Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku jetonte prej disa kohësh së bashku me familjen e tij, në moshën 89-vjeçare ka vdekur regjisori dhe aktori i njohur, Pirro Mani.
Mani ka studiuar në Institutin Shtetëror të Artit Teatror, GITIS, në Moskë. Pas kthimit në Shqipëri u emërua regjisor i Teatrit “A. Z. Çajupi” në Korçë, të cilin e drejtoi me sukses për rreth tetë vjet. Që nga 1967-1992 ka qenë regjisor i Teatrit kombëtar, ku ka vënë me dhjetëra pjesë teatrale.
Në karrierën e tij artistike numëron mbi 80 shfaqje. Është nderuar me shumë çmime. Vlerësohej si mjeshtër i regjisë e skenave masive, dhe si njohës i thellë i mizanskenës. Shfaqjet kulminante të tij ishin: “Cuca e maleve”, “Fytyra e dytë”, “Arturo Ui”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Epoka para gjyqit”, “Nata e 12-të”, “Prometeu” etj. Është angazhuar edhe në disa filma artistikë, ndërsa ka fituar shumë çmime dhe është nderuar me titullin e lartë “Artist i popullit”.