Xi Jinpingu po humbet kontrollin mbi ushtrinë e Kinës

Nga: Gordon G. Chang, autor i librave Plan Red: China’s Project to Destroy America [Plani i Kuq: Projekti i Kinës për të shkatërruar Amerikën] dhe The Coming Collapse of China [Kolapsi i ardhshëm i Kinës] / Newsweek
Përkthimi: Telegrafi.com
“Fakti që Xi Jinpingu ka qenë në gjendje të shkarkojë kaq shumë elita [të Ushtrisë Çlirimtare Popullore - UÇP] qëkur mori pushtetin ... është një shenjë e qartë se pozicioni i tij në regjim është i pathyeshëm”, tha muajin e kaluar për CNN, James Char nga Shkolla e Studimeve Ndërkombëtare “S. Rajaratnam” në Singapor, menjëherë pasi Xi largoi dy gjeneralë të lartë prej posteve të rëndësishme komanduese. Media përmblodhi pikëpamjen pothuajse unanime të analistëve: “Xi ka kontroll absolut mbi ushtrinë e Kinës”.
Por, narrativa se Xi kontrollon ushtrinë është pothuajse me siguri e gabuar. Spastrimet, të bëra ndaj pothuajse të gjithëve si provë e fuqisë së Xisë, në fakt tregojnë të kundërtën.
Më 24 të muajit të kaluar, Ministria kineze e Mbrojtjes Kombëtare, në një video 30-sekondëshe njoftoi se dy gjeneralë që ishin pjesë e Komisionit Qendror Ushtarak të Partisë Komuniste, Zhang Youxia dhe Liu Zhenli, u vunë nën hetim.
Pas publikimit të videos, PLA Daily, organi kryesor propagandistik i ushtrisë kineze, akuzoi Zhangun dhe Liun për “shkelje serioze dhe minimin e sistemit të përgjegjësisë përfundimtare që i takon kryetarit të Komisionit Qendror Ushtarak”. Kryetari i atij organi, i cili kontrollon Ushtrinë Çlirimtare Popullore, është vetë Xi Jinpingu.
Largimi i Zhangut ishte veçanërisht tronditës. Ai ishte oficeri me gradën më të lartë në uniformë në Kinë dhe nënkryetari i parë i komisionit.
Ekspertët besojnë se Xi duhet të ketë në kontroll nëse kishte fuqinë të largonte Zhangun dhe Liun. Natyrisht, kjo bindje ka një logjikë sipërfaqësore.
Megjithatë, Xi i spastroi Zhangun dhe Liun meqë, me sa duket, nuk mund t’i kontrollonte. Dhe, duket se ai nuk mund të kontrollojë as ushtrinë në tërësi.
Një dekadë më parë, Xi dukej sikur e kishte konsoliduar kontrollin. Spastrimet e vazhdueshme për “korrupsion” në vitet e para të sundimit të tij dhe riorganizimi madhor i UÇP-së në mesin e dekadës së kaluar i mundësuan atij t’i vendoste besnikët në të gjithë zinxhirin e komandës.
Megjithatë, që atëherë, lideri kinez ka vazhduar të largojë oficerë me grada të larta dhe më pas edhe zëvendësuesit e tyre. Nëse Xi do të kishte një kontroll kaq të plotë sot, pse do t’i duhej të largonte kaq shumë oficerë gjatë dekadës së fundit?
Ka gjithashtu prova se kundërshtarët e Xisë në ushtri mund të kenë qenë përgjegjës për të paktën disa nga spastrimet e fundit. Për shembull, duket se Zhang Youxia e largoi gjeneralin He Weidong, i përshkruar shpesh si zbatuesi kryesor i Xisë në ushtri. Dy besnikë të tjerë të Xisë, admirali Miao Hua, përgjegjës për personelin dhe inspektimin ideologjik, dhe gjenerali Lin Xiangyang, komandant i Komandës së rëndësishme të Zonës Lindore, u shkarkuan gjithashtu.
“Vazhdimi është i vështirë të shpjegohet nëse Xi dominon sistemin politik, sepse tani po spastrohen mbështetësit e tij”, më tha korrikun e kaluar, studiuesi Charles Burton. “Ndonjëherë shpjegimet më të thjeshta janë më të besueshmet. Shpjegimi më i thjeshtë është se armiqtë e Xisë - jo vetë Xi - i larguan besnikët e Xisë”.
Pikëpamja e Burtonit përputhet me shpjegimin e PLA Daily-t për arsyen e largimit të Zhangut dhe Liut: gjeneralët kishin sfiduar autoritetin e Xisë.
Tani duket se ekziston një cikël spastrimesh dhe kundër-spastrimesh. Pasi spastrimet marrin hov, siç është e dukshme në Kinë dhe gjetkë, ato janë të vështira për t’u ndalur.
Pse? Sepse spastrimet kanë kosto për ata që i kryejnë.
Miqtë dhe mbështetësit e atyre që largohen - Zhang Youxia ishte popullor në radhët e ushtrisë - e dinë se mund të jenë të radhës dhe rezistojnë. Në fakt, ka raportime të përhapura për pakënaqësi mes oficerëve të lartë për largimin e Zhangut. Disa nuk morën pjesë në ceremoninë e Vitit të Ri të Komisionit Qendror Ushtarak për nderimin e oficerëve të lartë në pension, duke shmangur përshëndetjen personale të Xi Jinpingut.
Xi gjithashtu mori masa të posaçme sigurie përpara se të merrte pjesë në aktivitet: personeli i sigurisë, veshur me uniforma ushtarake, u pa në turmë. “Edhe në një mjedis kaq të mbyllur, të përbërë tërësisht nga njerëzit e tij, kishte ende një numër shumë të madh të të pranishmëve nga personeli i sigurisë ushtarake”, shkroi analistja Jennifer Zeng në X. “Edhe ‘njerëzit e tij’ duhej të monitoroheshin nga afër”. Më 10 janar, Xi dha urimin tradicional të Vitit të Ri për ushtarët përmes videos, në vend që ta bënte personalisht, siç e kishte zakon.
Shumë raportime për përçarje në radhët e ushtrisë mbeten të pakonfirmuara. Megjithatë, një gjë është e qartë: spastrimet në Kinë po intensifikohen, duke treguar se ushtria kineze është në rrëmujë.
Pas largimit të Zhangut dhe Lius, Komisioni Qendror Ushtarak me shtatë anëtarë tani ka vetëm dy anëtarë, asnjëri prej të cilëve nuk është oficer operacional në detyrë. Këta dy janë vetë Xi Jinpingu dhe gjenerali Zhang Shengmin, një komisar politik. “Zinxhiri i komandës në ushtri është plotësisht i thyer”, ka thënë Heng He, analist i çështjeve kineze dhe komentator në Sound of Hope Radio, duke komentuar largimet e Zhangut dhe Lius. “Kjo nuk ka ndodhur kurrë në historinë e sundimit komunist”.
Bindja e zakonshme vazhdon ta mbivlerësojë pushtetin e Xisë. “Në Kinë, Partia Komuniste kontrollon armën”, shkroi Joseph DeTrani, ish-zëvendësdrejtor i Inteligjencës Kombëtare, “dhe z. Xi kontrollon Partinë Komuniste”.
Kështu supozohet të funksionojë sistemi, por kështu nuk po funksionon tani. Largimet e vazhdueshme të oficerëve me grada të larta nga ana e Xisë nuk i kanë dhënë atij kontrollin që ai duket se e dëshiron aq shumë. /Telegrafi/


















































