Ka dështuar përsëri konstituimi i Kuvendit të Kosovës edhe në tentimin e 14-të.

Sikurse në pesë seancat e fundit, edhe në këtë Lëvizja Vetëvendosje ka tentuar që të ndërrojë formën e votimit për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, nga e hapur në të fshehtë, por në mungesë të votave nuk ka arritur të formohet komisioni që duhet të mbikëqyrte këtë proces.


Për kanë votuar 54 deputetë, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Seanca e radhës është caktuar për të martën në orën 10:00.

Këtu e mbyllim raportimin për zhvillimet e sotme. Faleminderit që na lexoni! /Telegrafi/

11/05/2025 11:21-AAK akuzon LVV për bllokadën e Kuvendit: S’jemi të obliguar t’ia sigurojmë votat

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për bllokimin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, duke e cilësuar këtë situatë si një “absurditet”. “Bllokuese e konstitutimit të Kuvendit të Kosovës është Lëvizja Vetëvendosje, është absurditet i kohës kur barazohet zgjedhja e kryetarit me zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit”, tha ajo. Ajo ka shtuar se partitë opozitare nuk kanë asnjë detyrim për të siguruar votat për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. “Nuk e kemi obligim, ne opozita, që t’i sigurojmë vota Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidates së Lëvizjes Vetëvendosje”, u shpreh Kadrijaj para mediave. Lajmi i plotë KËTU. 

11/05/2025 11:03-Kusari-Lila: Bllokimi i konstituimit të Kuvendit është paradoksal

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga grupi parlamentar i LVV-së, Albulena Haxhiu, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se është paradoksal bllokimi i konstituimit të Kuvendit. Ajo ka kritikuar edhe iniciativën e ndërmarrë nga deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami për mbledhjen e nënshkrimeve për të dërguar në Gjykatën Kushtetuese vendimet e ZRRE-së për shtrenjtimin e energjisë elektrike. Kusari-Lila tha se opozita është duke bërë propagandë, pasi sipas këto veprime nuk kanë as një efekt. Lajmi i plotë KËTU.

11/05/2025 10:52-Krasniqi: Për Kurtin, Albulena Haxhiu më e rëndësishme se qytetarët

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka folur për gazetarët pas dështimit të 14-të të konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Krasniqi ka thënë se për Albin Kurtin vazhdon të mbetet më e rëndësishme Albulena Haxhiu dhe se po vazhdon të mbajë peng Kuvendin e Kosovës. “Duket se për Kurtin, Albulena Haxhiu ka më tepër rëndësi se rreth 1 milion qytetarë”, tha Krasniqi. Ai e ka quajtur “fatkeqësi institucionale” situatën aktuale. Sa i përket për një takimi të partive me presidenten Vjosa Osmani, ai ka thënë se PDK-ja është e gatshme të marrë pjesë.

11/05/2025 10:44-Haxhiu: Opozita po vazhdon të bllokojë konstituimin e Kuvendit

Deputetja e LVV-së, njëherit kandidate për kryeparlamentare Albulena Haxhiu, ka theksuar se ka një tendencë të vazhdueshme për të bllokuar konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke përmendur që kjo ka ndodhur për shkak të qëndrimeve të opozitës. “Ka një tendencë të vazhdueshme për të bllokuar konstituimin e Kuvendit të Kosovës nga opozita. E kemi Kushtetutën, aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe letrën e Presidentes Osmani, që i japin mundësinë deputetëve të votojnë pro, kundër ose të abstenojnë. Deputetët nuk mund të lirohen nga ky rregullim”, ka thënë Haxhiu. Në përfundim, ajo ka kritikuar opozitën për qasjen destruktive ndaj procesit të konstituimit.

11/05/2025 10:34-Kuvendi i Kosovës mbetet i bllokuar – dështon sërish konstituimi

Për të 14-tën herë, dështoi përpjekja për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Edhe pse në sallë ishin të pranishëm 92 deputetë, seanca e sotme nuk arriti të finalizohej me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, një nga procedurat kyçe për funksionalizimin e institucioneve të reja. Sikurse edhe më parë edhe në këtë seancë, Lëvizja Vetëvendosje ka tentuar që të ndërrojë formën e votimit për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, nga e hapur në të fshehtë, por në mungesë të votave nuk ka arritur të formohet komisioni që duhet të mbikëqyrte këtë proces. Për kanë votuar 54 deputetë, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, ndërkohë që në sallë kanë qenë 92 deputetë. Seanca e radhës është caktuar për të martën në orën 10:00.

11/05/2025 10:08-Haziri i kundërpërgjigjet Kurtit: Nuk ka vakuum institucional, por mungesë të marrëveshjes

Deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri ka thënë se përderisa nuk ka marrëveshje politike për qeverinë nuk do të ketë as votim të kryetarit të Kuvendit të Kosovës. Ai pati edhe disa fjalë ndaj deklaratave të djeshme të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. “Paralajmërimi i djeshëm i kryeministrit në detyrë se Kosova po kalon në një proces vakuumi institucional nuk qëndron. Më 9 shkurt është përcaktuar pesha.  Me faktin që s’kemi marrëveshje politike për qeverinë, nuk besoj që mund të përballohet zgjedhja e kryetares së Kuvendit e nominuar nga LVV, ky është proces i lidhur edhe pse kryetari i LVV po donë ti ndaj”, ka thënë Haziri. Haziri tutje ka shtuar se “Rruga e Re” ka qenë për Kosovën, e as për Kurtin as për LVV-në. /Telegrafi/

11/05/2025 10:02-Vonesa në nisje të seancës - deputetët nuk flasin para gazetarëve

Seanca e cila është paraparë të nis në orën 10:00 edhe kësaj radhe duket se do të ketë vonesa, për shkak të mosarritjes me kohë të deputetëve. Deri më tani para mediave është deklaruar vetëm deputeti Fatoni Peci. Ndërkohë duke hyrë në sallën e Kuvendit janë parë kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi i cili nuk është deklaruar për gazetarët. Po ashtu në sallë kanë hyrë edhe deputeti i AAK-së, deputetet e NISMA-s, ata të Listës Serbe dhe deputetë të tjerë.

11/05/2025 09:30-Peci: Vullneti ekziston, por konstituimi i Kuvendit varet nga opozita

Faton Peci foto Ridvan Slivova 1

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Lista Guxo, Faton Peci është deklaruar para nisjes së seancës së Kuvendit. Peci ka thënë se si çdo herë edhe sot vijmë me vullnet pozitiv që ti japim zgjidhje konstituimit të Kuvendit “Tashmë dihet që pamundësia që ne të kemi Kuvend të konstituuar varet nga vota e partive opozitare. Meqenëse kryetari i Kuvendit i takon LVV-së, siç ka deklaruar Kurti diskutimet do ti bëjë për qeveri jo për këtë pozitë”, ka thënë Peci. Peci tha se problemi nuk është emri i Albulena Haxhiut, por diku tjetër.