Site icon Telegrafi

Vuçiq thotë se Radoiçiq nuk është plagosur, por nuk e mohon se ishte në grupin terrorist në Banjskë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Milan Radoiçiq ndodhet në Serbinë qendrore dhe se do të intervistohet [lidhur me pjesëmarrjen e tij në grupin terrorist që vrau pjesëtarin e Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit].

Siç raporton “Nova”, Vuçiq e mohoi se Radoiçiq është plagosur gjatë përleshjes së armatosur të grupit terrorist serb me Policinë e Kosovë në Banjskë të Zveçanit.

“Milan Radoiçiq asnjëherë nuk u fsheh dhe nuk u turpërua për rolin e tij. Ai patjetër do t’i përgjigjet ftesës së autoriteteve kompetente të Republikës së Serbisë”, tha Vuçiq.

“Kam besim se ai do të merret në pyetje. Gjendet në territorin e Serbisë qendrore dhe vendi ynë dhe autoritetet kompetente do të bëjnë punën e tyre”, shtoi Vuçiq.

Duke folur për videon e publikuar nga ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, në të cilën shihet Milan Radoiçiq, Vuçiq tha se nuk ishte një video nga manastiri i Banjskës, por një video nga bujtina, transmeton Telegrafi.

Lexo po ashtu Vuçiq i mbron serbët që e vranë rreshterin e Policisë së Kosovës: Ata nuk mund të jenë terroristë

“A është (incizim autentik) apo jo, kjo vërtetohet nga autoritetet kompetente”, tha Vuçiq dhe shtoi se pret që pala kosovare të tregojë se si u vra polici.

Vuçiq iu referua gjithashtu deklaratës së Sveçljes se njëri nga të vrarët ishte truprojë e Vulinit.

“Ai njeri ka qenë në Mbrojtjen Civile kur Aleksandar Vulin ishte drejtor i Zyrës për Kosovë. Ai [Vulin] po shkonte në Graçanicë dhe ai një ditë ishte në sigurimin e tij”, tha Vuçiq.

Ai iu referua edhe dokumentit të publikuar sot nga ministri Sveçla  se është gjetur një dokument i ushtrisë serbe.

“Në atë dokument nuk shkruan pranim-dorëzimi, por do të shohim nëse është falsifikim, këtë po e heton VOA dhe VBA”, tha Vuçiq dhe shtoi se dokumenti i publikuar nuk ka asnjë revers apo pranim- dorëzim. /Telegrafi/

Exit mobile version