LAJMI I FUNDIT:

Vrasja në Prizren, i vazhdohet edhe për dy muaj paraburgimi “Kobrës”

Vrasja në Prizren, i vazhdohet edhe për dy muaj paraburgimi “Kobrës”

Gjykata Themelore në Prishtinë më 25 gusht 2023, ia ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj Dibran Hoxhajt i njohur si “Kobra”, i dyshuar për vrasjen e të riut nga Kukësi, V.C., në Prizren.

Lajmi është bërë i ditur për “Betimi për Drejtësi” nga zyra e gjykatëses së procedurës paraprake Violeta Namani, ku konfirmohet se masa e paraburgimit, Hoxhajt iu vazhdua deri më 3 nëntor 2023.

Ndërkaq, lidhur me të dyshuarin Roland Susuri, Gjykata Supreme më 16 gusht 2023, ka aprovuar kërkesën e mbrojtjes për mbrojtje të ligjshmërisë, duke ia zëvendësuar kështu masën e paraburgimit me atë të lajmërimit në stacion policor.


Kurse, për të dyshuarit Arben Vezaj dhe Jesmir Badalli si masë të fundit Gjykata ua kishte caktuar masën e arrestit shtëpiak, por ndaj të njëjtëve Prokuroria nuk ka paraqitur kërkesë për vazhdim ose ndryshim të kësaj mase.

Gjithashtu, Gjykata edhe ndaj të dyshuarit Burim Mazreku si vendim të fundit kishte caktuar masën e paraqitjes në stacion policor dhe po ashtu për të njëjtin, Prokuroria nuk ka paraqitur kërkesë për vazhdim ose ndryshim të masës.

Kurse, ndaj të dyshuarit Enver Amrllahu, me vendimin e 19 prillit 2023 i ishte zëvendësuar masa e paraburgimit me atë të dorëzanisë, si dhe të dyshuarit Kujtim Gashi i ishte zëvendësuar masa e paraburgimit me atë të lajmërimit në stacion policor. Për Amrllahun dhe Gashin, po ashtu nuk është paraqitur kërkesë për ndonjë masë.

Vrasja në Prizren, “Kobrës” dhe një të dyshuari tjetër iu vazhdohet paraburgimi edhe për dy muaj
Lexo po ashtu Vrasja në Prizren, “Kobrës” dhe një të dyshuari tjetër iu vazhdohet paraburgimi edhe për dy muaj

Lidhur me këtë rast, prokurorja speciale e ngarkuar me këtë çështje penale, Merita Bina-Rugova tha për “Betimi për Drejtësi” se ende nuk është ngritur akuzë ndaj të dyshuarve për vrasjen e të riut nga Kukësi.

Sipas Prokurorisë, Dibran Hoxha po dyshohet për veprat penale “Vrasje e rëndë”, armëmbajtje pa leje dhe manipulimi me prova, ndërsa Arben Vezaj, Burim Mazreku, Jesmir Badalli, Kujtim Gashi dhe Enver Amrallahi, po dyshohen për veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje”.

Ndërsa, i dyshuari i shtatë Roland Susurit, dyshohet për veprat penale “Pjesëmarrja në rrahje” dhe “Manipulimi me prova”.

Në kërkesën e Prokurorisë thuhet se më 3 janar 2023, rreth orës 04:00, në afërsi të lokalit të tij “Kobra City”, që gjendet në rrugën magjistrale Prizren- Zhur, me armë zjarri, me dashje e privon nga jeta viktimën V.C, duke vë në rrezik jetën e të dëmtuarit R.Sh, të cilin e plagos dhe duke vë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarit A.B, që të tre shtetas të Republikës së Shqipërisë.

“Për shkak të një mosmarrëveshje paraprake që kishin pas rreth pagimit të faturës në lokal, fillon përleshja në mes punëtorëve në lokalin “Kobra City”, me të dëmtuarit ku pas kacafytjeve dhe rrëmujës së krijuar në lokal, të dëmtuarit dalin nga lokali dhe pasi hypin në veturën “Mercedes” FA 19-PFX, me targa angleze, për tu larguar në parkingun e lokalit, paraqitet i dyshuari Dibran Hoxha, i cili me armë zjarri shtënë në drejtim të veturës, me ç’rast e qëllon të dëmtuarin V.C, i cili kishte qenë i ulur në ulësen e pasme të veturës dhe R.Sh, i cili kishte qenë i ulur në ulësen e përparme, dhe si pasojë e këtyre të shtënave me armë zjarri V.C ndërron jetë rrugës për në Spitalin e Kukësit, derisa R.Sh nga plagët e marra nga Kukësi dërgohet në spitalin e Tiranës”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.

Me këtë, Hoxha dyshohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, par.1, nënpar, 1.5 të Kodit Penal.

Sidoqoftë, dy ditë pas vrasjes së V.C, më 5 janar 2023, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) kishte publikuar analizën me titull “Dështimi i shtetit ndaj “Kobrës”. Edhe në analizën e IKD-së, të publikuar në shkurt të vitit 2022, ishte theksuar se Dibran Hoxhaj ka 16 aktgjykime dënuese të formës së prerë. Ky recidivist në medie proklamohej se ka kryer 198 vepra penale, derisa bënte të ditur se e gjithë kjo e kaluar e tij kriminale filloi me rastin e hapjes së lokalit të lartcekur. Sipas IKD-së, në të gjitha këto raste, është paraparë mundësia e aplikimit të dënimeve më të ashpra ndaj tij, por se në asnjë prej tyre, i njëjti nuk është dënuar me burgim efektiv, as pasi i njëjti kishte përsëritur këto vepra penale dhe ishte recidivist. Për veprat penale për të cilat është dënuar Hoxhaj, dënueshmëria sipas ligjit ka shkuar deri në 10 vite burgim. “Betimi për Drejtësi” ia ka kushtuar edhe një emision Dibran Hoxhajt me titull ” Recidivisti i “amnistuar”. /BetimipërDrejtësi/

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.