Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka publikuar bilancin e sigurisë në trafikun rrugor për muajin shkurt 2026, duke raportuar 116 aksidente në territorin që mbulon komunat Ferizaj, Kaçanik, Shtime, Shtërpcë dhe Hani i Elezit.

Sipas të dhënave zyrtare, nga numri i përgjithshëm i aksidenteve, 54 kanë qenë me lëndime trupore, ku 66 persona kanë pësuar lëndime, ndërsa 62 aksidente kanë përfunduar vetëm me dëme materiale.


Në krahasim me muajin shkurt të vitit 2025, kur ishin raportuar 119 aksidente, sivjet është shënuar një rënie prej 2.5 për qind në numrin e përgjithshëm të rasteve. Gjatë shkurtit të vitit të kaluar ishte regjistruar një aksident me fatalitet, me një viktimë, 42 aksidente me lëndime me 58 persona të lënduar, si dhe 76 aksidente me dëme materiale.

Policia Rajonale e Ferizajt bën të ditur se gjatë shkurtit 2026 janë shqiptuar 5.691 gjoba për kundërvajtje të ndryshme në komunikacion, si dhe masa mbrojtëse e heqjes së patentëshoferit për 120 drejtues mjetesh për shkak të shkeljeve të rënda të rregullave të trafikut.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, kur ishin shqiptuar 4.426 gjoba, këtë vit evidentohet një rritje prej 28.5 për qind.

Policia ka njoftuar se do të vazhdojë me angazhime dhe aktivitete të shtuara me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë në rrugë, duke u bërë thirrje shoferëve që të respektojnë shenjat dhe rregullat e trafikut.

Po ashtu, qytetarët ftohen të bashkëpunojnë duke raportuar çdo kundërvajtje përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë” ose në numrat kujdestarë 192, 0290/326-250 dhe 0290/322-406. /Telegrafi/