Në tërësi situata është paraqitur e qetë dhe e rregullt, por nuk kanë munguar incidentet - edhe pse të izoluara. Konkretisht vëzhguesit e Koalicionit për Zgjedhje të Lira, të Ndershme e Demokraci folën për një sërë incidentesh të natyrave të ndryshme.

Mirela Bogdani, eksperte ligjore e KZLNDQ-së, tha se ka pasur ndërprerje votimi në katër raste në qytetet Tiranë, Shkodër dhe Fier. Po ashtu në Tiranë dhe në Korçë në pesë raste nuk u garantua fshehtësia e votimit; tre raste të votimit familjar u raportuan në Dibër dhe Shkodër; pesë raste të asistencës së papërshtatshme të votuesve u panë në Tiranë dhe në Vlorë; dy raste të personave të paautorizuar dhe 12 raste të zhvillimit të fushatës para Qendrave të Votimit.


Sipas të dhënave të KZLNDQ, pjesëmarrja mesatare në nivel kombëtar deri në orën 14.00 ishte 31.6 për qind me margjina gabimi prej +/-0.8 për qind.

KZLNDQ ka shpërndarë 1000 vëzhgues të palëvizshëm e të paanshëm sipas një kampion i të rastësishëm dhe përfaqësues në të gjithë Shqipërinë, si dhe në bashkitë e Tiranës, Shkodrës, Durrësit dhe Himarës.