Telegrafi

Vazhdon përplasja Murati-Bajrami, ministri e quan “redaktore e lajmeve” – deputetja ia kthen “mashtrimeve tuaja po ju vjen fundi”

Tashmë kur është caktuar data e zgjedhjeve të reja parlamentare, janë shtuar edhe përplasjet mes pozitës e opozitës.

Një përplasje mes ministrit të Financave, Hekuran Murati dhe ish-ministres Hykmete Bajrami është duke vazhduar këto ditë në rrjetin social Facebook.

Murati dhe Bajrami vazhdimisht po replikojnë me njëri-tjetrin përmes disa postimeve në llogaritë e tyre.

“Sebepi” i kësaj përplasje ishte një postim i ministrit Murati lidhur me përfitimet të Bonove të Diasporës, duke theksuar se investimi në këto bono ka qenë i suksesshëm dhe ka ndihmuar në zhvillimin e vendit.

Ndaj kësaj deklarate reagoi deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami e cila akuzoi ministrin Murati për mashtrime dhe manipulime.

Por përplasja e tyre ka vazhduar. Ministri Murati e quajti Bajramin redaktore e lajmeve.

“Përhajr puna e re si redaktore e lajmeve, Hykmete! Me gjasë kjo duhet të jetë nga ato pakot e marketingut që u ofrohet reklamuesve premium, e titulluar “Shkruajeni vetë lajmin”, ku reklamuesit i ofrohet qasje direkte në portal dhe mund të postojë lajme sa herë që ka nevojë, qoftë edhe të shtunën në ora 23:06”, ka shkruar Murati të shtunën mbrëma.

Ish-ministrja Bajrami i ka reaguar sot me një tjetër postim duke thënë se nuk kalojnë mashtrimet me bono.

“Nuk kalojnë mashtrimet me bono. Prandaj s’keni përgjigje. Ne mungesë të përgjigjes, ministri i dështimeve po ju tregon mediave qysh duhet të publikojnë reagimet e opozitës ku zbërthehen mashtrimet e partisë në pushtet. Tregoni qysh po mashtroni me bono. Jepni përgjegjësi qysh keni mashtru prej bashkimit kombëtar e deri te 160 çerdhet që kurre nuk u ndërtuan”, ka shkruar Bajrami.

Ajo tutje ka thënë se mashtrive të LVV-së po ju vjen fundi.

“Qytetarët po kërkojnë përgjigje pse mashtruat se do t’i përfundoni rrugët për Gjilan, Mitrovicë e Podujevë. Dikur një deputet i partisë në pushtet pyeste se a ka mashtru kryeministri diçka tjetër pos për energji elektrike? Mashtrimeve tuaja po ju vjen fundi dhe prandaj shkaktojnë dhimbje kur mashtrimet tuaja ua tregoj qytetarëve”, ka shkruar deputetja e LDK-së. /Telegrafi/