Zgjidhja: Shteti shqiptar!
Pavarësia e Shqipërisë e shpallur më 28 Nëntor 1912 përfaqësonte fitoren e përbashkët të të gjitha trevave shqiptare, duke qenë se Kuvendi i Vlorës e shpalli pavarësinë në emër të të gjithë shqiptarëve duke e trajtuar Shqipërinë një dhe të pandarë. Ndërsa qeveria e Ismail Qemalit në rrafshin ndërkombëtar doli si përfaqësuese e gjithë kombit dhe e të gjitha tokave shqiptare, edhe pse një pjesë e madhe e tyre ishte e pushtuar nga ushtritë e shteteve ballkanike. Shqipëria e Pavarur nënkuptonte të drejtën e pamohueshme historike të kombit shqiptar për të qenë i bashkuar, i lirë e i pavarur në trojet e veta.
Megjithatë, shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë (me vendimet e padrejta të Konferencës së ambasadorëve të gjashtë fuqive të mëdha në Londër, 1913) nuk arriti të bashkonte në një shtet gjithë territoret e kombit shqiptar, duke lënë jashtë kufijve të shtetit amë gjysmën e tokave shqiptare, të cilat u lanë në mëshirën e popujve që gjithmonë kanë tentuar të grabisin trojet tona. Një politikë e ngjashme vazhdon edhe sot, një tendencë për t’ua plotësuar kërkesat të tjerëve në shpinë të shqiptarëve.
Qëllimi i Serbisë vazhdon të jetë territorial, përkundër se politika aktuale tenton të japë një dukje tjetër. Shteti serb dëshiron të përvetësojë atë që “i ka mbetur në dispozicion”: Republikën Serbe të Bosnjës, pjesën veriore të Mitrovicës dhe një pjesë të Maqedonisë.
Qëndrimi i udhëheqësisë serbe “për pajtim historik me shqiptarët” dhe se “shqiptarët e Kosovës nuk duan të jetojnë nën Serbi, dhe se serbët e Kosovës nuk e dëshirojnë Kosovën e pavarur”, me fjalë tjera do të thotë ndarje territoriale - Serbia të heqë dorë nga Kosova, por veriu t’i takojë Serbisë (që do të ishte hap i gabuar për shqiptarët nëse në këtë marrëveshje nuk e përfshijnë Luginën e Preshevës).
Ky qëllim i Serbisë në mënyre retrograde mund t’i shërbejë bashkimit kombëtar shqiptar deri në një shkallë, pasi që ndryshimi i kufijve do të rihapte çështjen shqiptare në Ballkan. Kështu në kufijtë e Shtetit shqiptar do të përfshihej pjesa më e madhe e Kosovës (pa veriun e Mitrovicës që do të mbetej nën Serbi). Maqedonia nuk do të ekzistonte si shtet, por do të ndahej mes Bullgarisë, Greqisë, Serbisë dhe Shqipërisë, që do të thotë se pjesa shqiptare e Maqedonisë do t’i takonte Shqipërisë. Me ndarjen e Maqedonisë, dhe përvetësimin e një territori të saj nga Greqia, ekziston mundësia që shteti helen të bëjë kompromis sa i përket Epirit të Jugut duke e kthyer atë në kufijtë e Shtetit shqiptar. Një problem për t’u zgjidhur do të mbeten trojet shqiptare në Malin e Zi (Malësia) dhe Kosova Lindore. Kjo e fundit me një veprim të mençur të shqiptarëve (ndërrim vend për vend - veriun e Mitrovicës për Kosovën Lindore) mund të përfshihet në kufijtë e Shtetit natyral shqiptar.
“Pa zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare, nuk do të ketë qetësi as Ballkani e as Evropa”.
P.S.
Fatkeqësia e Mitrovicës
Duket që ende pa përfunduar lufta e fundit në Kosovë, ka ekzistuar plani që gradualisht, me aktet dhe vendimet që janë marrë në vijim, është përforcuar gjithnjë e më shumë- që Mitrovica e veriut të mos i takojë Kosovës...
(Me keqardhje, por më duhet të them se) edhe ashtu asnjëherë nuk e kemi mbajtur si tonën: Në shekullin I-rë të erës së re, Mitrovica ishte nën sundimin romak, pastaj në shekullin IX nën sundimin e shtetit bullgar, më pas u kthye nën sundimin e Bizantit. Në vitin 1185 viset shqiptare të veriut të Kosovës u pushtuan nga shteti serb i Nemanjve. Në vitin 1912, Serbia pushtoi Kosovën ashtu edhe Mitrovicën. Gjatë LDB-së, Mitrovica u pushtua nga Gjermania, ndërsa pas vitit 1945 u okupua nga Jugosllavia. Pas një periudhe të autonomisë, në vitin 1989, Serbia likuidoi autonominë e Kosovës duke përvetësuar edhe Mitrovicën, ndërsa edhe pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës (17 shkurt 2008), veriu vazhdon të mos jetë pjesë e Kosovës.





















































