Duket se investitorët në kompanitë e listuara amerikane janë më të shqetësuar për pasojat e tarifave sesa ata në Evropë.

Në hapjen e tregtisë në Wall Street po shihen rënie të mëdha të aksioneve.


Indeksi teknologjik Nasdaq ka rënë me më shumë se 4 për qind, S&P 500 me 3 për qind dhe Dow Jones Industrial Average me pak më pak se 3 për qind.

Fokusi kryesor është ndikimi që do të ketë regjimi i zgjeruar i tarifave të presidentit amerikan, Donald Trumpit në ekonominë vendase, shkruan skynews.

Rritja e çmimeve është e pashmangshme, çmime që do të shtojnë presionin mbi inflacionin dhe potencialisht mund të frenojnë kërkesën dhe punësimin. Masat proteksioniste të presidentit shihen nga kritikët e tij si një bast i pajustifikuar dhe i gabuar.

Pa dyshim, titujt kryesorë që vijnë nga reagimi i tregjeve financiare do të jenë shqetësues për Shtëpinë e Bardhë, por nuk pritet që të çojnë në ndonjë tërheqje nga politika e tarifave. Trump dëshiron të arrijë disa marrëveshje më parë.

Në Evropë, reagimi i tregjeve deri më tani ka qenë më i matur, por sërish negativ.

Indeksi CAC 40 në Francë dhe DAX në Gjermani vazhdojnë të jenë në rënie me më shumë se 3 për qind dhe 2.5 për qind përkatësisht, ndërsa FTSE 100 në Mbretërinë e Bashkuar është 1.7 për qind më poshtë.

Indeksi më i fokusuar në tregun e brendshëm britanik, FTSE 250, është 1.8 për qind në territor negativ. /Telegrafi/