Punimet për ndërtimin e çerdhes së fëmijëve në fshatin Bresanë vazhduan edhe gjatë fundjavës, në kuadër të angazhimeve të Komunës së Dragashit për përmirësimin e infrastrukturës arsimore dhe kujdesit ndaj fëmijëve.

Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, ka vizituar nga afër ecurinë e punimeve, duke theksuar rëndësinë që ky projekt ka për komunitetin lokal dhe për të ardhmen e gjeneratave të reja.


“Nuk ka pushim kur punohet për të ardhmen e fëmijëve tanë. Edhe sot, në ditë vikendi, vizitova punimet në ndërtimin e çerdhes së fëmijëve në fshatin Bresanë”, ka shkruar Xheladini.

Sipas tij, ndërtimi i çerdhes do të krijojë kushte më të mira për edukimin dhe mirëqenien e fëmijëve, si dhe do t’u lehtësojë familjeve qasjen në shërbime cilësore të kujdesit parashkollor.

Komuna e Dragashit ka theksuar se investimet në arsim dhe në kujdesin ndaj fëmijëve mbeten prioritet, me synim krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të përshtatshëm për zhvillimin e tyre. /Telegrafi/