Më 23 dhe 24 nëntor, dy faqe në Facebook publikuan video ku shfaqej një person me mikrofon që pyeste qytetarët mërgimtarë nëse do të vijnë dhe të votojnë më 28 dhjetor në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë.

Në videot, disa qytetarë dukeshin duke deklaruar se do të votojnë për Albin Kurtin.


Megjithatë, pas verifikimit nga hibrid.info, është konfirmuar se këto video janë gjeneruar me inteligjencë artificiale dhe nuk pasqyrojnë situatën reale.

Çka thuhet në video?

Në videot e publikuara nga “Peja LIVE” dhe “Revista Ora”, shfaqet një moderator që pyet dy qytetarë, duke pretenduar se ata ndodhen në Aeroportin e Prishtinës, me pyetjen: “A do të vini të votoni në Kosovë më 28 dhjetor?”

videon e publikuar nga “Peja LIVE”, një nga të intervistuarit deklaron: “Po patjetër që do të vij, do ta votoj më të mirin që ka punuar në këtë vend. Ky vend nuk do të ishte zhvilluar pa të, Albin Kurtin, i vetmi që e meriton votën e diasporës”.

Deri në momentin e shkrimit të këtij artikulli, kjo video ka arritur 3.7 mijë shikime, 486 komente dhe 267 shpërndarje.

Ndërsa në videon e publikuar nga “Revista Ora”, e intervistuara deklaron: “Po, normal që do të vijmë me gjithë familjen për të votuar për Albin Babën, për më të mirin. Ai është një njeri i mençur që duhet të jetë kryeministër i Kosovës. Inshallah të marrë 600 mijë vota dhe të fillojmë vitin 2026 mirë”.

Deri në momentin e shkrimit dhe publikimit të këtij artikulli, kjo video ka arritur 6,900 shikime, 1,600 komente dhe 347 shpërndarje.

Pas analizimit të videos me platforma të specializuara për verifikimin e përmbajtjeve të gjeneruara me inteligjencë artificiale, rezultoi se videoja e publikuar nga “Peja LIVE” ka marrë një vlerësim prej 99.9% nga Hive Moderation dhe deepware.ai, që tregon se përmbajtja e saj është gjeneruar nga IA ose deepfake.

Edhe videoja e publikuar nga “Revista Ora” rezulton të jetë gjeneruar me inteligjencë artificiale, bazuar në analizën e platformës Hive Moderation, ku ka marrë një vlerësim prej 95%.