Për të nëntën herë me radhë, ka dështuar konstituimi i Kuvendit të Kosovës.
Në seancën e 1 majit, kryesuesi Avni Dehari, propozoi që votimi për kryeparlamentaren të bëhet në mënyrë të fshehtë, por propozimi u kundërshtua nga PDK, LDK dhe AAK.
Kësisoj, propozimi nuk kaloi dhe seanca dështoi për të nëntën herë.
Dehari njoftoi se vazhdimi i seancës do të bëhet më datën 3 maj, ora 10:00.
Zvarritja në konstituimin e legjislaturës së nëntë po ndodh për shkak se partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, ka propozuar Albulena Haxhiun si kandidate për kryeparlamentare, por në gjashtë votime radhazi, ajo ka marrë vetëm 57 vota, ndërsa në votimin e fundit, vetëm 54.
Subjektet politike, LDK, PDK dhe AAK kanë deklaruar se nuk do ta votojnë Haxhiun për këtë pozitë. Ndërkohë, Vetëvendosje ka thënë se nuk do të propozojë një kandidat tjetër.
Telegrafi do t’ju mbajë të informuar në kohë reale për të gjitha zhvillimet.
01/05/2025 12:28-Deputetja e AAK-së: LVV të ndryshojë kandidatit për kryetar të Kuvendit, po mbahet peng Kosova
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje që të ndryshojë emrin e kandidatit për kryetar të Kuvendit të Kosovës, raporton KosovaPress.
Ajo tha se Albulena Haxhiu, si e propozuar e LVV-së është e papranueshme për këtë pozitë.
“ Lëvizja Vetëvendosje është dashur të sigurojë 61 votat për kryeparlaemtnarin. Kosova po mbahet peng për një kandidat. Aleanca ka dhënë dy propozime të cilët vet LVV-ja si ka pranuar dhe ata janë lidh në emrin e Albulena Haxhiut, e cila në shtatë herë nuk po merr votat e mjaftueshëm është dashur të tërhiqet dhe t’i lëshon rrugë ndonjë kandidati që ndoshta është e mundshme të marrë votat e deputetëve. Duke parë se nuk i kanë votat janë lidh me Albulena Haxhiut dhe tashmë Kosova po mbetet peng me emrin e saj”, tha ajo.
01/05/2025 12:25-Peci: Ekziston i ashtuquajturi koalicioni PLAS
Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, ka folur pas dështimit të nëntë të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Peci para mediave tha se ka një koalicion që quhet “PLAS”.
“U shpërfaq edhe sot që ekziston koalicioni PLAS nga PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe”, u shpreh ai.
Ai tha se objektet opozitare duhet të krijojnë mundësi që të zgjedhet kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.
01/05/2025 11:53-KDI: Ndryshimi i votimit brenda seancës, vendim arbitrar që cenon integritetin e Kuvendit
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), si organizatë e shoqërisë civile që monitoron nga afër punën e Kuvendit dhe promovon transparencën, llogaridhënien dhe standardet demokratike në vendimmarrje, shpreh shqetësim të thellë lidhur me mënyrën e zhvillimit të votimit gjatë vazhdimit të sotëm të seancës konstituive.
Në reagimin e tyre thuhet se, ndryshimi i mënyrës së votimit në mes të seancës, në mënyrë arbitrare nga kryesuesi dhe pa bazë në Rregulloren e Punës së Kuvendit, përbën shkelje të parimeve procedurale dhe një precedent të rrezikshëm për funksionimin e Kuvendit.
Lajmi i plotë
këtu.
01/05/2025 11:21-Refuzoi ftesën e Kurtit, Abdixhiku: A po e kuptoni tani, se pse me të tillët, nuk mund të kesh as takim e as mirëkuptim?
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka bërë një reagim pas dështimit të radhës të seancës konstituive.
Abdixhiku po ashtu ka folur edhe për refuzimin e ftesës që i ka bërë kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Ai ka shkruar se me të tillët nuk mund të ketë takim e as mirëkuptim.
Lajmi i plotë
këtu.
01/05/2025 11:07-Krasniqi: Kurti po e konsideron më të rëndësishme Haxhiun sesa Kuvendin
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se propozimi i VV-së për votim të fshehtë për kryeparlamentar është e paligjshme dhe jokushtetuese.
Krasniqi deklaroi se është e turpshme dhe fyese ajo çka ndodhi sot në Kuvend.
“VV-ja bëri shkelje të hapur kushtetuese. Në kohën kur ka filluar votimi dhe ka dështuar disa herë, është e paligjshme dhe jokushtetuese propozimi për votim të fshehtë. Po më vjen keq në çfarë situate po e vendosin Avni Deharin, po e keqpërdorin. Më arbitrare është se VV-ja po e konsideron më të rëndësishme Albulena Haxhiun sesa Kuvendin e qeverinë. Është e turpshme, fyese. Duke mos i pasur numrat për kryeministër, Kurti ka vendosur ta vazhdojë talljen edhe me deputeten Haxhiu. Kur ka dy kandidatë ka kuptim votimi i fshehtë”, ka thënë ai.
01/05/2025 11:01-Dështon për herë të nëntë seanca konstituive
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ka dështuar për herë të nëntë.
Kryesuesi i seancë, Avni Dehari, propozoi që të votohet në mënyrë të fshehtë kandidatja për kryeparlamentare Albulena Haxhiu.
Por propozimi nuk kaloi, duke sjellë dështimin e radhës të seancës.
LDK, PDK dhe AAK, deklaruan se nuk mund të ndërrohet mënyra e votimit në këtë fazë.
01/05/2025 10:53-Kërkohet të votohet në mënyrë të fshehtë Albulena Haxhiu, kundërshton PDK, LDK dhe AAK
Ka nisur seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, tha se do të votohet në mënyrë të fshehtë për kandidaten për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu.
Kundër kësaj doli PDK, ku tha se kjo është e paprecedentë.
“Nuk mund ta kthejmë Kuvendin në cirk. Ne nuk marrim pjesë në një votim të tillë”, tha kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.
Po ashtu, edhe LDK e AAK dolën kundër ndërrimit të mënyrës së votimit.
01/05/2025 10:34-Balje: Do të votojë kundër Haxhiut, qëndrimin e kemi të njëjtë
Deputetja nga radhët e komunitetit boshnjak, Duda Balje, ka thënë se e ka qëndrimin e njëjtë për votimin kundër për zgjedhjen e Albulena Haxhiut, për kryetare të Kuvendit të Kosovës.
01/05/2025 10:15-Limaj thotë se për konstituimin e Kuvendit kërkohet marrëveshje politike
Kryetari i Nismës Socialdemorkate, Fatmir Limaj tashmë ka hyrë në Kuvendin e Kosovës.
Limaj para mediave tha se duhet të ketë marrëveshje politike, në mënyrë që të konstituohet Kuvendi.
Lajmi i plotë
këtu.
01/05/2025 10:02-Refuzuan ftesën e Kurtit për takim, deklarohet Haziri
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se po të ishte LDK në pozitën e LVV-së, e kishte përfunduar shumë herët çështjen e konstituimit të Kuvendit.
Haziri thotë se në takim nuk shkohet vetëm siç tha ai " sa për sy e faqe".
"Nuk shkohet në takim për të drejtën e fituar, këtu po mungon marrëveshja politike, që LVV duhet ta bëjë. Me pas qenë LDK në këtë pozitë, ne e kishim mbyllur para pesë javësh çështjen e Kuvendit, Qeverisë, dhe të Presidentes", theksoi ai, para mediave.
01/05/2025 09:45-Përfundon takimi, Krasniqi thotë se ka kërkuar nga Kurti që ta ndërrojnë kandidatin për kryetar të Kuvendit
Ka përfunduar takimi ndërmjet kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Krasniqi para mediave tha se nuk kanë marrëveshje politike, dhe kanë kërkuar nga Kurti që ta ndërrojnë kandidaten për kryeparlamentare.
Lajmi i plotë
këtu:
01/05/2025 09:26-Deputeti i LVV-së thotë se nuk janë tërhequr nga propozimi që Albulena Haxhiu të jetë kryeparlamentare
Deputeti i LVV-se, Mefail Bajqinovci ka thënë se presin që të ketë zhbllokim të institucioneve, ndërsa kritikoi LDK për refuzimin e ftesës që i është bërë kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Ai tha se nuk janë tërhequr nga propozimi që Albulena Haxhiu të jetë kryeparlamentare.
Lajmi i plotë
këtu.
01/05/2025 08:49-Konstituimi i Kuvendit, nis takimi Kurti dhe Krasniqi
Ka nisur takimi ndërmjet kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dhe kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi.
Kurti ftoi në takim Krasniqin për të diskutuar rreth konstituimit të Kuvendit. Takimi po zhvillohet në Kuvendin e Kosovës.
Pas takimit, Kurti dhe Krasniqi pritet të bëjnë edhe një adresim për media.
01/05/2025 08:31-Memli Krasniqi arrin në Kuvend
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka arritur në Kuvend për takim me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
Krasniqi i është përgjigjur pozitivisht ftesës për takim nga Kurti, rreth konstituimit të Kuvendit.
Ftesën e Kurtit e ka refuzuar kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
01/05/2025 08:27-Kurti arrin në Kuvend, pritet takimi me Krasniqin
Kryeministri në detyrë, njëherazi kreu i LVV-së, Albin Kurti tashmë ka arritur në Kuvend, ku pritet të zhvillojë takimin me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi.
Kurti ka ftuar kreun e PDK-së dhe kreun e LDK-së për takim konsultativ para seancës konstituive, por që ftesës pozitivisht i është përgjigjur vetëm Memli Krasniqi.
Takimi është planifikuar të nisë në ora 08:30. Ndërsa seanca do të vazhdojë në ora 10:00