LAJMI I FUNDIT:

Vizita në Kosovë e të dërguarit britanik, donacioni i vaksinave antiCOVID nga SHBA-të dhe njohja e patentë-shoferëve nga Gjermania – top lajmet e javës

Vizita në Kosovë e të dërguarit britanik, donacioni i vaksinave antiCOVID nga SHBA-të dhe njohja e patentë-shoferëve nga Gjermania – top lajmet e javës

Javën që po lëmë pas Kosovën e ka vizituar i dërguari i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, i cili është takuar me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Pas përfundimit të vizitës, Peach përmes një video mesazhi ka treguar përshtypjet e tij për Kosovën.

Po javën që po lëmë pas Kosova pranoi nga SHBA-të një donacion të vaksinës Pfizer prej mbi 500 mijë doza.


Ndërkaq, të premten Gjermania njohu patentë shoferët e Kosovës, e që nga liderët e vendit u vlerësua si shenjë e marrëdhënieve të shkëlqyera ndërmjet dy shteteve dhe lajm i mirë për diasporën në Gjermani.

Vizita e të dërguarit britanik, Stuart Peach për Ballkanin Perëndimor në Kosovë

I dërguari i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach gjatë të enjtes ishte për vizitë në Kosovë, ndërsa u takua me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe përfaqësues tjerë.

Pas përfundimit të vizitës së tij ai ka publikuar një video me përshtypjet e tij se si ka ndryshuar Kosova që nga vizita e tij e parë në vitin 2000.

I dërguari i Mbretërisë së Bashkuar me video-mesazh: Mahnitëse të shohësh se sa shumë ka ndryshuar Kosova për të mirë
Lexo po ashtu I dërguari i Mbretërisë së Bashkuar me video-mesazh: Mahnitëse të shohësh se sa shumë ka ndryshuar Kosova për të mirë

Peach thekson se Kosova gjithmonë ka qenë një vend i veçantë për të dhe se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të jetë një partner i palëkundur për Kosovën.

Ai më tej thotë se ka ende shumë punë tu bërë, por Kosova duhet të jetë krenare për shumë gjëra.

Lexoni më poshtë deklaratën e tij:

Kosova ka qenë gjithmonë një vend i veçantë për mua që kur erdha për herë të parë këtu në vitin 2000.

Duke u kthyer në vitin 2022, është mahnitëse të shohësh se sa shumë ka ndryshuar Kosova për të mirë.

Roli im si i dërguar i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar është të mbështesë punën për të promovuar stabilitetin dhe prosperitetin në këtë rajon.

Disa nga prioritet e mia përfshijnë forcimin e institucioneve demokratike, luftimin e krimit të organizuar, duke inkurajuar zgjidhjen e çështjeve si krimet e luftës dhe çështjen e personave të pagjetur.

Unë gjithashtu po punoj me ndihmën e partnerëve tanë në dialogun Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Këto janë prioritet për Kosovën, e gjithashtu edhe për Mbretërinë e Bashkuar.

Mezi pres të punojmë me ju në këto çështje.

Gjatë vizitës sime pata mundësinë të diskutojmë për të ardhmen e Kosovës dhe rolin që mund të luajë  Mbretëria e Bashkuar me njerëzit në Qeveri, opozitën e më gjerë.

Ende ka gjëra që duhet të bëhen, por përshtypjet e mia janë se ka shumë gjëra për të qenë krenar.

Në një kohë të shkurtër Kosova është shndërruar në një demokraci që funksionin mirë, drejt integrimeve euro-atlantike dhe është duke marr hapa të rëndësishëm të ndalojë korrupsionin dhe të fuqizojë sundimin e ligjit.

Mbretëria e Bashkuar mbetet një partner i palëkundur i Kosovës dhe zotohet për të ndaluar kërcënimet për stabilitetin dhe sigurinë në rajon

Faleminderit për mikpritjen e ngrohtë dhe mezi pres të shihemi sërish në të ardhmen e afërt!.

Kosova pranon nga SHBA-të mbi 500 mijë vaksina Pfizer

Kosova ka pranuar të premten 515, 970 doza të vaksinës Pfizer të siguruar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në ceremoninë e pranimit të vaksinave, deklaroi se SHBA mbetet aleate e Kosovës, transmeton Telegrafi.

“Në muajin mars të 2021, kur pandemia përbente kërcënim serioz për të gjithë globin, i jam drejtuar presidentit Joe Biden, me kërkesë për të na ndihmuar me vaksina, në kohën kur kishim 0 vaksina, ishte situatë e ndjeshme. Ndërkohë që numrat rriteshin, angazhimi ynë por zemërgjerësia e miqve tanë bëri që të sigurojmë vaksina që të shpëtojmë jetë. Sikurse në vitin 1999 SHBA u dëshmua krahë nesh, atëherë na shpëtuan nga lufta, ndërsa tani nga të gjitha variantet e COVID-19. SHBA mbetet aleate e Kosovës”, pohoi ajo.

Donacioni i mbi 500 mijë vaksinave antiCOVID nga SHBA-të, deri tani numri i dozave të dhuruara tejkalon një milionëshin
Lexo po ashtu Donacioni i mbi 500 mijë vaksinave antiCOVID nga SHBA-të, deri tani numri i dozave të dhuruara tejkalon një milionëshin

Në ceremoninë e pranimit të këtyre vaksinave, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe iniciativën COVAX për kontributin e tyre si dhe të gjithë atyre që kanë dhuruar dhe po vazhdojnë të dhurojnë në këtë iniciativë.

“Pandemia COVID-19 është një krizë botërore, e cila mund të adresohet në mënyrë efikase vetëm përmes bashkëpunimit të ngushtë ndërkombëtar. Dhe nuk ka asnjë fushë ku ky bashkëpunim ndërkombëtar është më i rëndësishëm, më jetik, sesa në përpjekjet për të siguruar shpërndarjen sa më të gjerë, sa më të barabartë, të vaksinave në mbarë botën. Kosova ka qenë përfituese e madhe e këtyre përpjekjeve”, është shprehu Kurti në ceremoni.

E ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier u shpreh se kjo është hera e tretë që po dhurojnë vaksina.

Më tej shtoi se në luftën kundër pandemisë kanë ndihmuar edhe me 10 milionë dollarë.

“Ky është dorëzimi i tretë i donacionit të vaksinave kundër Covid-19. Kjo e çon numrin e përgjithshëm të vaksinave të dhuruara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për miqtë tanë në Kosovë në mbi 1 milion doza. Kjo i bën Shtetet e Bashkuara, donatorin më të madh bilateral në Kosovë të vaksinave kundër COVID-19 që nga fillimi i kësaj pandemie, dhe me këtë dorëzim shtesë tani, donacioni i Shteteve të Bashkuara është i mjaftueshëm për të vaksinuar 30% të gjithë popullsisë së Kosovës me të dyja dozat… Qeveria e Shteteve të Bashkuara gjithashtu ka dhuruar afro 10 milionë dollarë dhe ndihma të tjera për të mbështetur luftën e Kosovës kundër COVID-19. Përveç vaksinave, ne kemi kontribuar me pajisje mjekësore, asistencë teknike dhe mbështetje të tjera, duke përfshirë përpjekjet për të luftuar dezinformimin dhe për të rritur marrjen e vaksinave”, ka theksuar ai.

Shefja për Zhvillim të Agjencive të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Ulrika Richardson u zotua se mbështetja për Kosovën do të vazhdojë.

“Mbështetja jonë do të vazhdojë në të gjitha aspektet e ndryshme të luftës kundër COVID. Ne kemi pasur udhëheqje të mirë për sa i përket ekspertizës teknike nga OBSh dhe gjithashtu nga UNICEF-i që janë këtu me ne sot, dhe ne gjithashtu besojmë se Kosova ka përfituar nga solidariteti i madh, dhe kjo në fakt ka qenë çelësi për suksesin e Kosovës në luftimin apo suksesin në ndihmën për të luftuar COVID-in. Nuk kemi mbaruar ende, por bëjmë thirrje për rritje të solidaritetit sepse COVID në fakt mund të mbarojë. Ky vit mund të jetë fundi i COVID-it, por vetëm nëse përshpejtojmë solidaritetin”, ka përfunduar ajo.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi theksoi se mbi 57 për qind e qytetarëve në Kosovë janë të vaksinuar me të dy dozat.

“Për dhjetë muaj, prej fillimit të vaksinimit në Kosovë janë dhënë mbi 1,8 milionë vaksina. Rreth 63 për qind e popullatës tonë e moshës mbi 12-vjeçare kanë marrë nga një dozë të vaksinës kundër COVID-19. Dhe 57 për qind të dy dozat. Ky është një numër jashtëzakonisht i madh. Doza e tretë është shumë inkurajuese dhe duhet të shtohet edhe më shumë. E gjithë kjo punë e madhe është bërë falë përkrahjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, partnerëve evropianë, familjes së Kombeve të Bashkuara duke futur këtu UNICEF-in dhe OBSh-në e të tjerët”, ka thënë ai.

Në vitin 2021, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kishin dhënë Kosovës edhe një donacion prej 538,200 doza të vaksinave përmes iniciativës COVAX.

Njohja e patentë shoferëve të Kosovës dhe Shqipërisë nga Gjermania – detaje nga marrëveshja

Ambasada e Kosovës në Gjermani ka njoftuar se Bundesrati të premten votoi me shumicë votash pro nënshkrimit të marrëveshjes së njohjes së patentë shoferëve të Republikës së Kosovës.

Gjatë mbledhjes së fundit të Qeverisë së Kosovës, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla kishte deklaruar se Gjermania gjatë kësaj jave pritet të marr vendim për të njohur patentë shoferët nga Kosova.

“Dhuratë e veçantë nga Gjermania për Kosovën në prag të festimit të 14-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës, Kemi kënaqësinë t’ju njoftojmë se Bundesrati sapo votoi me shumicë votash pro nënshkrimit të marrëveshjes së njohjes së patentë shoferëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Rregullorja e re pritet të hyjë në fuqi pas publikimit në fletoren zyrtare të Gjermanisë (Bundesanzeiger), me shumë gjasa brenda dy javësh.

Parimi i vendbanimit të rregullt

Rregullorja mundëson njohjen e pothuajse të gjitha kategorive të patentave në Gjermani.

Por, rregullorja e re vlen vetëm për personat që kanë një vendbanim të rregullt në Gjermani dhe që e kanë bërë patentën përpara se të vinin këtu, i tha DW Matthias Borowski, zëdhënës i Ministrisë së Mobilitetit të Landit të Berlinit.

Kjo do të thotë, se kush ka ardhur pa patentë dhe e ka vendbanimin e rregullt në Gjermani, nuk mund të shkojë për pushime në Kosovë ose Shqipëri dhe të bëjë aty patentën.

Ky fenomen, që në Gjermani njihen nën termin “turizëm patentash” është i ndaluar. “Patentat e marra gjatë pushimeve nuk do të njihen në Gjermani”, i tha Borowski, Deutsche Welles.

Por çfarë do të thotë vendbanim i rregullt? Kjo përcaktohet nga koha e qëndrimit në në një vend brenda një viti, nga i ashtuquajturi “rregulli i 185 ditëve”: “Sipas rregullit të 185 ditëve, vendi i banimit të rregullt është vendi ku banon së paku 185 ditë në vit.”

Nëse një migrant rezident në Gjermani dëshiron të bëjë patentën në Shqipëri ose Kosovë ai duhet t’u dëshmojë organeve gjermane se ka banuar së paku 185 ditë në vendin ku ka bërë patentën. “Dhe e rëndësishme është, që patenta të bëhet në atë qytet, ku ke qenë i regjistruar”, sqaron Borowski.

Njohja e patentë shoferëve të Kosovës dhe Shqipërisë nga Gjermania – detaje nga marrëveshja
Lexo po ashtu Njohja e patentë shoferëve të Kosovës dhe Shqipërisë nga Gjermania – detaje nga marrëveshja

Dallime në datat e lëshimit

Rregullorja e re parasheh një dallim në njohjen e patentave, në varësi të datës së lëshimit të tyre. Patentat që janë lëshuar në Shqipëri pas datës 24 janar 2017 dhe në Kosovë pas datës 1 mars 2018 njihen menjëherë. Patentat e lëshuara para këtyre datave do të kontrollohen më parë nga Enti Federal i Transportit Motorik (Kraftfahr-Bundesamt).

“Këto data janë negociuar me autoritetet e Kosovës dhe Shqipërisë”, i tha DW një zëdhënëse e Ministrisë Federale të Komunikimeve Digjitale.

“Vetëm pas këtyre datave mund të sigurohet që lejet e drejtimit të automjeteve të lëshuara në Kosovë ose Shqipëri, janë bërë pasi më parë është bërë një kurs teorie dhe praktike”.

Për patentat e lëshuara më parë, autoriteti përkatës gjerman në Flensburg, do të sqarojë vërtetësinë e dokumentit, duke kontaktuar organet përkatëse në Kosovë dhe Shqipëri.

“Se sa kohë do të marrë kjo procedurë, kjo do të varet nga koha që do t’u nevojitet organeve në Shqipëri dhe Kosovë për të dhënë përgjigje”, i tha DW zëdhënësja.

“Dhurata më e bukur për ditëlindje”

Faruk Ajeti, ambasadori i Kosovës në Berlin, e cilësoi këtë lajmin më të mirë që Gjermania i dhuron Kosovës në prag të pavarësisë.

“Ky është një lajm i jashtëzakonshëm për Republikën e Kosovës dhe flet shumë për raportet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve tona. Kjo është një nga dhuratat më të mira që Gjermania mund t‘ia ofronte Kosovës në prag të festimit të ditëlindjes së 14-të Pavarësisë së Kosovës”, tha Ajeti.

Kosova e shtroi kërkesën për njohjen e patentave në gusht të vitit 2018. Ishte një nga veprimet e para të paraardhësit të Ajetit, ish-ambasadorit Beqë Cufaj, për të një nga sfidat personale, që kjo marrëveshje të arrihej së bashku me Shqipërinë. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Lajme
Qendrat e emigrantëve bosh prej javësh, policia italiane dhe punonjësit socialë largohen nga Shqipëria - The Guardian sjell detajet

Qendrat e emigrantëve bosh prej javësh, policia italiane dhe punonjësit socialë largohen nga Shqipëria - The Guardian sjell detajet

Lajme
Targat RKS, banorët e Leposaviqit përballen me vonesa për vazhdimin e regjistrimit të automjeteve

Targat RKS, banorët e Leposaviqit përballen me vonesa për vazhdimin e regjistrimit të automjeteve

Lajme
Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Lajme
Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”

Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”

Lajme
Ura që lidh Ulqinin me Velipojën do të ndërtohet edhe me qeverinë e re malazeze

Ura që lidh Ulqinin me Velipojën do të ndërtohet edhe me qeverinë e re malazeze

Lajme
Kalo në kategori