Zëra nga 45 shtete bashkohen në Prishtinë për fuqizimin e grave, paqen dhe sigurinë

Nën udhëheqjen e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, sot më 2 qershor fillon edicioni i tretë i Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili për dy ditë me radhë do ta shndërrojë Prishtinën në qendër të diskutimeve globale mbi çështjet gjinore, paqen dhe sigurinë.
Forumi do të sjellë mbi 30 panele diskutimi, me mbi 150 folës të nivelit të lartë nga më shumë se 45 shtete të botës përfshirë presidentë, ministra, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare e aktivistë të shquar.
Ky forum ndërkombëtar është kthyer në një platformë të fuqishme dialogu dhe bashkëpunimi, që synon të forcojë rolin e grave në procese vendimmarrëse.
Përmes këtij forumi Kosova rikonfirmon përkushtimin e saj për avancimin e agjendës për gratë, paqen dhe sigurinë, duke e vendosur veten si shembull në rajon dhe më gjerë për nisma që në fokus kanë fuqizimin e grave.
Si rezultat i kësaj ngjarje, Policia e Kosovës ka njodtuar se më datat 02 dhe 03.06.2025, do të kujdeset për mbarëvajtjen e rendit dhe qetësisë publike dhe menaxhimin e trafikut rrugor në vend.
Policia do jetë e angazhuar edhe për lëvizjet e personaliteteve dhe delegacioneve të ndryshme lidhur me këtë edicion.
“Për të mundësuar qarkullim të lirë sipas itinerarit të lëvizjes si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës së edicionit në fjalë, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurta kohore) të disa segmenteve rrugore dhe në afërsi të objekteve relevante” – thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia shton se do të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative dhe ka kërkuar mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik./Telegrafi/




















































