Wojciech Szczesny mund të largohet nga Juventusi në fund të këtij sezoni pas gjashtë viteve qëndrim në Torino.
Portieri polak ka një kontratë me Zonjën e Vjetër deri në verën e vitit 2024, por ende nuk ka vendosur për rinovimin e saj.
Calciomercato ka raportuar se bisedimet mes palëve janë duke vazhduar, por që ende janë larg për një marrëveshje.
Në rast se Szczesny nuk pranon rinovimin, atëherë bardhezinjtë do ta nxjerrin atë në shitje gjatë afatit kalimtar të verës.
Zonja e Vjetër ka tre alternativa për ta zëvendësuar polakun, gjithnjë nëse ai vendos largimin nga ‘Allianz Stadium’.
Emri i parë në listë është ai i italianit të Empolit, Guglielmo Vicario, për të cilin interesim kanë shprehur edhe Roma, Napoli dhe Bayern Munich.
Opsioni i dytë është ai i 22-vjeçarit Marco Carnesecchi që është nën pronësi të Atalantës, por i huazuar te Cremonese dhe ka përfunduar në listën e bardhezinjve falë disa ndeshjeve të mira këtë sezon.
Ndërkohë dëshira kryesore është Gianluigi Donnarumma, por drejtuesit e klubit bardhezi e dinë se ai është më i vështiri për tu arritur, duke marrë parasysh se italiani vlerësohet te PSG dhe ka një çmim të lartë. /Telegrafi/