LAJMI I FUNDIT:

Veprimet mjekësore në vendin e fatkeqësisë së komunikacionit dhe thirrja e shërbimit urgjent mjekësor paraspitalor

Veprimet mjekësore në vendin e fatkeqësisë së komunikacionit dhe thirrja e shërbimit urgjent mjekësor paraspitalor

Përmasat dhe serioziteti i fatkeqësisë në trafik janë të ndryshme, nga rënia prej biçikletës deri te goditjet multiple të një numri më të madh të automjeteve me shumtë të lënduar, me shpërthim të zjarrit, deformime të automjetit, rënie nga lartësia, rënie e automjetit në ujë

Prof.ass.dr. Isuf Bajrami
Spec.i mjek.urgjente
Qendra e Mjekësisë Urgjente-Prishtinë

Vendi i fatkeqësisë së trafikut shpesh paraqet rrezik për sigurinë e shpëtimtarëve dhe të lënduarit, por edhe për pjesëmarrësit tjerë në komunikacion.


Është shumë me rëndësi të siguroni vendin e fatkeqësisë dhe të paralajmëroni pjesëmarrësit tjerë në komunikacion para se të ju qaseni të lënduarve.

Me këtë do të mënjanoni rrezikun, jo vetëm për vete, kur gjendeni në vendin e aksidentit, por edhe për automjetet që lëvizin kah vendi i aksidentit.

Pas kësaj vlerësoni situatën dhe caktoni prioritetet e veprimeve. Së pari ofroni ndihmën e shpejtë të lënduarve të cilëve ju është rrezikuar jeta, pastaj të tjerëve.

Shënimi i vendit të aksidentit

Së pari mbroni veten dhe mos tentoni të bëni asgjë që do të ju sillte në rrezik.

▪ Parkoni automjetin tuaj në vend të sigurt, mjaft larg nga vendi i fatkeqësisë dhe kyçni dritat.
▪ Me fara duhet të ndriçoni vendin e fatkeqësisë gjatë natës;
▪ Mos vraponi përmes autostradës sidomos nëse zhvillohet komunikacion me shpejtësi;
▪ Natën duhet të bartni diçka që reflekton dritën, me qëllim që t’ju identifikojnë, derisa i qaseni vendit të aksidentit (jeleku fluorescent i cili është i detyrueshëm për çdo automjet). Shfrytëzoni ndonjë burim drite (bateri llambën, shkrepësen);
▪ Dërgoni ndokënd prej kalimtarëve, ose nëse jeni vetëm, ndërmerrni masat paralajmëruese për pjesëmarrësit tjerë në komunikacion për aksidentin, me vendosjen e trekëndëshit të sigurisë përpara ose pas vendit të aksidentit në largësi sipas rregullave.
▪ Shkyçni kontaktin e çelësit dhe ndërpritni punën e motorit të automjetit dhe merrni çelësin me vete.
▪ Nëse keni mundësi ndërpritni rrjedhjen e derivateve në motoçikletë.
▪ Siguroni moslëvizjen e veturës (me tërheqjen e frenit të dorës ose me vendosjen e ndonjë mjeti nën rrota).
▪ Mos tentoni të ktheni rrotat e veturës së rrotulluar poshtë në tokë, por tentoni të ndaloni rrotullimin e mëtejmë duke vendosur ndonjë pengesë.
▪ Në rast se vetura është në flakë, mos ju ofroni, pasi që ekziston rreziku nga eksplodimi (përdorni aparatin për shuarjen e zjarrit).
▪ Mos lejoni që askush të ndez cigare në vendin e fatkeqësisë.
▪ Kontrolloni se a ka rrezik nga rënia e shtyllave të elektricitetit, derdhja e derivateve ose rrjedhja e materieve toksike.
▪ Nëse konstatoni menjëherë, lajmëroni shërbimet e shpëtimit dhe mos ju ofroni vendit të fatkeqësisë.

Qasja ndaj të aksidentuarit dhe evakuimi nga automjeti

Pas sigurimit të vendndodhjes së aksidentit i qaseni automjetit dhe shpejtë vlerësoni gjendjen e të aksidentuarit.

Nëse vetura është në rrota mundeni lehtë t’i qaseni me hapjen e derës së automjetit, megjithëse ajo nganjëherë bllokohet, për shkak të natyrës së aksidentit.

Nëse automjeti me rastin e aksidentit kthehet në krah ose përmbyset (në tokë prek me kulm), qasja në derë vështirësohet dhe atëherë mund t’i qaseni automjetit nga xhami i përparmë pasi që e keni thye.

Në rast se automjeti është përmbytur në ujë, atëherë situata është edhe më delikate, pasi që nga presioni i madh i ujit, dyert e automjetit nuk mund të hapen derisa shtypja jashtë automjetit nuk barazohet me shtypjen e automjetit. Kjo mund të arrihet me thyerjen e xhamit anësor nga maja e ulëses ose me lëshimin e pjesërishëm të xhamit anësor nga brenda.

Të lënduarin mund ta gjeni të lidhur në makinë ose nën automjet. Në këto raste menjëherë thirrni ekipet shpëtuese.

Përveç këtyre situatave, të aksidentuarin mund ta gjeni përtej automjetit, nëse ka dalë nga vetura, ose kur është në pyetje këmbësori i hedhur.

Gjithashtu për shkak të gjendjes konfuze, i aksidentuari mund të humb orientimin dhe largohet prej vendit të fatkeqësisë, prandaj, të lënduarin duhet kërkuar. Pas qasjes, lironi rripin e sigurisë dhe bëni ekzaminimin primar.

Nëse viktimës i rrezikohet jeta, atëherë zbatoni menjëherë masat jetëshpëtuese. Së pari trajtoni viktimat me lëndime të rënda multiple e pastaj ata me lëndime më të lehta.

Të keni çdo herë parasysh se në aksidentet e trafikut mund të vjen deri te lëndimi i qafës ose palcës kurrizore për shkak të mekanizmit të forcës, i cili vepron (ndalja e vrullshme e automjetit, ose lëvizja e vrullshme e veturës përpara pas goditjes nga prapa).

Kurdoherë që lejojnë kushtet, përkujdesuni për viktimën aty ku e gjeni, dmth në automobil ose në rrethin më të afërt.

Nëse kërkohet megjithatë që viktimën të evakuoni nga automjeti, shërbehuni me veprime të caktuara, duke pasur kujdes ndaj pjesës së lënduar të trupit.

Kërko nga dëshmitarët që t’ju ndihmojnë dhe sqaroni si ta mbajnë pjesën e lënduar të trupit.

Thirrja telefonike për ndihmë

Varësisht nga lloji i fatkeqësisë, duhet thirrur shërbimet e ndryshme (Policinë, Shërbimin e urgjencës mjekësore dhe Njësitë e zjarrfikësve dhe shpëtimit).

Tani në Kosovë nuk kemi numër unik telefonik në rast të çfarëdo fatkeqësie masovike.
Rëndom të gjitha thirrjet drejtohen në numrat:

194 – Shërbimi i urgjencës mjekësore
192 – Policia
193 – Njësia e zjarrfikësve dhe shpëtimit
112 – Agjencia e menaxhimit të emergjencave

Në shtetet e Bashkimit Evropian (UE) është vendosur numri unik telefonik 112 për lajmërimin e çdolloj fatkeqësie prej nga drejtohen lajmërimet në të gjitha shërbimet e specializuar dhe serviset. Kur ndodhin në territorin e shteteve të BE-së, të gjithë qytetarët nga çdo telefon mobil mund të thirrin pa pagesë këtë numër në rast të fatkeqësisë.

Gjithashtu në autostrada në largësi prej pesë kilometrave mund të gjinden telefonat për rastet urgjente të cilët përdoren me lehtësi dhe përgjegjësi. Me ngritjen e dëgjueses automatikisht fitohet lidhja me shërbimet e shpëtimit.

Nëse ju shkoni të telefononi, së pari ofroni masat e ndihmës së pashtyeshme të lënduarit e pastaj kërkoni telefonin.

Nëse e dërgoni ndokënd në vend tuajin që me telefon të kërkoj ndihmë, theksoni se është me rëndësi që ai të kthehet dhe të vërtetoj se a ka thirrur ndihmën.

Shërbimi i urgjencës mjekësore gjatë intervenimit në teren, zbaton evakuimin dhe transportin e të aksidentuarit

Çka duhet të informoni shërbimin e ndihmës së shpejtë?

Duhet të prezantoheni me emër dhe mbiemër dhe të tregoni se jeni personi i cili viktimës i keni dhënë ndihmën e parë.

Janë të rëndësishme këto informata:

1. numri juaj telefonik;
2. lokacion i saktë i ngjarjes (shenja dhe numri i rrugës, udhëkryqi më i afërt, shenjat tjera të rëndësishme në rrugë, nëse jeni larg vendbanimit);
3. tipi dhe përmasat e fatkeqësisë (psh. numri i automjeteve të përfshira në fatkeqësi dhe pozita e tyre, numri i të lënduarve dhe lokacioni i tyre, situata në aksin rrugor);
4. numri, mosha, gjinia e të lënduarve dhe ajo që dini për gjendjen e tyre dhe llojet e lëndimeve;
5. detalet për cilindo risk siç janë: rrjedhja e gazrave toksike, lëngjet toksike, derivatet nga automjeti, dëmtimi i linjës përçuese elektrike, situatës në rrugë (akull), situata meteorologjike (mjegull, dëborë) etj.

/Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Plaga e hapur në lukth: Të gjitha simptomat e të thatit dhe si t’i zbusim vështirësitë e pakëndshme!

Plaga e hapur në lukth: Të gjitha simptomat e të thatit dhe si t’i zbusim vështirësitë e pakëndshme!

Shëndetësi
Kalo në kategori