Komisioni Atletik i Shtetit të Nevadas ua ka vazhduar pezullimet dy yjeve të UFC-së, Conor McGregor dhe Khabib Nurmagomedov, derisa të kryhet një hetim në lidhje me përfshirjen e tyre në incidentet që ndodhën pas meçit për titullin në kategorinë e peshave të lehta.

Pas triumfit në duelin e Las Vegasit më 7 tetor, ylli nga Dagestani doli nga tetëkëndëshi dhe nisi një përleshje me pjesëtarë të ekipit të irlandezit.


Nga ana tjetër, edhe McGregor u ndesh me disa anëtarë të ekipit të Nurmagomedovit.

Pas këtyre ngjarjeve, Komisioni Atletik i Shtetit të Nevadas e kishte mbajtur përfitimin e Khabibit prej dy milionë dollarësh.

Mirëpo, në mbledhjen e re të bordit është vendosur që të lirohen gjysma e parave (një milion dollarë), derisa të tjerat do të mbahen deri në një seancë disiplinore dëgjimore që do të mbahet në muajin dhjetor.

KhabibConorr e1539273663258 Khabib Nurmagomedov dhe Conor McGregor (Foto: Harry How/Getty Images/Guliver)

Nga të dy yjet e UFC-së është kërkuar të paraqiten personalisht në seancën dëgjimore.

Suspendimi për dy yjet e MMA-së ishte vendosur më 15 tetor, ndërsa komisioni vendosi unanimisht që t’ua vazhdojë pezullimet deri në mbledhjen e ardhshme, kur edhe pritet që të zgjidhet çështja.

“Kam mësuar se Komisioni Atletik i Shtetit të Nevadas është duke bërë një hetim të plotë, nga i cili jam i bindur se do të përfitojë klienti im”, ka thënë Audie Attar, menaxheri i McGregor. /Telegrafi/

telegrafi sport app