Shoferët e kompanive transportuese nga Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina po e vazhdojnë edhe më 27 janar bllokadën e tyre nëpër pikat kufitare për trafikun e mallrave.

Pas bllokimit të daljeve një ditë më parë, tani transportuesit i kanë bllokuar edhe hyrjet nëpër pikat kufitare të Ballkanit Perëndimor.


Shoferët janë duke bllokuar terminalet për mallra për shkak të ashpërsimit të procedurave për të hyrë në Zonën Schengen. Ata thonë se procedurat tani janë më të komplikuara dhe mund t’ua shkurtojnë kohën e qëndrimit në vendet e Bashkimit Evropian, shkruan Evropa e Lirë.

Ata po kërkojnë që qëndrimi i tyre në Bashkimin Evropian të rritet në katër muaj, në krahasim me tre që është tani, brenda gjashtë muajve.

Kompanitë transportuese kanë paralajmëruar që bllokadat do të zgjasin për shtatë ditë, përveç nëse gjendet një zgjidhje.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Markus Lammert, ka thënë më 26 janar se institucionet evropiane po punojnë në gjetjen e mundësive që t’ua lejojnë punëtorëve të disa profesioneve, përfshirë shoferët e kamionëve, që të qëndrojnë në Zonën Schengen më gjatë sesa e përcaktojnë rregullat aktuale.

“Ne jemi të vetëdijshëm se një numër i punëtorëve prej shteteve të treta, që nuk janë punëtorë ndërkufitarë, mund të kenë nevojë të qëndrojnë në Zonën Schengen për më shumë se 90 ditë brenda periudhës 180-ditore. Kjo përfshin profesionet me mobilitet të lartë, sikurse shoferët e kamionëve, por edhe atletët dhe artistët”, ka thënë mes tjerash Lammert.

Sipas tij, Bashkimi Evropian është i vetëdijshëm për shqetësimet e shprehura nga operatorët e transportit në rajon dhe është duke vëzhguar nga afër situatën, si dhe është në kontakt me partnerë të Ballkanit Perëndimor.

Ndikimi i bllokadave në tregun e Kosovës

Si importuese e shumë mallrave përmes Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, Kosova pritet të ndjejë pasojat e protestave në qarkullimin e mjeteve të transportit.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, njëherësh udhëheqës i Odave Ekonomike të Ballkanit Perëndimor, thotë se Kosova nuk merr pjesë në protestë, pasi vendi nuk ka ende kompani logjistike që realizojnë transport të rregullt me vendet e BE-së.

Por, paralajmëron se efektet e saj do të ndihen edhe në Kosovë.

“Për shkak të bllokadës së kufijve, Kosova nuk do të mund as të eksportojë dhe as të importojë mallra”, thotë Rafuna për Radion Evropa e Lirë.

Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës për vitin e kaluar, vendi ka importuar produkte në vlerë prej mbi 7 miliardë eurosh në total, ose rreth 20 milionë euro në ditë - një sasi të madhe të tyre përmes Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Vlera e eksporteve, ndërkaq, ishte rreth 942 milionë euro vitin e kaluar, apo rreth 2.6 milionë euro në ditë.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës u bëri thirrje institucioneve të vendit që të vihen në kontakt me BE-në për gjetjen e një zgjidhjeje.

Radio Evropa e Lirë kontaktoi Qeverinë në detyrë të Kosovës për këtë çështje dhe është në pritje të përgjigjes.

Nënkryetari i Shoqatës së Transportuesve të Mallrave nga Kosova, Besnik Aliu, thotë për Radion Evropa e Lirë se transportuesit në Kosovë përballen me sfida të ngjashme me kolegët e tyre në rajon, për shkak të sistemit EES.

Sipas tij, edhe pse në Kosovë janë të licencuar rreth 2.000 kamionë për transport mallrash, sektori mbetet i dobët në transportin ndërkombëtar, pasi shumica e importeve dhe eksporteve realizohen nga kompani të rajonit dhe BE-së.

“Nuk është e lehtë të gjesh shoferë për tregun e BE-së, sikurse gjenden për transportin brenda Kosovës apo në rajon”, thotë ai.