Ministri Hoxhaj në një intervistë për Express duke folur rreth njohjeve, përkatësisht rreth njohjes vetëm të Andorrës sa Hoxhaj është në krye të këtij dikasteri, tha se është pak.

“...Por qëllimi ynë kryesor është që ta anëtarësojmë Kosovën në OKB, dhe ne mund ta bëjmë një gjë të tillë kur ne marrim sa më shumë njohje nga sa më shumë shtete që janë anëtare të OKB-së. Prandaj, edhe njëri prej prioriteteve tona është që me çdo kusht ta rrisim numrin e shteteve që e kanë njohur Kosovën”, tha ministri.


Duke folur rreth zëvendëskryeministrit Pacolli, ministri i Jashtëm, Hoxhaj tha se puna që është duke e bërë Pacolli është punë e rëndësishme dhe është zhvillim i rëndësishëm.

“Por përveç z.Pacollit edhe meje, ne kemi edhe miq të tjerë, të cilët udhëtojnë në emër të Kosovës, të cilët avokojnë për Kosovën dhe të cilët janë personalitete shumë të fuqishme, të cilët ndihmojnë që Republika e Kosovës të njihet...”, tha Hoxhaj.

Ndërkaq, duke folur rreth kritikave të ish ministrit Skender Hyseni se diplomacia e Kosovës nuk ka adresë të qartë, Hoxhaj tha “mendoj se diplomacia e Kosovës në bazë të Kushtetutës në fuqi dhe në bazë të ligjeve në fuqi, ka një përshkrim shumë të qartë të punës, meqë dihet cili është roli i Presidencës, Qeverisë dhe MPJ-së...” /Telegrafi/