Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka qenë në një turne nëpër kryeqytetet evropiane për të promovuar 'planin e tij të fitores' për të cilin thotë se "synon të krijojë kushtet e duhura për një fund të drejtë të luftës" kundër Rusisë.

Ai detajon propozimet për aleatët evropianë pasi një samit i planifikuar ku përfshihej presidenti amerikan Joe Biden u shty për shkak të uraganit Milton i cili ka shkaktuar shkatërrime në të gjithë Floridan.


Ndalesa e tij e tretë e ditës e solli atë në Itali dhe pas bisedimeve dypalëshe me Giorgia Meloni, kryeministrja italiane përsëriti mbështetjen e vendit të saj për Ukrainën.

"Një dimër i ri fillon tani. Është i treti me të cilin përballet Ukraina në këtë luftë dhe sot, gjysma e rrjetit të saj elektrik është jashtë funksionit. Përgjegjësia e komunitetit ndërkombëtar është të mbështesë Ukrainën në këtë përpjekje", ka thënë ajo në një konferencë e përbashkët për shtyp.

"Presidenti Zelenskyy e di mirë se Italia i ka qëndruar në krah Ukrainës që në fillim të këtij konflikti. Ne kemi bërë gjithçka që mundemi dhe siç e kemi përsëritur këtë mbrëmje, jemi gati të vazhdojmë ta bëjmë këtë për aq kohë sa të jetë e nevojshme".

Ndërkohë më herët gjatë ditës, bisedimet e Zelensky në Londër me kryeministrin britanik Keir Starmer dhe sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte u pasuan shpejt nga një tjetër takim në Paris me presidentin francez Emmanuel Macron, i cili vetëm një ditë më parë dërgoi një sinjal të fortë mbështetjeje për Ukrainën duke vizituar trupat ukrainase që po trajnohen në Francë.

Screenshot 2 17

Zelensky ka thënë se ai kishte "ndarë detajet" e planit të fitores së Ukrainës me Starmer dhe shtoi, "Ne kemi rënë dakord të punojmë për të së bashku me aleatët tanë".

Udhëheqësi ukrainas u takua gjithashtu me Rutte dhe Starmer.

Zelensky tregoi më pas se ata diskutuan bashkëpunimin transatlantik dhe përforcimin e mëtejshëm ushtarak të Ukrainës.

Ai nuk dha detaje, por theksoi se "këta janë hapat që do të krijojnë kushtet më të mira për rivendosjen e një paqeje të drejtë".

Zelensky ende nuk i ka paraqitur publikisht propozimet e tij për fitore.

Por koha e përpjekjeve të tij për të siguruar mbështetjen evropiane duket se kishte në mendje zgjedhjet presidenciale të nëntorit në SHBA.

Ish-presidenti Donald Trump, i cili mund të kthehet në Shtëpinë e Bardhë vitin e ardhshëm, ka qenë prej kohësh kritik ndaj ndihmës amerikane për Ukrainën.

Zelensky kishte planifikuar të paraqiste planin e tij në një takim të fundjavës së liderëve perëndimorë në Gjermani, por ai u shty pasi Joe Biden qëndroi ”në shtëpi” për shkak të krizës së uraganit që po ndodh aktualisht në Florida. /Telegrafi/