Gënjeshtra e mashtrime – presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, fajësoi vendet perëndimore për zgjedhjet lokale në veri të Kosovës.
Në kritika iu bashkuan edhe kryeministrja Ana Brnabiq dhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.
Ata akuzuan Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës se, pavarësisht kundërshtimeve të komunitetit serb, i mbështetën zgjedhjet, sipas tyre, antidemokratike dhe jolegjitime.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale u mbajtën më 23 prill në katër komuna me shumicë serbe në veri të Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq.
Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, nuk mori pjesë në zgjedhje dhe u bëri thirrje serbëve që ta bojkotojnë procesin.
Arsyetimi ishte se nuk janë plotësuar kushtet e saj për kthimin në institucionet e Kosovës, nga të cilat u tërhoq në vjeshtën e vitit 2022: formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe tërheqja e njësive speciale të Kosovës nga komunat në veri.
Si rezultat i këtij bojkoti, pjesëmarrja në zgjedhje ishte nën 4%.
Perëndimi tha se zgjedhjet u mbajtën në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës dhe shprehu keqardhje që në to nuk morën pjesë të gjitha partitë dhe komunitetet.
Ndaj mesazheve të dërguara nga Beogradi, komuniteti ndërkombëtar kryesisht heshti.
Nga BE-ja thanë për REL-in se ata “nuk i komentojnë të gjitha vërejtjet e bëra nga zyrtarë të ndryshëm të vendeve të treta”.
“Të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, diskutohen në platformën e duhur, që është dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, me ndërmjetësimin e BE-së”, thuhet në deklaratë.
Ambasada e SHBA-së në Beograd nuk iu përgjigj kërkesës së REL-it për t’i komentuar kritikat e zyrtarëve serbë.
OSBE: Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës edhe një anëtar i Listës Serbe
Brnabiq dhe Petkoviq kritikuan Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) për “lejimin e mbajtjes së zgjedhjeve në kontejnerët e siguruar nga Policia e Kosovës”.
Në një deklaratë dhënë REL-it, OSBE-ja tha se “nuk i ka vëzhguar zgjedhjet në Kosovë dhe nuk ka asnjë rol në lehtësimin e zgjedhjeve në Kosovë që nga viti 2020”.
“Që nga nëntori i vitit 2020, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve zhvillon zgjedhje pa mbështetjen operative të Misionit të OSBE-së në Kosovë dhe ka treguar se ka aftësi teknike për ta bërë këtë”, tha OSBE-ja.
Edhe pse bëri thirrje për bojkotimin e zgjedhjeve, sipas informacioneve të OSBE-së, Lista Serbe mori pjesë në organizimin e tyre.
“Vendimet e KQZ-së lidhur me këto zgjedhje janë marrë me pjesëmarrjen e të gjithë përfaqësuesve të partive politike, përfshirë edhe anëtarin e propozuar nga Lista Serbe”, tha organizata.
Ajo, po ashtu, kujtoi se shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Michael Davenport, iu drejtua disa herë ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, si dhe drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.
“Në ato takime, as në asnjë më herët, Misionit nuk iu kërkua të merrte ndonjë rol në këto zgjedhje… Daçiq dhe Petkoviq shprehën mbështetje për aktivitetet e Misionit në ofrimin e ndihmës për komunitetin serb të Kosovës”, tha OSBE-ja.
Pse BE-ja dhe SHBA-ja nuk iu përgjigjën kritikave?
Politologu nga organizata joqeveritare “Rruga e re e tretë” në Beograd, Dimitrije Miliq, thotë për REL-in se zyrtarët perëndimorë “dinë sesi ta bëjnë dallimin midis asaj që është retorikë për elektoratin vendas dhe lëvizjeve konkrete që ndodhin në realitet”.
“Unë besoj se ato mesazhe që u dëgjuan nga Beogradi, kanë për qëllim – në radhë të parë – elektoratin vendas, i cili, sipas sondazheve, është gjithnjë e më shumë anti-perëndimor dhe i cili – nëse i shikoni rezultatet e hulumtimeve – i konsideron vendet perëndimore si hipokrite”, thotë Miliq.
Nën patronazhin e Bashkimit Evropian dhe me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje gojore për normalizimin e marrëdhënieve në muajin mars në Ohër.
Negociatat, të cilat duhet të rezultojnë me një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për të dyja palët, vazhdojnë që nga viti 2011.
Miliq beson se prioritet për vendet perëndimore është normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe se “disa hapa konkretë janë më të vlerësuar se disa mesazhe politike drejtuar elektoratit”.
“Në njërën anë, Serbia e zbaton politikën e saj të jashtme përmes asaj që është reale, e që është një lloj normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën, që po vazhdon gradualisht, ndërsa, në anën tjetër, retorika disi i kanalizon ata hapa përmes formave që janë më afër qytetarëve të rëndomtë”, thotë Miliq.
Ai konsideron se vendet perëndimore janë “të vetëdijshme se për të arritur përparim në marrëdhëniet me Kosovën, në Serbi duhet të ketë një qeveri që ka kapital të mjaftueshëm politik për ta shpenzuar në çështje jo shumë popullore”.
Çfarë ndjenjash kanë votuesit e Vuçiqit ndaj Perëndimit?
Miliq thotë se zgjidhja e mosmarrëveshjeve me Kosovën, me ndërmjetësimin e fuqive perëndimore, është e papëlqyeshme te shumica e publikut serb.
“Në thelb, retorika, duke përfshirë atë të presidentit, është kryesisht e lidhur me ndjenjat e elektoratit”, thotë ai.
Miliq thotë, po ashtu, se fraza dominuese në opinionin publik të shumicës në Serbi, është se Perëndimi është “hipokrit”.
“Përkufizimi i Perëndimit si hipokrit – edhe pa shembuj konkretë – është diçka që ka peshë tek elektorati vendas si diçka e vërtetë”, thotë Miliq.
Deri ku arritën negociatat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?
Rundi i ardhshëm i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të mbahet më 2 maj në Bruksel.
Temë e atij takimi, siç u paralajmërua, do të jetë formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Një nga pikat e marrëveshjes së arritur në Ohër është obligimi i Kosovës që të fillojë të sigurojë nivelin e duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme nga dialogu.
Edhe pse nuk përmendet në mënyrë eksplicite, kjo pjesë i referohet Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për të cilin u ra dakord dhjetë vjet më herët.
Beogradi këmbëngul në një Asociacion me kompetenca të gjera; Prishtina beson se një i tillë do të ishte i dëmshëm për funksionalitetin e shtetit.
Zyrtarët serbë e vendosën themelimin e Asociacionit si parakusht për përparimin e mëtutjeshëm të dialogut me Kosovën.
Marrëveshja e Ohrit nuk parashikon njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, por garanton të drejta të barabarta për të dyja vendet, respektim të integritetit territorial dhe paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe aranzhim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.
Marrëveshja e obligon, po ashtu, Serbinë që të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Në dokument nuk përmendet mundësia e njohjes reciproke apo e anëtarësimit të Kosovës në Kombet e Bashkuara – për të cilat gjëra politikanët kosovarë këmbëngulin publikisht. /REL/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëDërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Analistët komentojnë adresimin e presidentes Osmani në Kuvend
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje