Site icon Telegrafi

Vendimi për ndalimin e transportit të mallrave, kamionët nga Serbia po presin të kalojnë kufirin me Kosovën

Në pikën kufitare të Merdarës janë duke pritur dhjetëra kamionë nga Serbia për të hyrë në Kosovë.

Kolonat e këtyre kamionëve u shtuan, pasi kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se është marr vendimi për ndalimin e transportit të mallrave nga Serbia për në vendin tonë.

Sipas Kurtit, qëllimi i këtij vendimi është që të rritet kontrolli në kufij.

“Për arsye të sigurisë, si hap i menjëhershëm dhe i domosdoshëm janë shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë, duke kufizuar qarkullimin dhe duke shtuar kontrollet ndaj automjeteve që vinë nga Serbia, sidomos ato transportuese”, u shpreh Kurti gjatë një konference për medie, përcjell Telegrafi.

Lexo po ashtu Kurti: Kemi shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë, sidomos transportin e mallrave

“Rasti i djeshëm [rrëmbimi i tre policëve të Kosovës nga Serbia] ishte agresion ndaj shtetit tonë demokratik, hakmarrje ndaj Policisë së Kosovës që po lufton krimin”, shtoi ai.

Vendimi për ndalimin e hyrjes së mallrave të Serbisë në Kosovë ka ardhur si pasojë e kidnapimit të tre policëve kufitarë nga forcat serbe.

Ngjarja, sipas Policisë së Kosovës ka ndodhur mesditën e së mërkurës, kur zyrtarët policorë janë rrëmbyer nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të Kosovës. Vendi Tresave/Bare gjendet në komunën e Leposaviqit, brenda territorit të Kosovës. /Telegrafi/

Exit mobile version