Futbollisti i Romës, Nicolo Zaniolo, është detyruar ta telefonojë policinë, pasi është konfrontuar me tifozët e acaruar për shkak të kërkesës së tij për t’u larguar.
Italiani ka kërkuar të largohet nga Giallorossët, gjë që ka nxitur reagimin e furishëm të disa mbështetësve të klubit.
Trajneri Jose Mourinho e ka lënë futbollistin jashtë skuadrës për tri ndeshje që nga kërkesa e tij për t’u larguar.
Sipas Calciomercato, ultrasit e Romës janë mbledhur jashtë shtëpisë së Zaniolos pas humbjes së skuadrës nga Napoli. Raportohet se ata kanë kënduar kore ofenduese duke i thënë mes tjerash: “Nëse humbëm, është i gjithë faji yt. Largohu!”.
Pas thirrjes së policisë, tifozët janë shpërndarë, ndërsa nëna e lojtarit, Francesca Costa, ka thënë se urrejtja për djalin e saj është e tepruar, duke qenë se ka pasur mbishkrime ofenduese edhe për të.
Bournemouth, Tottenham Hotspur dhe Milan janë klubet e interesuara për shërbimet e Zanolos. /Telegrafi/