Cristian Chivu zyrtarisht është emëruar trajneri i ri i Interit, vetëm pak ditë pas largimit të Simone Inzaghit nga detyra, pas katër sezonesh në krye të skuadrës. 

Chivu zëvendëson Inzaghin si trajner i ‘Nerazzurrëve’ me një kontratë fillestare dyvjeçare, e cila do të zgjasë deri në fund të sezonit 2026/2027. 


44-vjeçari i është bashkuar sërish Interit pas një periudhe katërmujore në Serie A me Parmën, të cilën e udhëhoqi drejt mbijetesës në javën e fundit të kampionatit 2024/2025. 

Ai tashmë i ka dhënë lamtumirën klubit të tij të mëparshëm, i cili gjithashtu ka konfirmuar largimin e tij. 

Chivu e kaloi pjesën e fundit të karrierës si futbollist pikërisht në ‘San Siro’ me Interin, ndërsa karrierën si trajner e nisi po në Milano, duke drejtuar ekipet e moshave U14, U17, U18 dhe më pas skuadrën Primavera nga viti 2018 deri në vitin 2024. 

Më pas u largua për të marrë drejtimin e Parmës në shkurt të vitit 2025, por tani është kthyer për të marrë postin e trajnerit të parë te ‘Nerazzurrët’. 

“FC Internazionale Milano ka kënaqësinë të mirëpresë Cristian Chivu si trajnerin e ri të skuadrës së parë”.  

“Trajneri ka nënshkruar kontratë me Interin deri më 30 qershor 2027,” thuhet në njoftimin zyrtar të klubit./Telegrafi/

telegrafi sport app