Disa ditë më parë, Policia e Kosovës suspendoi zyrtarin policor Idriz Gashi me dyshimin se kishte marrë pjesë në një tubim paraelektoral në Skenderaj.
Megjithatë, avokati i tij, Arianit Koci, ka deklaruar se fotografia që përdoret si dëshmi është e montuar dhe se Gashi nuk ka qenë pjesëmarrës në ndonjë tubim elektoral.
Në një intervistë në Tv Dukagjini, Koci tha se Idriz Gashi ka shërbyer në Policinë e Kosovës për afro 20 vite me ndershmëri dhe përkushtim ndaj shtetit dhe popullit.
Ai theksoi se klienti i tij dhe familja e tij po përballen me një situatë të rëndë psikologjike dhe e krahasoi këtë rast me një “tragjedi” për familjen e tij.
Avokati Koci deklaroi se ka pasur shkelje ligjore në mënyrën se si është trajtuar rasti i Gashit.
Ai përmendi se masa e suspendimit është zgjatur pa një vendim paraprak, duke theksuar se askush nga eprorët apo autoritetet përkatëse nuk e ka intervistuar Gashin për incidentin.
“Idrizi është i shqetësuar jo vetëm për faktin që është suspenduar, por edhe për mënyrën se si është trajtuar rasti i tij. Nuk ka asnjë arsyetim për suspendimin e tij, dhe vendimi bazohet në një fotografi të inskenuar,” deklaroi Koci.
Në lidhje me akuzat për pjesëmarrje në tubim politik, Koci tha se Gashi ishte prezent në një ndejë të organizuar nga familjarë dhe mërgimtarë, por pa asnjë qëllim politik. Ai e përshkroi vendimin për suspendim si të pabazuar dhe paralajmëroi se do të ndjekë të gjitha procedurat ligjore për të mbrojtur të drejtat e klientit të tij.
Koci përfundoi duke theksuar se do të respektojë institucionet e Kosovës, por do të ndjekë hapat e nevojshëm për të siguruar drejtësi për Idriz Gashin.