Live Dita e Çlirimit
Dita e Çlirimit – liderët institucional falënderojnë NATO-n që solli lirinë dhe sigurinë për popullin e Kosovës
Përditesuar 12/06/2024 09:09
Më 12 qershor të vitit 1999, pas 78 ditë bombardimesh nga Aleanca Veri-Atlantike ndaj caqeve ushtarake serbo-malazeze në Kosovë, në Serbi dhe në Mal të Zi, ushtarët e NATO-s hyn në Kosovë, duke i dhënë fund luftës dhe krimeve të Serbisë.
E në 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës dhe hyrjes së trupave të NATO-s janë organizuar një sërë aktivitetesh nga institucionet e shtetit, ndërsa vendin e kanë vizituar ish kryeministri britanik Tony Blair, ish-sekretari i NATO-s, George Robertson, e figura tjera të rëndësishme që ndihmuan Kosovën.
Në nderim të kësaj është mbajtur seancë solemne e Kuvendit të Kosovës.
Organizimi kryesor është mbajtur në ora 12:00, ku në nder të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës parakaluan njësi të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe të Policisë së Kosovës. /Telegrafi/
Mesiq në 25 vjetorin e çlirimit: BE-ja është shtëpia jonë e përbashkët, NATO ombrella e sigurisë
Ish-presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiq ka thënë se Bashkimi Evropian është shtëpia e përbashkët për vendet e rajonit dhe se NATO është ombrella e sigurisë.
Mesiq në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës për nder të 25 vjetorit të çlirimit nga forcat okupuese serbe, tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtar, veçmas NATO-s parandaloi një krim masiv në Kosovë.
Mesiq theksoi se arkitektura e kufijve në rajon ka përfunduar me shpalljen e pavarësisë së Kosovës.
Robertson: 78 ditët e bombardimeve arritën objektivin tonë, Kosova u çlirua
Kosova sot ka shënuar 25 vjetorin e çlirimit. Në këtë ditë historike, Lordi Geogre Robertson kujtoi angazhimin e tij së bashku me homologët e tij nga Gjermania, Franca, SHBA-ja për lirinë e Kosovës.
“Si ish-sekretar i Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, së bashku me homologët tjerë nga Gjermani, Franca, SHBA-së biseduam se çfarë po ndodhte në Kosovë. I konsultuam strukturat e Inteligjencës dhe raportimet e medieve dhe dëgjuam lutjet e njerëzve nga malet dhe ne dinim se vetëm ju e dini se çfarë ndodhte këtu në atë kohë.
E dinim se diçka duhej të ndodhte se diçka duhej të bëhej që gjithçka të ndalonte. E dinim se Kombet e Bashkuara ishin të paralizuara nga vetot e Rusisë dhe Kinës. E dinim se diçka duhej të veprua së bashku pavarësisht të rezolutës së Kombeve të Bashkuara, por ne e dinim gjithashtu se mosveprimi ynë do të lejonte që Milloshviqi të vazhdonte edhe më tej spastrimin etnik të shqiptarëve nga vendi i tyre”, tha Robertson.
Lajmin e plotë mund ta lexoni këtu.
Kurti: Liria e Kosovës erdhi përmes gjakut të dëshmorëve
Kryeministri Albin Kurti, në ceremoninë e parakalimit të ushtarëve të FSK-së dhe policisë së Kosovës për nder të 25-vjetorit të çlirimit të vendit tonë, tha se Ushtria e Kosovës e ka origjinën nga UÇK-ja e cila e kishte prijës komandantin legjendar, Adem Jashari.
“Jam shumë i gëzuar që të shoh përparimin e madh të FSK-së. Kjo është arritur falë më shumë se dyfishimit të buxhetit, rekrutimit të ushtarëve të rinj, trefishimit të investimit në armatim, me dronët Bajraktar. Ushtria e Kosovës e ka origjinën nga UÇK, ku prijës e kishte Adem Jasharin”, deklaroi ai.
Në ceremoninë shtetërore të shënimit të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës, Kurti shtoi se 1/3 e ushtarëve do të parakalojnë në sheshet e kryeqytetit.
“Do të doja që në këtë ditë kjo paradë e ushtarëve dhe policëve të na shërbente si nxitje për të përtërirë ndjesitë tona për liri. Liria e Kosovës erdhi përmes gjakut të dëshmorëve dhe martirëve, liria u arrit mes vuajtjesh të burgosurve politikë, në krye me Adem Demaçin”, shtoi ai.
Kurti gjithashtu shtoi se liria e Kosovës erdhi edhe nga ndihma e forcave e të NATO-s, për çka theksoi se Kosova çdo ditë është më afër anëtarësimit në këtë aleancë.
Parakalimi i FSK-së dhe Policisë së Kosovës, Osmani: Faleminderit të gjitha shteteve aleate, që na dolën në ndihmë
Para parakalimit të FSK-së dhe Policisë, e para e shtetit, Vjosa Osmani tha se në këtë ditë nderojnë trimërinë, sakrificën dhe shpirtin e palëkundur të popullit tonë, i cili luftoi trimërisht për lirinë që e gëzojmë sot.
“Lufta jonë nuk ishte vetëm e jona. Në Kosovë më 1999 u mbrojt e drejta e popujve për të qenë të lirë. Në këtë luftë, UÇK-ja ishte shtyllë e rezistencës dhe shpresës.
Gratë dhe burrat trima, morën armët për ta mbrojtur të drejtën tonë për të ekzistuar. Lufta e tyre nuk ishte vetëm për tokën, por për vetë shpirtin e Kosovës. Çdo betejë që ata bënë, çdo jetë që ata rrezikuan, na solli një hap më afër lirisë.
Guximi i UÇK-së është një histori heroizmi që do të tregohet brez pas brezi. Ata ishin mbrojtësit e ëndrrave tona, rojet e të ardhmes sonë”, tha ajo.
Sakrifica e tyre ishte e pafundme, shpirti i tyre ishte i pathyeshëm.
“Por, udhëtimi ynë drejt lirisë nuk ishte i vetëm. Ne u mbështetëm nga aleatë të palëkundur që e kuptuan rëndësinë e kauzës sonë dhe na qëndruan pranë në orët më të errëta të historisë sonë. Prandaj, faleminderit të gjitha shteteve aleate, të cilat na dolën në ndihmë më 1999 për të na mbrojtur nga shfarosja prej regjimit gjenocidal të Serbisë! Më 12 qershor 1999, luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ushtarët e NATO-s, frikën, tmerrin, dhimbjet dhe lotët i kthyen në shpresë, duke e bërë lirinë realitet. Sot, ne festojmë jo vetëm çlirimin tonë, por edhe lidhjet e miqësisë dhe solidaritetin që u krijua në luftën tonë”, tha ndër të tjera Osmani.
Krasniqi uron për Ditën e Çlirimit: Liria nuk mund të merret si e mirëqenë, atë duhet mbrojtur çdo ditë
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka uruar Ditën e Çlirimit të Kosovës, duke thënë këto 25 vjet na kanë mësuar se Liria nuk është kurrë e garantuar dhe nuk mund të merret si e mirëqenë dhe se atë duhet mbrojtur çdo ditë.
Krasniqi nga foltorja e Kuvendit të Kosovës ka falënderuar të gjithë burrat dhe gratë, që patën vullnetin, guximin e besimin për të luftuar për liri dhe për të ardhmen e ndritshme të popullit dhe vendit tonë.
“Një kategori të zgjedhur të popullit tonë, kjo ditë i ka gjetur me pushkë në dorë, nëpër frontet e luftës çlirimtare, të gatshëm të vdesin për liri, duke ndjekur shembullin e pishtarit më të ndritshëm të rrugëtimit tonë kombëtar, Komandantit Legjendar Adem Jashari”, tha kreu i PDK-së.
Krasniqi ka kujtuar kontributin e çlirimtarëve Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe shokëve të tyre në Hagë, të cilët kanë thuajse 4 dekada që luftojnë për Liri dhe për mbrojtjen e saj.
Nikolla: Lufta për çlirimin e Kosovës është fituar me ndihmën e aleatëve
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, ka thënë se lufta për çlirimin e Kosovës është fituar me ndihmën e aleatëve dhe partnerëve të kombit shqiptar.
Ajo në seancën e solemne të Kuvendit të Kosovës, për nder të 25 vjetorit të çlirimit nga forcat pushtuese serbe, tha se Kosova e zhvilluar, demokratike dhe paqësore do të vijojë të ndërtohet po me ndihmën e miqve dhe aleatëve.
Nikolla tha se Shqipëria mbështet fuqishëm zhvillimin, demokratizmin dhe shtimin e njohjeve të reja për Kosovën.
“Lufta për çlirimin e Kosovës u fitua me ndihëm e aleatëve, partnerë dhe miqve të çmuar të kombit shqiptar. Kosova e zhvilluar, demokratike dhe paqësore do të vijojë të ndërtohet po me ndihmën e miqve dhe aleatëve. Me mbështetjen e tyre e ardhmja euro-atlantike e Kosovës është e sigurt. Pa ndihmën e tyre asgjë nuk është e garantuar. Shqipëria e Kosova janë sot dy shtete të pavarura me aleatë të mëdhenj. ShBA-të, BE-ja, NATO-në dhe botën e qytetëruar që aspirojmë familjen evropiane. Shqipëria mbështet fuqimisht zhvillimin, demokratizmin dhe shtimin e njohjeve dhe fuqizimin e rolit ndërkombëtar të Kosovës. Çdo sukses i Kosovës është edhe i Shqipërisë. Çdo sukses i Shqipërisë është sukses edhe i Kosovës”, tha ajo.
Begaj: Serbia me aleatë janë mobilizuar ta njollosin luftën e shqiptarëve
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka paralajmëruar se Serbia dhe aleatët e saj kanë mobilizuar kapacitetet diplomatike e mediale për ta njollosur luftën e drejtë të shqiptarëve.
Në fjalimin e seancës solemne për 25-vjetorin e Ditës së Çlirimit, Begaj ka thënë se shqiptarët duhet të bëhen bashkë.
“Në një kohë kur Serbia dhe aleatët kanë mobilizuar kapacitetet diplomatike e mediale për të njollosur luftën e drejtë të shqiptarëve, kemi nevojë më shumë se kurrë të jemi bashkë, për një manifest krenarie kombëtare”, ka thënë Begaj.
Presidenti i Shqipërisë kujtoi ish-presidentin Ibrahim Rugova, ish-veprimtarin Adem Demaçi e ish-komandantin Adem Jashari si figurat e shquara për Pavarësinë e Kosovës.
“Sot nderojmë Ibrahim Rugovën, arkitektin e Pavarësisë së Kosovës. Sot nderojmë Adem Demaqin, sot përulemi përpara Jasharëve, familjes simbol për Kosovën e pavarur. Nderojmë kryetrimin Adem Jasharin, burra të tillë rëndë që lind historie. Sot është dita që kujtojmë të gjithë ushtarët e UÇK. Shqipëria hapi zemrën dhe dyert. Ndërhyrja e NATO-s ndaloi spastrimin etnik. Ata ishin hartuesit dhe zbatuesit të projektit të shtetformimit të Kosovës”, ka thënë tutje Begaj.
“Kosova është histori suksesi”, ShBA-të dhe Gjermania shprehen krenare me të arriturat e Kosovës 25 vjet pas çlirimit
Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier dhe ai gjerman Jorn Rohde kanë uruar qytetarët e Kosovës me rastin e Ditës së Çlirimit, derisa kanë theksuar se Kosova është histori suksesi.
Hovenier ka theksuar se ajo çfarë ka arritur Kosova në 25 vjet pas çlirimit të është e jashtëzakonshme, derisa ka thënë se është krenar për partneritetin mes ShBA-ve dhe Kosovës.
Hovenier ka garantuar se mbështetja e SHBA-së për Kosovën do të vazhdojë edhe për vitet në vijim.
E ambasadori gjerman, Rohde në “X” ka shkruar se Gjermania mbetet një ndër partneret më të afërta të Kosovës.
Lajmi i plotë KËTU.
Të pranishëm në seancë edhe miqtë e Kosovës, Konjufca: 12 qershori është dita e rikthimit të shpresës për qytetarët tanë
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, ku të pranishëm jam miq të Kosovës, ish-shefi i OSBE-së, Wiliam Walker, lordi George Robertson, ish lideri kroat, Stipe Mesiq e të tjerë tha se 12 qershori i vitit 1999 është dita e rikthimit të shpresës për popullin e Kosovës.
Konjufca para deputetëve të Kuvendit të Kosovës e të pranishmëve në seancë tha se gati pas një shekulli të sundimit serb, Kosova u çlirua.
“Të shumta janë padrejtësitë, diskriminimet, keqtrajtimet e krimet që u ushtruan mbi popullin shqiptarë nga regjimet okupuese të Serbisë”, tha ai, duke shtuar se regjimi serb kishte për synim shfarosjen e popullit shqiptarë.
Lajmin e plotë lexoni këtu:
Abdixhiku uron Ditën e Çlirimit: Kujtojmë sakrificën e atyre që kontribuan për liri e pavarësi
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka uruar qytetarët e vendit me rastin e 25 vjetorit të Çlirimit të Kosovës.
Në një deklaratë për media të LDK-së thuhet se më 12 qershor të vitit 1999 “përfundoi njëherë e përgjithmonë vuajtja shekullore shqiptare nga një regjim barbar serb që po vriste e po digjte në çdo cep të Kosovës”.
“Rrezet e lirisë po pushtonin horizontin e zymtë të qiellit të Kosovës, ato po largonin retë e zeza të mortjes, të djegieve të shtëpive e vuajtjeve të popullit tonë. Këto rreze lirie erdhën si rezultat i një rezistence paqësore të pathyeshme të udhëhequr nga Presidenti Historik, Dr. Ibrahim Rugova, dhe më pas edhe të armatosur të popullit të Kosovës, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që rezultojë edhe me intervenimin ushtarak të NATO-s mbi caqet serbe”, thuhet në komunikatën për media.
Duke kujtuar regjimi fashist serb që kishte vrarë e masakruar mijëra civilë të pambrojtur, Abdixhiku tha se krij regjimi i erdhi fundi pas 78 ditëve të bombardimeve të Aleancës së NATO-s.
Tutje, Abdixhiku tha se është falënderues dhe mirënjohës ndaj të gjithë aleatëve dhe miqëve ndërkombëtarë, si ShBA e BE që ndihmuan në çlirmin e vendit.
Kurti: Duam marrdhënie të mira fqinjësore, BE-ja është synimi ynë politik e NATO destinacioni ushtarak
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se dita e sotme është ditë e veçantë ku është e rëndësishme të përqendrohemi në të tashmen për të reflektuar mbi rrugën që kemi kaluar deri këtu.
Kurti shtoi se 12 qershori i vitit 1999 është fiksuar si dita e çlirimit të Kosovës sepse atë ditë dhjetëra e mijëra ushtarë të NATO-s kaluan kufirin dhe u futën si trupa këmbësorie në territorin e Kosovës.
“Kjo erdhi pas fushatës 78 ditore të bombardimeve të NATO-s mbi Serbi në përpjekje për ta ndaluar spastrimin etnik dhe gjenocidin që shteti serb po e kryente mbi shqiptarët në Kosovë”, tha Kurti.
Kryeministri shtoi se 25 vjet pas çlirimit, duam marrëdhënie të mirë me fqinjët, me njohje e pa sulme.
Lajmi i plotë KËTU.
25 vjet çlirim, Osmani: Anëtarësimi në NATO, synim i Kosovës për të ardhmen
residentja e Kosovës, Vjosa Osmani në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës për nder të 25 vjetorit të çlirimit, u shpreh kur forcat e NATO-s shkelën në tokën tonë, ata nuk ishin vetëm ushtarë ata ishin shpëtimtarë.
Osmani tha se ata sollën me vete premtimin e lirisë, sigurinë se bota nuk kishte harruar për popullin e Kosovës dhe vendosmërinë për ti dhënë fund mizorive të kryera kundër popullit tonë
“Hyrja e NATO-s në Kosovë ishte dëshmi e fuqisë së solidaritetit ndërkombëtar. Liria është më shumë sesa fjalë, është thelbi i qenies tonë, ajri që e thithim, ëndrra që guxuam ta ëndërrojmë dhe e ardhmja që aspiruam dhe për të cilën luftuan dhe dhanë jetën çlirimtarët tanë. Hyrja e NATO-s nuk ishte thjeshtë fitore ushtarake dhe kapitullim i Serbisë Millosheviqiane, ishte triumf i shpirtit njerëzor mbi tiraninë”, tha Osmani.
Ajo shtoi se NATO në vitin 99 na dha mbështetjen përfundimtare për lirinë tonë, “ndaj ne sot synojmë dhe e meritojmë anëtarësimin në këtë organizatë ushtarake”.
Lajmi i plotë KËTU.
Osmani: Kosova dhe Shqipëria bashkë në ditë të vështira e në ditë të mira
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka pritur në takim presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj. Pritja shtetërore është para presidencës, ndërsa, Osmani ka shkruar se Kosova dhe Shqipëria bashkë në ditë të vështira e në ditë të mira.
Osmani ka postuar edhe një video ku ka shkruar është përjetësisht mirënjohës për të gjithë vizionarët, dëshmorët, martirët dhe aleatët e lirisë sonë.
Ndërsa, Begaj në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, pritet t’i drejtohet deputetëve me një fjalim.
Ish-presidenti Clinton publikon videon pas sulmit 78 ditësh të NATO-s ndaj Serbisë: Sot falënderoj për 25 vjet paqe në Kosovë
Ish-presidenti amerikan, Bill Clinton, miku i madh i shqiptarëve ka kujtuar momentin kur bashkësia ndërkombëtare, me në krye SHBA-të i dha fund luftës në Kosovë dhe krimeve të Serbisë.
Clinton në një postim në platformën X, ka të bashkëngjitur videon që tregon momentet e asaj periudhe dhe periudhën kur për 78 ditë NATO bombardoi caqet ushtarake të Serbisë për t’i dhunë fund krimeve dhe spastrimit etnik në Kosovë.
E në 25-vjetorin e çlirimit, ish presidenti amerikan falënderon për tashmë 25 vjet paqe në Kosovë.
“Sot po falënderoj për 25 vjet paqe në Kosovë”, shkruan ai.
Today I am giving thanks for 25 years of peace in Kosovo. https://t.co/VwiBm31aaM
— Bill Clinton (@BillClinton) June 11, 2024
“Kjo ndryshoi jetën time”– ushtari i KFOR-it kujton momentin e hyrjes në Kosovë 25 vite më parë
Kosova sot shënon Ditën e Çlirimit, një ditë e cila përkujton fundin e një periudhe të errët dhe fillimin e një epoke të re.
Kjo ditë shënon hyrjen e trupave të NATO-s në Kosovë në vitin 1999, pas një fushate ajrore 78-ditëshe që çoi në tërheqjen e forcave serbe dhe përfundimin e spastrimit etnik dhe konfliktit të përgjakshëm.
E këtë ditë e ka kujtuar edhe njëri prej ushtarëve të KFOR-it që kishte shërbyer atë kohë në Kosovë, Kenneth Andresen.
Andresen në një postim në “X” ka kujtuar pritjen që i ishte bërë KFOR-it më 12 qershor 1999 nga mijëra njerëz përgjatë rrugëve.
Ai shtoi se ky moment i ka ndryshuar jetën .
“Sot, 25 vjet më parë: Më 12 qershor 1999, KFOR-i mbërriti në Kosovë dhe u prit nga mijëra njerëz përgjatë rrugëve. Unë shërbeva si oficer shtypi me KFOR-in nga korriku 1999 deri në janar 2000. Kjo ndryshoi jetën time. Jam mirënjohës për të gjithë miqtë dhe kolegët në/nga Kosova!”, ka shkruar Andresen. /Telegrafi/
25 years ago, today:
On June 12, 1999, KFOR arrived in Kosovo, and was greeted by thousands of people along the roads.I served as press officer with KFOR from July 1999 to January 2000. This changed my life. Grateful for all the friends and colleagues in/from Kosovo! pic.twitter.com/74skI092fL
— Kenneth Andresen (@kennethandresen) June 12, 2024
Vizita e Ramës në Kosovë dhe nderimi me çelësin e Prishtinës, ambasadori Malaj: Përforcim i lidhjeve tona të veçanta
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj ka shkruar lidhur me vizitën e kryeministrit Edi Rama në Kosovë, në 25-vjetorin e çlirimit.
Malaj në një postim në Facebook ka potencuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe solidaritetit në rrugën drejt një të ardhmeje më të ndritur për të gjithë qytetarët.
“Kryeministri Edi Rama u prit nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani si dhe u nderua me çelësin e qytetit të Prishtinës nga Kryetari i Komunës, Përparim Rama. Ky akt simbolik përforcon më tej lidhjen e veçantë dhe të pandashme mes nesh, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe solidaritetit në rrugën drejt një të ardhmeje më të ndritur për të gjithë qytetarët tanë. Faleminderit të gjithëve për mikpritjen e ngrohtë dhe përkushtimin në avancimin e interesave tona të përbashkëta. Urime për këtë 25 vjetor të rëndësishëm Kosovë”, shkruan Malaj.
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Gjermania dhe Finlanda në alarm pasi një kabllo nënujore që lidhte dy vendet ka pasur “një ndërprerje”
Pesë fjalët e Zelenskyt për t'i shkaktuar frikë Putinit - përpara sulmeve me raketa amerikane thellë në Rusi
Arratisje spektakolare e policit në Gjirokastër, kur mori vesh se do të arrestohej
"Jemi të lumtur dhe tani presim kundërshtarin e play-offit" - Muriqi flet pas fitores
Rohde: Gjermania kufizon aktivitetet politike për zgjedhjet e Kosovës në territorin e saj
Kammer: Me këtë rritje Kosovës i duhen 20 vjet për të arritur te gjysma e standardit evropian