LAJMI I FUNDIT:

Zhvlerësohet kriptovaluta Trump

Zhvlerësohet kriptovaluta Trump

Kriptovalutat e lidhura me presidentin amerikan, Donald Trump dhe Zonjën e Parë, Melania Trump pësuan një rënie të ndjeshme gjatë orëve të para pasi 78-vjeçari u betua si president.

“Official Trump”, një token kriptovalute i prezantuar së fundmi, ra më shumë se 20 për qind në vlerë gjatë një periudhe 24-orëshe që përfundoi mëngjesin e së enjtes, sipas faqes së gjurmimit të kriptomonedhave CoinGecko. Pas rënies, vlera e “Official Trump” u stabilizua në 38 dollarë.


Rënia e këtij tokeni meme të Trumpit përmbysi disa nga fitimet që kishte shijuar pas një rritjeje të shpejtë që ndodhi pasi u hodh në tregjet e kriptomonedhave. Çmimi u rrit nga rreth 10 dollarë të shtunën në mëngjes në një kulm prej rreth 74.59 dollarësh përpara se të fillonte rënia, shkruajnë mediat.

“Melania Meme”, një tjetër kriptomonedhë e prezantuar javën e kaluar, ra në vlerë më shumë se gjysma gjatë një periudhe 24-orëshe që përfundoi mëngjesin e së enjtes.

Çmimi i “Melania Meme” ishte 2.85 dollarë të enjten në mëngjes. Rënia e fundit e këtyre monedhave të lidhura me Trump dhe Melania përkoi me një rënie të lehtë të Bitcoinit, kriptomonedhës më të madhe në botë. Bitcoin ra me pothuajse 1 për qind, duke arritur një çmim prej 105 dollarësh.

Shumë asete digjitale kanë shënuar rritje që nga fitorja e Trumpit në zgjedhjet e muajit nëntor, duke treguar entuziazmin e investitorëve rreth deklaratave të presidentit të ri në mbështetje të kriptomonedhave.

Në muajin korrik, Trump u tha të pranishmëve në një konferencë për kriptomonedhat në Nashville, Tennessee, se ai dëshironte ta kthente SHBA-në në “kryeqytetin e kriptovalutave në planet”.

Trump gjithashtu ka premtuar lehtësimin e rregullave për sektorin dhe krijimin e Rezervës Kombëtare Strategjike të Bitcoinit nga qeveria federale.

Ka pasur raporte që Trump do të firmoste një urdhër ekzekutiv për të prioritarizuar politikat mbi kriptomonedhat. Megjithatë, një urdhër i tillë nuk ishte ndër veprimet e shumta që nënshkroi të hënën Trumpi. /Telegrafi/