LAJMI I FUNDIT:

Vështirësitë e mësimit online te fëmijët e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian

Vështirësitë e mësimit online te fëmijët e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian
Foto: Ilustrim

Fëmijët e minoriteteve kanë hasur në vështirësi në mësimin online gjatë kohës së pandemisë në Kosovë. Kushtet e dobëta ekonomike kanë qenë shkak që këta nxënës të mos ndjekin mësimin në distancë.

Nga shënimi i rasteve të para me COVID-19 në Kosovë, Qeveria e Kosovës ndërmori masa mbrojtëse, duke përfshirë pezullimin e procesit mësimor në nivel vendi. Mësimi ishte vendosur që të vazhdohet online për të gjitha nivelet shkollore deri në një kohë të pacaktuar.

Ndjekja e mësimit në distancë gjatë këtyre muajve ka pasur shumë sfida. Në kuadër të shqetësimeve të shumta ishin kushtet e papërshtatshme në të cilat jetonin familjet e nxënësve, mungesa e pajisjeve teknologjike dhe internetit.


Sipas statistikave të OJQ “Nevo Koncepti” në Komunën e Prizrenit rreth 170 fëmijë të komunitetit RAE nuk patën mundësi qasje në mësimin online.

Osman Osmani, drejtor ekzekutiv i kësaj organizate tregon se shumica e këtyre fëmijëve deri në fund të vitit shkollor 2019/2020 kanë mbetur jashtë sistemit.

“Shumica e këtyre fëmijëve deri në fund të vitit shkollor 2019/2020 kanë mbetur jashtë sistemit. Edhe pse janë bërë disa takime me DKA-në që të gjendet mundësia të ndihmohen për qasjen në arsim, vetëm disa nga fëmijët e komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptian janë pajisur me tabletë”, tha Osmani për Telegrafi.com

Burhan Gashi nga organizata joqeveritare “Roma Versitas Kosovo” tregon se njëra ndër problemet ka qenë edhe mungesa e energjisë elektrike, që ka ardhur për shkak të mos pagesës.

“Për shkak se nxënësit e komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian nuk trajtohen mirë dhe barabartë në shkolla si para pandemisë e njëjta formë e trajtimit është bërë edhe gjatë kohës së pandemisë, gjithsesi përgjithësisht mund të themi që mësimi online nuk ka qenë efektiv.”

Burhan Gashi, koordinator i programit TER KOS 03 në “Roma Versitas Kosovo”

Roma Versitas Kosovo së bashku me donatorët e saj ka bërë shpërndarjen e pajisjeve teknologjike tek studentët (18 llaptop) si dhe nxënësit këtij komuniteti në shkollat e mesme.

Osmani tregon se në arsimimin e fëmijëve të komuniteteve vërehen ndryshime gjatë viteve dhe kjo është arritur falë angazhimeve të komunitetit.

“Gjatë viteve të fundit, falë angazhimit të vetë komunitetit, shoqërisë civile dhe angazhimin e saj në terren si dhe të organizatave ndërkombëtare, numri i fëmijëve dhe të rinjve në sferën e arsimit është përmirësuar”, tha ai.

Sipas shënimeve të organizatës joqeveritare “Nevo Koncepti” në komunën e Prizrenit përgjatë vitit 2003 dhe vitit 2019 vijueshmëria e shkollimit tek ky komunitet në Komunën e Prizrenit është me ndryshime pozitive.

Ai tregon se 50 qytetarë janë të diplomuar në këtë komunë dhe 70 të tjerë ndjekin studimet, por që sipas tij në këtë drejtim ende ka shumë punë për t’u bërë.

“Në vitin 2003 nuk ka pasur fëmijë  Rom, Ashkali dhe Egjiptian në edukim parashkollor, ndërsa në vitin 2019 përfshirja e tyre është mbi 60%. Në komunën e Prizrenit gjatë vitit 2019 në nivelin fillor të arsimit janë të kyçur mbi 90% të fëmijëve”, shtoi Osmani.

Ndërsa, Gashi tregon se numri i studenteve femra është rritur dukshëm.

“Tani ka filluar të rritet numri i studentëve, sidomos i studenteve femra, në fillim RVK ka pasur një numër më të vogël të studenteve të regjistruar por tani numri i regjistruar i studenteve të programit RVK ka arritur në 500”, tha Gashi.

Sipas, monitorimit të OSBE “Pasqyra e Komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptian në Kosovë, tregon se shkalla e analfabetizmit të komunitetet është ende i dukshëm Por, krahasuar me vitet e kaluara, numri i personave nga radhët e komunitetit RAE që vijojnë shkollimin ka shkuar afërsisht 7 mijë.

“Në vitin shkollor 2018/2019, 1.509 romë të Kosovës (810 djem, 699 vajza), 3,439 ashkali të Kosovës (1.750 djem, 1.689 vajza) dhe 847 egjiptianë të Kosovës (444 djem, 403 vajza) vijonin shkollimin fillor dhe të mesëm të ulët me kurrikulë të Kosovës. Numri i nxënësve nga tri komunitetet që vijojnë shkollimin e mesëm tregon një trend pozitiv – në vitin shkollor 2018/2019, 161 romë të Kosovës (98 djem dhe 63 vajza), 262 ashkali të Kosovës (151 djem dhe 111 vajza) dhe 160 egjiptianë të Kosovës (93 djem dhe 67 vajza) vijonin shkollat e mesme me kurrikul të Kosovës” thuhet në këtë raport të OSBE. /Blendina Veliqi/

Ky publikim është prodhuar si pjesë e projektit “Mbështetja e mediave dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, përkrahur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ. Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi e Debate Center dhe Telegrafi.com dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i BE ose K2.0, CEL apo QKSGJ./Telegrafi/