Miratimi në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Automjete, finalizimi i manualit për mbajtjen e dasmave gjatë pandemisë COVID-19, fillimi i hartimit të pakos së re ekonomike dhe përfitimi i Kosovës nga gazi amerikan, ishin ngjarjet kryesore që e karakterizuan këtë javë në ekonomi.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës me 70 vota për gjatë ditës së enjte kanë votuar në parim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Automjete, që parasheh heqjen e homologimit.
Në hyrje të seancës, ushtruesja e detyrës së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila tha se që nga viti 2009 ka pasur padrejtësi dhe se ka qenë në kundërshtim me rregullat e tregut të lirë, shkruan Telegrafi.
“Në këtë legjislaturë kemi marr iniciativë për të korrigjuar një padrejtësi e cila në Kosovë vijon që nga viti 2009. Është vlerësuar që ky autorizim i ka siguruar ekskluzivitetin në kundërshti me rregullat e tregut të lirë. Ka pasur vërejtje dhe reagim nga Bashkimin Evropian dhe natyrisht shkelje të të drejtave të konsumatorëve për faktin se kanë qenë të udhëzuar të kryejnë shërbime vetëm te një operator”, është shprehur Kusari-Lila.
Me këtë vendim i është hapur rruga largimit të homologimit si detyrim për veturat që importohen nga vendet e Bashkimi Evropian, Zvicra dhe Norvegjia.
Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës, Hysen Sogojeva ka konfirmuar se është miratuar manuali që lejon mbajtjen e dasmave gjatë masave të pandemisë COVID-19.
Sipas tij, brenda sallave të dasmave nuk mund të qëndrojnë më shume 200 persona.
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka njoftuar se është në proces të hartimit të pakos së re të rimëkëmbjes ekonomike, për çka edhe ka ftuar bizneset për bashkëpunim të ngushtë.
“Ne si ministri me shumë vëmendje jemi duke i analizuar sektorët të cilët janë prekur nga pandemia COVID19, ashtu që përkrahja efektivisht të ndikojë në rritjen e bizneseve, e rrjedhimisht edhe në hapjen e vendeve të reja të punës, rritjen e eksportit e zhvillimin ekonomik”, ka njoftuar ministri Hekuran Murati.
Po ashtu, MFPT njofton se ka përfunduar procesi i shqyrtimit të aplikacioneve të tatimpaguesve për subvencionimin e pagave dhe qirasë si dhe është bërë ekzekutimi i mjeteve për tatimpaguesit të cilët kanë plotësuar kriteret e vendosura nga vendimi i Qeverisë së Kosovës.
Nga këto subvencione kanë përfituar 24,826 tatimpagues, ku 23,153 prej tyre kanë përfituar nga subvencionet për paga dhe 1,673 kanë përfituar nga subvencionet për qira.
Gjatë kësaj jave, Kosova është duke negociuar një marrëveshje ndërkombëtare në fushën e industrisë së energjetikës.
Komisioni Evropian ka nadarë 166.7 milionë euro për ndërtimin e terminalit LNG në Alexandroupolis të Greqisë, i cili është vendosur të përdorë gazin amerikan.
Sistemi i Pavarur i Gazit Natyror (INGS) ka planifikuar të zhvillojë një terminal LNG lundrues afërsisht 17.6 km në jug-perëndim të Alexandroupolis. Projekti është duke u zhvilluar nga Gastrade.
Projekti INGS pritet të përmirësojë sigurinë e energjisë rajoni dhe të promovojë zhvillimin e një qendre konkurruese rajonale të tregtimit të gazit.
Ndërsa, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka deklaruar të martën se Qeveria Kurti nuk do të largohet asnjëherë nga çështja e reciprocitetit tregtar me Serbinë, për shkak të parimit të barazisë për fqinjësi të mirë.
Këto komente Hajdari i kishte bërë në Komisionin parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti gjatë raportimit të planit për vitin 2021 të ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Para anëtarëve të komisionit, ajo tha se së pari duhet të ngritën kapacitetet infrastrukturore për zbatimin e reciprocitetit.
“Është mirë t’i ndajmë çështjet bilaterale me çështjet multilaterale. Unë asnjëherë nuk kam thënë që nuk do të zbatojmë reciprocitetin. Reciprociteti është parim bazë, i barazisë dhe fqinjësisë të mirë dhe është një për një, si e di unë, që do të thotë qasja e njëjtë nga shteti fqinj, do të jetë edhe qasja jonë, është parim i barazisë. Dhe, ne asnjëherë si qeverisje Kurti, nuk do të largohemi nga parimi i reciprocitetit. Sa i përket Serbisë, është çështje më e ndjeshme, është çështje politike dhe bashkë me kryeministrin do ta zgjidhim zbatimin e masave të reciprocitetit me qasje konstruktive nga qeverisja Kurti, ku së pari jemi për të ngritur kapacitetet infrastrukturore për zbatimin e reciprocitetit”, ishte shprehur Hajdari. /Telegrafi/