Kompania Frigo Deluxe sot ka hapur panairin më të madh dy ditor të gastronomisë nën moton “Zgjidhje për Çdo Chef” – për të gjithë profesionistët në industrinë e kuzhinës, duke sjell inovacione të ndryshme në teknologji.
Në ditën e parë të këtij eventi morën pjesë përfaqësues të ambasadave të huaja në Kosovë, si: Italisë, Greqisë…, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovë, Lulzim Rafuna dhe shumë personalitete të njohura në fushën e gastronomisë.
Ministrja Hajdari tha se ndjehet e plotësuar me organizimin e këtij panairi, pasi, siç u shpreh ajo, sektori privat po shënon një transformim të suksesshëm sa i përket sektorit të gastronomisë.
“Jam e plotësuar që jam sot me ju, pasi shoh një sukses dhe një transformim të sektorit privat… Përvoja juaj gjithashtu do të shërbejë në avancimin e kulinarisë, dhe ne do të përpiqemi ta kthejmë atë në një instrument zhvillimi për të nxjerr më të mirën dhe për të dhënë më shumë produkte…”, ka thënë Hajdari.
Edhe ambasadori i Italisë në Kosovë, Antonello De Riu, tha se është e jashtëzakonshme se si një kompani organizon një panair kaq të madh dhe me shumë rëndësi për vendin.
“Është një panair i projektuar nga një kompani… Është gjë e jashtëzakonshme qysh një kompani po bën një panair kaq të mirë… Më vjen mirë që është kjo kompani në Kosovë, e cila i promovon produktet e Italisë në Kosovë”, ka thënë ambasadori i Italisë në Kosovë.
Ndërsa, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovë, Lulzim Rafuna, tha se me anë të këtij panairi po investohet në ngritjen e profesionalizmit të punëtoreve vendor.
“Përveç pajisjeve moderne që importoni më shumë më gëzon fakti që keni investu në ngritjen e kualitetit në edukimin e kuzhinierëve tanë dhe keni sjell inovacion në shumë të rinj. Investimi më i mirë i një shoqërie është investimi në njerëz, apo në burime njerëzore…”, ka thënë Rafuna.
Ndërkaq, Burim Kuraja, CEO Frigo Deluxe tha se vendimi për të organizuar një panair kaq të veçantë ka ardhur si pasojë për të ju shërbyer të gjithë shefave të kulinarisë qofshin ata të hotelierë, pastiçeri edhe bakery.
“Jemi të specializuar në pjesën e konsulencës, projektimit, zhvillimit si dhe servisimit të çdo pajisje të cilat përfshijnë të gjitha këto sektorë. Ky panair është i dedikuar për të profesionistët e kësaj fushe. Këtu kemi 30 shefa nga 30 shtete të ndryshme… Jemi dhe me 10 shefa të kuzhinës së Kosovës, pasi ju kemi ofru një mundësi që të bashkohen me italianët, kryesisht nga shefat italianë, po ashtu kemi grekë, do të vijnë dhe nga Korea, kemi nga Franca dhe nga Çekia”, ka thënë Kuraja.
Ai po ashtu u shpreh se janë duke menduar që të avancojnë shefat vendor.
“Po bashkëpunojmë me të gjithë shefat vendor, që të hapim njohuri sa më shumë. Dhe deri tani kemi organizuar me mundësit tona disa trajnime të cilat i kemi mbajtur nga shefat italianë për shefat tonë vendor në objektin e Frigo Delux”, ka thënë ndër të tjera Kuraja.
Ndryshe, ky event do të jetë i hapur më 6 dhe 7 maj dhe është duke u mbajtur në ambientet prej 5,000 metra katrorë të FRIGO DELUXE. Eventi synon të prezantojë teknologjinë më të fundit italiane dhe të demonstrojë se si të përdoret për të përmirësuar efikasitetin dhe për të arritur rezultate më të mira në kuzhinë.
Në këtë panair do të marrin pjesë deri në 2,000 profesionistë vendas dhe vizitorë profesionistë nga Shqipëria, Greqia, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Mali i Zi.
Përgjatë ngjarjes dyditore, kuzhinierët italianë do të gatuajnë dhe do të demonstrojnë teknologjinë e tyre më të fundit, duke theksuar dallimet që ajo bën në industri. /Telegrafi/