Ish-ministri i Shëndetësisë, njëherit deputeti i LDK-së, Armend Zemaj ka reaguar lidhur me vendimin e Spitalit të Përgjithshëm “Isa Grezda” në Gjakovë, për ndalimin e operacioneve për shkak të temperaturave të larta.

Zemaj ka thënë se ky vendim është i dëmshëm dhe skandaloz, derisa e ka pyetur ministrin Arben Vitia nëse vazhdon të jetë ministër i Shëndetësisë.


“Një vendim i tillë është për keqardhje për një shoqëri që problemin më të madh e ka mbijetesën, mirëqenien dhe qasjen minimale për shërbime shëndetësore”, ka shkruar deputeti i LDK-së.

Postimi i plotë: O ministër i shëndetësisë, a je gjallë? A mos ke dhënë prapë dorëheqje? Nëse po, a kthehesh prapë ministër? Nëse jo, a je ministër edhe kur janë temperaturat e larta? A do të jesh ministër edhe kur të jenë temperaturat e ulëta? Ku je ministër i vendimeve që e dëmtojnë shëndetin dhe nuk ofrojnë shërbime për pacientët? Vendimi i Spitalit të Përgjithshëm “Isa Grezda” në Gjakovë, për ndalimin e operacioneve - programit të ftohtë gjatë muajve te verës është i papranueshëm, i dëmshëm; është skandaloz. Një vendim i tillë është për keqardhje për një shoqëri që problemin më të madh e ka mbijetesën, mirëqenien dhe qasjen minimale për shërbime shëndetësore. Hiq më larg se dje, në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale adresuam problemet e shumta, ku njëra ndër to ishte edhe lista e gjatë e pritjes për të marrë shërbimet shëndetësore. E zotimi i pushtetit ishte që do të angazhohen në këtë drejtim, ndërsa nuk vonon shumë Spitali i Gjakovës, që është nën menaxhim të pushtetit merr një vendim krejt të kundërt nga zotimi i udhëheqësve të tyre. Përgjegjësia politike e ministrit të shëndetësisë është e pakontestueshme. /Telegrafi/