LAJMI I FUNDIT:

Live

Postet:

Live Zgjedhjet Turqia 2023

Gjithçka ndodhi gjatë zgjedhjeve në Turqi, rezultatet dhe reagimet – dhe çfarë mund të ndodhë më pas

Përditesuar 14/05/2023 18:01

Të dielën më 14 maj, turqit kanë dalë në votime për të zgjedhur presidentin e tyre të ardhshëm si dhe për parlamentin e Turqisë.

Dhe kur jemi një ditë më pas, ende nuk është e qartë nëse presidenti i ri do të dihet që në raundin e parë, apo duhet të pritet për zgjedhjet e balotazhit më 18 maj – edhe pse supozohet se kjo do të ndodh në balotazh.


Kjo pasi që, së paku sipas rezultateve të publikuara nga mediat turke – të cilat nuk janë zyrtare – asnjëri prej tyre nuk ka arritur të marrë mbi 50 për qind të votave në raundin e parë të zgjedhjeve në Turqi më 14 maj.

Sipas tyre, në 99,38 për qind të votave të numëruara, Recep Tayyip Erdogan ka 49,42 ndërsa Kemal Kilicdaroglu ka 44,95 për qind.

Çfarë është bërë e rëndësishme tani është çështja se për cilën anë pozicionohet kandidati i tretë në zgjedhjet presidenciale në Turqi, Sinan Ogan.

Bëhet fjalë për njeriun që mori rreth 5% të votave.

Por rreth asaj çfarë ndodhi gjatë ditës së zgjedhjeve në Turqi, rezultateve, dhe reagimeve më pas, Telegrafi ju ka mbajtur të informuar në vazhdimësi – ngjarje që ua kemi sjellë dhe të cilat mund t’i lexoni më poshtë.

Ndryshe, më shumë se 64.1 milionë njerëz u regjistruan për të votuar në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Turqi, duke përfshirë mbi 1.76 milionë që kanë hedhur tashmë votat e tyre jashtë vendit dhe 4.9 milionë votues për herë të parë.

Dhe për të votuar këta njerëz, janë ngritur gjithsej 191.885 kuti votimi.

Çdo votues hodhi dy vota, njëra për presidentin dhe tjetra për ligjvënësit, të cilët do të shërbejnë për mandate pesëvjeçare.

Votuesit kanë votuar midis presidentit Recep Tayyip Erdogan, që kërkon rizgjedhjen, kandidatit kryesor të opozitës Kemal Kılıçdaroglu dhe Sinan Ogan.

Ndryshe, Muharrem Ince, një tjetër pretendent presidencial, u tërhoq nga gara më herët të enjten. /Telegrafi/

Postet:
Mbylle
15/05/2023 13:12

BE përgëzon votuesit turq për ‘fitoren’ demokratike

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel përgëzuan të hënën votuesit turq për “pjesëmarrjen e tyre shumë të lartë” në raundin e parë të zgjedhjeve të së dielës, duke e quajtur atë një “fitore” për demokracinë.

“Pjesëmarrja shumë e lartë në këto zgjedhje është vërtet një lajm i mirë (…) Është një shenjë e qartë se popullsia turke është e përkushtuar për të ushtruar të drejtat e saj demokratike”, tha von der Leyen në një konferencë shtypi së bashku me Michel, i cili gjithashtu uroi shtetas turq.


15/05/2023 13:08

Votat e Stambollit pasqyrojnë mbështetjen për opozitën

Duke raportuar nga Stambolli, Al Jazeera shkruan se votat presidenciale dhe parlamentare të Stambollit pasqyruan mbështetjen për opozitën.

“Stambolli votoi 48 për qind në favor të Kilicdaroglu, ndërsa metropoli i dha 46 për qind të votave Erdoganit”.


“Stambolli votoi edhe për Partinë Republikane Popullore (CHP) në parlament. Kjo është e jashtëzakonshme”. /Telegrafi/

15/05/2023 12:36

Rezultatet përfundimtare priten pas disa orësh

Duke raportuar nga Ankaraja, Farah al-Zaman Shawki e Al Jazeera, ka thënë se rezultatet përfundimtare pritej të shpalleshin deri në orën 15:00 me orën lokale.

“Rreth 1500 fletë votimi që vijnë nga jashtë nuk janë numëruar ende”.


“Pra, ne nuk e dimë ende nëse Komiteti i Lartë i Zgjedhjeve (YSK) do të shpallë një raund tjetër zgjedhjesh”, ka thënë Shawki, përcjell Telegrafi.

“Pjesëmarrja në zgjedhjet jashtë vendit ishte 51 për qind, që është relativisht e mirë edhe pse më e ulët se në Turqi”, ka shtuar ajo. /Telegrafi/

15/05/2023 10:33

Mbi 99 për qind të votave të numëruara

Presidenti aktual i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan dhe udhëheqësi kryesor i opozitës Kemal Kilicdaroglu me gjasë do të përballen në një balotazh.

Kjo pasi që asnjëri prej tyre nuk ka arritur të marrë mbi 50 për qind të votave në raundin e parë të zgjedhjeve në Turqi më 14 maj.


Një konkluzion i tillë mund të nxirret duke u bazuar në të dhënat që kanë nxjerrë mediat turke, sipas të cilave, në 99,38 për qind të votave të numëruara, Erdogan ka 49,42 ndërsa Kilicdaroglu ka 44,95 për qind.

Ndryshe, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në fjalimin e tij tradicional paszgjedhor ka deklaruar se vendi i tij ka përmbyllur me sukses një tjetër “festival të demokracisë” me zgjedhjet e 14 majit.

Ndërsa udhëheqësi kryesor i opozitës Kemal Kilicdaroglu ka thënë se ai do të pranonte rezultatin nëse ai çon në një balotazh dhe do ta fitonte atë.

Çfarë është bërë e rëndësishme tani është çështja se për cilën anë pozicionohet kandidati i tretë në zgjedhjet presidenciale në Turqi, Sinan Ogan.

Bëhet fjalë për njeriun që mori rreth 5% të votave.

Dhe nëse këto rezultate shpallen edhe zyrtarisht, të dy kandidatët do të përballen përsëri më 28 maj. /Telegrafi/

15/05/2023 09:48

Kilicdaroglu thotë se ai do të pranonte rezultatin dhe do të fitonte në balotazh

Udhëheqësi kryesor i opozitës Kemal Kilicdaroglu ka thënë se ai do të pranonte rezultatin nëse ai çon në një balotazh dhe do ta fitonte atë.

“Me gjithë gënjeshtrat dhe sulmet e tij, Erdogan nuk mori rezultatin e dëshiruar”, ka thënë Kilicdaroglu.


“Askush nuk duhet të jetë entuziast se kjo është një punë e përfunduar…”, citohet të ketë thënë më tej ai. /Telegrafi/

15/05/2023 09:13

Nata në Turqi, përmes fotografive

Ka qenë një natë e mbushur me “dramë”, ndërsa njerëzit u mblodhën në pjesë të ndryshme të Turqisë për të parë rezultatet.

Mbështetësit e Presidentit Erdogan dhe Partisë së tij AK (AKP) mblidhen në Stamboll
Njerëzit që jetojnë në tenda në Hatayn e dëmtuar nga tërmeti shikojnë rezultatet
Mbështetësit e presidentit Erdogan festojnë rezultatet e hershme
Mbështetësit e Kemal Kilicdaroglu në një tubim
Presidenti Erdogan dhe gruaja e tij, Emine Erdogan, përshëndesin turmën nga ballkoni i selisë së partisë së tij
Udhëheqësi i opozitës Kemal Kilicdaroglu u zotua të fitojë zgjedhjet në raundin e dytë – i cili ende nuk është konfirmuar
15/05/2023 08:13

Kë do të mbështesë kandidati i tretë Sinan Ogan?

Kandidati i tretë në zgjedhjet presidenciale në Turqi, Sinan Ogan, i cili mori rreth 5% të votave sipas të dyja agjencive turke të lajmeve, ka thënë se oferta e tij për presidencën ndryshoi rezultatin e votimit.

Nuk është ende zyrtare, por duke i bërë jehonë deklaratave të mëparshme të Recep Tayyip Erdogan dhe Kemal Kilicdaroglu, Ogan tha se ka të ngjarë të zhvillohet një raund i dytë i zgjedhjeve presidenciale në Turqi.


Sinan Ogan foli me gazetarët në Ankara

Dhe nëse kjo bëhet zyrtare, Ogan nuk do të jetë në garë për të – dhe vendimi i tij se kë do t’u kërkojë mbështetësve të tij të mbështesin mund të bëjë një ndryshim të madh.

Për këtë ai thotë se do të vendosë pas disa ditësh.

“Do të flas me liderët e aleancës sime, do të shkoj të pyes votuesit e mi në dy ditët në vijim. Dhe më pas do të marrim një vendim dhe do të kryejmë detyrën tonë në 14 ditët e ardhshme”. /Telegrafi/

15/05/2023 08:03

Erdogan mban fjalimin tradicional pas zgjedhjeve

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në fjalimin e tij tradicional paszgjedhor ka deklaruar se vendi i tij ka përmbyllur me sukses një tjetër “festival të demokracisë” me zgjedhjet e 14 majit.

Presidenti Erdogan theksoi se “edhe pse rezultatet ende nuk janë përfundimtare, ne jemi në një përparësi të madhe”.


“Fituesi, përtej numrave që do të tregojnë tabelat zgjedhore, padyshim është vendi dhe populli ynë”, tha ai.

Më tej, Erdogan theksoi se Turqia në këto zgjedhje përjetoi një ndër daljet më të mëdha në votime në historinë e vendit, në një mënyrë të paprecedentë në botë.

Për të lexuar lajmin e plotë, klikoni KËTU.

14/05/2023 23:43

Ende nuk ka diçka përfundimtare në rezultatet për president të Turqisë

Sipas rezultateve paraprake, jozyrtare nga mediat turke, duket sikur asnjë kandidat presidencial nuk ka arritur ende pragun e 50% të kërkuar për të fituar zgjedhjet në raundin e parë.

Ky supozim mund të nxirret së paku sipas asaj që është raportuar nga mediat turke, sipas të cilave, në rreth 94 për qind të votave të numëruara, Erdogan ka 49.59 për qind të votave, ndërsa Kılıçdaroglu 44.67 %, përcjell Telegrafi.


Një raund i dytë i mundshëm i votimit do të mbahet më 28 maj, por në këtë pikë ka ende miliona vota për t’u numëruar.

Ato janë veçanërisht në qytetet më të mëdha, dhe nuk është ende e qartë nëse ndonjëri nga kandidatët do të jetë në gjendje të marrë më shumë se 50 % e votave që në raundin e parë. /Telegrafi/

14/05/2023 23:08

Erdogan bën një paraqitje befasuese në Stamboll

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, i cili u raportua se ishte në kryeqytetin Ankara nga mediat shtetërore turke më herët gjatë ditës, ka bërë një paraqitje surprizë në Stamboll.

Ai përshëndeti mbështetësit teksa largohej nga rezidenca e tij në lagjen Uskudar të Stambollit.


14/05/2023 22:31

Erdogan bën komentet e para pas mbylljes së kutive të votimit në Turqi

Në komentet e tij të para publike që nga mbyllja e qendrave të votimit, presidenti Rexhep Tajip Erdogan ka thënë se nxitimi për të shpallur rezultatet e zgjedhjeve ndërsa numërimi vazhdon do të thotë vjedhje e “vullnetit të popullit”.

Për të lexuar lajmin e plotë, klikoni KËTU.


14/05/2023 22:22

Kandidati i tretë presidencial thotë se “probabilitet i lartë” për balotazh

Kandidati i tretë presidencial, Sinan Ogan, tha të dielën mbrëma se ai besonte se gara kishte të ngjarë të shkonte në balotazh.

“Ne shohim një probabilitet të lartë që zgjedhjet të shkojnë në raundin e dytë”, tha Ogan në Twitter.


Me rreth 85% të votave të numëruara, Ogan, i cili është një aleat i presidentit Recep Tayyip Erdogan, kishte vetëm rreth 5% të votave, sipas rezultateve paraprake të raportuara nga agjencia shtetërore e lajmeve Anadolu.

Kjo mbështetje mund ta bëjë Oganin një “mbret” të mundshëm në balotazh. /Telegrafi/

14/05/2023 22:10

Numërimi po shkon drejt fundit, ka ndryshim në rezultat

Në kohën kur numri i votave të numëruara ka shkuar në 89,24 për qind, përqindja e votave të fituara nga presidenti aktual turk, Recep Tayyip Erdogan ka rënë në nën 50 për qind të votave.

Sipas të dhënave të fundit të përditësuara nga mediat në Turqi, kandidati kryesor i opozitës turke, Kemal Kiliçdaroglu, ka arritur në 44.3 për qind.


Dhe nëse presidenti aktual nuk arrin mbi 50 për qind të votave, domethënë se Turqia do të ketë një rund të dytë të zgjedhjeve për president, pra balotazh.

Kështu, edhe një herë më 28 maj, forcat do t’i matin Recep Tayyip Erdogan, dhe kandidati kryesor i opozitës, Kemal Kiliçdaroglu. /Telegrafi/

14/05/2023 21:21

Rezultatet nga tri qytete të mëdha mund të kenë një efekt dramatik

Ndërsa numërimi i votave vazhdon në Turqi, votat nga tri qytetet më të mëdha – Stambolli, Ankaraja dhe Izmiri – mund të ndryshojnë rezultatin e zgjedhjeve.

Sipas raportimeve, deri më tani janë numëruar më shumë se 60% e votave në të gjithë vendin dhe Rexhep Tayyip Erdogan është përpara.


Por shumë nga votat në qytetet më të mëdha ende nuk janë numëruar.

Stambolli ka një popullsi prej 16 milionë banorësh, ndërsa kryeqyteti, Ankaraja dhe qyteti perëndimor i Izmirit kanë një popullsi prej 10 milionë banorësh dhe në të tre janë numëruar vetëm gjysma e votave.

Në Izmir dhe Stamboll deri tani, Kemal Kilicdaroglu duket përpara, ndërsa në Ankara, Erdogan është ngushtë në krye.

Izmiri është një bastion i opozitës CHP dhe partia ka rritur mbështetjen e saj në Stamboll dhe Ankara në mënyrë dramatike që nga zgjedhjet e vitit 2015.

Kryebashkiaku i Ankarasë ka thënë se Kilicdaroglu do të fitojë kur të dalin rezultatet nga këto tre qytete të mëdha. /Telegrafi/

14/05/2023 20:51

Numri i votave të numëruara arrin në rreth 75 për qind

Derisa numërimi i votave po shkon drejt fundit, ka tendencë të ndryshimit të rezultatit të zgjedhjeve, gjë që nëse vazhdon, fituesi i zgjedhjeve për president të Turqisë do të përcaktohet në balotazh.

Kështu së paku mund të pretendohet nëse bëhet një krahasim nga rezultati i votave kur presidenti aktual Recep Tayyip Erdogan ishte 52.03 për qind ndërsa numri i votave të numëruara kishte arritur në rreth 50 për qind.


Në atë fazë, kundërkandidati i tij kryesor, Kemal Kiliçdaroglu kishte rreth 42 për qind, ndërsa tani kur janë numëruar rreth 75 për qind e votave, ai ka rreth 43,43 për qind.

Kështu mund të thuhet duke u bazuar në rezultatet që janë duke u publikuar në kohë reale nga mediat në Turqi. /Telegrafi/

14/05/2023 20:32

Kështu duken rezultatet paraprake të zgjedhjeve në Turqi sipas të dhënave nga dy agjencitë e lajmeve në vend

14/05/2023 20:05

Një agjenci private e lajmeve, që njihet se ka afërsi me opozitën, ka raportuar se Kilicdaroglu është në epërsi ndaj Erdoganit

Sipas medias shtetërore, Anadolu, me 44 për qind të votave, Recep Tayyip Erdogan prin me 52.4 për qind të votave, ndërkaq Kemal Kilicdaroglu ka fituar 41.7 për qind.

Megjithatë, Anka, një agjenci private e lajmeve, që njihet se ka afërsi me opozitën, ka raportuar se Kilicdaroglu është në epërsi me 47.4 për qind të votave, bazuar në 31.3 për qind të votave të numëruara. Sipas kësaj agjencie, Erdogan ka fituar 46.8 për qind të votave, shkruan REL.


Pas publikimit të rezultateve paraprake nga Anadolu Agency, lideri i opozitës turke, Kemal Kilicdaroglu shkroi në Twitter se ai është duke kryesuar në garën presidenciale.

“Ne jemi përpara”, shkroi ai në Twitter.

Ndërkaq, një zëdhënës i Partisë Popullore Republikane (CHP) të Kilicdaroglut, tha se sipas të dhënave të brendshme, opozita ka shënuar rezultate “pozitive”.

“Ne po shohim një pamje pozitive, bazuar në të dhënat tona”, tha zëdhënësi i CHP-së, Fail Oztrak.

Më 14 maj, Turqia mbajti zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, që po konsiderohen si votimet më të rëndësishme në historinë moderne 100-vjeçare të shtetit.

14/05/2023 19:46

Përgatitje për festë jashtë selisë së Partisë së Erdoganit

Jashtë selisë së Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) të presidentit Recep Tayyip Erdogan në Stamboll të dielën në mbrëmje janë parë “përgatitje për festë”, ndërsa rezultatet paraprake kanë filluar të publikohen.


14/05/2023 19:26

Erdogan vazhdon të kryesojë në zgjedhjet në Turqi

Nga rreth 50 për qind të votave të numëruara në zgjedhjet në Turqi, presidenti aktual, Recep Tayyip Erdogan është duke udhëhequr me rreth 52 për qind të votave.

Ndërsa kundërkandidati i tij kryesor, Kemal Kiliçdaroglu ka rreth 42 për qind.


Kështu mund të thuhet duke u bazuar në rezultatet që janë duke u publikuar në kohë reale nga mediat në Turqi.

14/05/2023 19:12

Masa të posaçme për të siguruar që të gjithë votuesit të ishin në gjendje të thonë fjalën e tyre në zgjedhjet e Turqisë

Pamje që tregojnë se u morën masa të posaçme për të siguruar që të gjithë votuesit të ishin në gjendje të thonë fjalën e tyre në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të Turqisë.