë për zgjedhjen e presidentit

Gjykata Kushtetuese ka publikuar aktgjykimin lidhur me çështjen e dekretit të 6 marsit 2026, të presidentes Vjosa Osmani e cila shpërndau Kuvendin e Kosovës.

Sipas aktgjykimit të datës 25 mars 2026, Dekreti i Presidentes është shpallur i pavlefshëm dhe nuk prodhon asnjë efekt juridik.

Gjykata konstaton se deputetët e Kuvendit kanë në dispozicion 34 ditë për të zhvilluar dhe përfunduar procedurën e zgjedhjes së Presidentit, dhe nëse kjo nuk realizohet brenda kësaj periudhe, Kuvendi shpërndahet automatikisht sipas Kushtetutës dhe do të organizohen zgjedhje të parakohshme.

Lajmi i plotë >>>>