Nga: Moikom Zeqo
Vajza e Lasgush Poradecit, më dërgoi me email diçka që më gëzoi, dhe që më rikujtoi një kohë të largët. Ajo kish nxjerrë nga Ditaret e babait të saj, Lasgushit të madh, disa nga shënimet e poetit për vizitat që i kam bërë unë vetëm në Vitin 1980. Sa shumë jetë, ç’denduri dashurie, respekti dhe kulture që ka në takimet e mia me kryemjeshtrin e lirikës shqiptare.
Poeti me një skrupolozitet të veçantë i kronikëzon të tëra detajet. Ai shënon jo vetëm librat që i kam dhuruar, por dhe dedikimet që ia kisha bërë Atij. Për lexuesin e gjerë dua të them se miqësia ime me poetin e liqenit ka qenë shumë e gjatë, shumëvjeçare.
Kam qenë mik i përhershëm i familjes së Lasgushit, i fëmijëve të tij, si dhe i gruas, Nafijes së mrekullueshme, që ishte një intelektuale e ndritur dhe Mësuese e Merituar, ruaj shumë kujtime nga bisedat, që përbëjnë një pasuri të madhe mendore për mua. Të dy vajzat e Lasgushit, Konstandina dhe Maria ishin pjesë e këtyre takimeve, pa harruar këtu, dhe qenin e Lasgushit që quhej Cuc.
Lasgushi thoshte se emri Cuc është më i bukuri ndër emrat qenorë të botës.
Në vitin 1980 unë isha i ftuar nga Muzeu Historik i Pogradecit për të bërë një zhytje kërkimore në afërsi të gadishullit të Linit për një verifikim, gjoja të një varrosje në fund të liqenit të një thesari të vetë perandorit ilir, Justinianit të Bizantit. Ai që kish ngulur këmbë për këtë histori ishte Nuçi Tira, i cili dispononte disa dokumente autentike të doktor Karametros nga Korça dhe të kushuririt të tij të parë, se gjoja në një hartë të vjetër në pergamen ishte shënuar vendi i fshehjes së thesarit në fjalë në shekullin e VI.
Hipën në një varkë, me mua ishte edhe drejtori i Muzeut (më kujtohet mbiemri i tij: Manastirliu), Nuçi Tira dhe dy djem të rinj që s’ua mbaj mend emrat. Në vendin e quajtur Buqeza, ishte vendosur dhe stacioni i varkave të peshkimit që hidheshin në ujë nëpërmjet ca shinave, të sektori të peshkimit të qytetit. Dhe unë u zhyta me akualang në një thellësi afro 7 metra dhe për një rastësi që s’di ta shpjegoj ende, pashë një peshk të madh mes bimësisë nënujore dhe arrita ta qëlloj me një thikë që mbaja në dorë. Kur dola mbi sipërfaqe me peshkun në dorë, shoqëruesit e mi brohoritën.
U zhyta përsëri dhe zbulova me mahnitje dhe drithërima një numër të madh shtyllash të ngulura vertikalisht në fundliqen, ç’ka përbënte dëshminë e ekzistencës së një stacioni palafit, shumë të lashtë, të tipit lakustër. Natyrisht nuk pashë asnjë shenjë që mund të bindesha se kishte ndonjë simbol a ndonjë shenjë kriptologjike për thesarin e fshehur.
Nuçi Tira mbeti i pakënaqur, ndonëse unë i thashë, se gjeta thesarin e vendbanimit lakustër, që i intereson shumë shkencës. Nuçi Tira më tha se të shkonim në një lokal me peshkun që kisha kapur dhe të pinim ndonjë gotë raki ose vere buti.
Ahere unë i thashë se këtë peshk do doja t’ia dhuroja Lasgush Poradecit. Që të gjithë qenë dakord. Dhe unë kështu ja çova peshkun e madh Lasgushit.
Më vonë organizova një ekspeditë së bashku me regjisorin e TVSH Xhemal Maton dhe bëmë një film dokumentar të zbulimit nënujorë të shtyllave të vendbanimit lakustër. Por, muaj më vonë mora një letër nga Nuçi, i cili më kritikonte se gjoja nuk e kisha mbajtur fjalën dhe nuk isha përpjekur për të zbuluar thesarin, ekzistencën e të cilit ai e besonte me gjithë mend.
***
Ngjarja e dytë që dua të saktësoj është se vërtet Lasgushi dhe mua na thanë zyrtarisht se do shkonim në një delegacion të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve të Shqipërisë për një vizitë në Kosovë.
Imagjinoni: Lasgush Poradeci dhe unë. Një shkrimtar i famshëm dhe unë, një shkrimtar i ri.
Lasgushi u gëzua shumë që do shkonte në Kosovë. Madje më tha se ishte shumë mirë që do isha dhe unë me të, sepse isha një djalë i fortë, i fuqishëm dhe se edhe mund ta mbroja. -Po pse do të të mbroj, e pyeta. -Kush e di, më tha, nuk i dihet.
Disa herë më përsëriti fraza që do të thoshte në fjalimin e tij përpara shkrimtarëve dhe artistëve të Prishtinës që ai do të mbante.
Ne do të niseshim në 5 maj 1980. I bëmë të gjitha gati, pasaportat si dhe një makinë e Lidhjes do të na çonte nga Tirana drejt Prishtinës.
Por, çdo gjë u anulua sepse erdhi lajmi se kishte vdekur Tito. Kështu një Great Dream, për të udhëtuar me Lasgushin në Kosovë, u zhbë, në mënyrë të vrazhdë, tejet të pikëllueshme.
Ai ishte në moshë dhe nuk do t’i vinte më një shans i dytë për të shkuar në Kosovë. Dhe, ai nuk shkoi kurrë më në Kosovë.
Lasgushi shkruan edhe për kujdesin tim për të futur në punë vajzën e tij Marian. Faktet janë ashtu si i përshkruan ai.
Kanë kaluar vite dhe mua më ka mbetur në dorëshkrim libri “Lasgushi i Panjohur”. Para shumë vitesh e botova një libër album me titullin “Lasgush Poradeci dhe Engjëjt e Pikturës”. Me ndihmën e Maries dhe të Kostandinës i mblodhëm të gjitha pikturat e koleksionit të tij dhe duke qenë Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar, përurova dhe hapa në hollin e tij pikërisht ekspoziten me këtë thesar pikturik ,që deri ahere, ishte krejt i panjohur dhe që përbënte një dimension artistik, sui generis, të poetit Lasgush Poradeci.
Në shkrime të ndryshme e kam përmendur shpesh në mënyrë epigramatike Lasgushin, kam protestuar zyrtarisht kur u prish shtëpia e tij e quajtur Kulla ,në Pogradec në organe shtetërore, aq më tepër se në 1991 kur isha Ministër i Kulturës një nga aktet e para që bëra ishte dhe shpallja e shtëpisë muze të Gjergj Fishtës, Lasgush Poradecit, Eqerem Çabejit dhe Ismail Kadaresë.
NGA DITARI
(Përgatitur nga Maria Gusho )
Poradec, 18 Shtator 1980:
Më vizitoj poeti dhe shkrimtari Moikom Zeqo me nusen e tij, i cili u martua tashi.
Tha: “Kam ardhur disa herë”. Dje më lajmëroj me anën e fqinjëve se do të vijë sot në orën 10.
Më solli si dhuratë “Perëndeshën e Butrintit” (porcelan), tha: “do na e kthejë Italia”.
Më solli libërzën e tij: “Stina e balonave” me vjersha për fëmijë, botuar në Tiranë 1979, më ka shkrojtur kushtim, më solli edhe fotografinë e mozaikut të Durrësit: “Bukuroshja e Durrësit”.
Më tha do vijë prapë.
Edhe në fotografia ka kushtim.
Kushtimet janë (i librës): “Poetit të madh Lasgush Poradeci, etc”, (i fotografisë): “Lirikut të madh Lasgush Poradeci, ect”.
Më kërkoj “Kamadeva-n”, i thashë t’ja korrigjoj gabimet daktilografike pastaj t’ja jap.
Poradec, E Dielë, ora 10, 1980, 21 Shtator:
Më ardhi në shtëpi Moikom Zeqo-ja me të shoqen, ndenjmë ndo 1 orë e ½ .
Më ora 1 më shtruan në “Turizmin” e math 1 drekë madhështore. Më tha, pas drekës: “do vijmë prapë”.
Poradec, e Martë 23 Shtator 1980:
Moikom Zeqo-ja më vizitoj në shtëpi, më dhuroj 2 librat e tij: “Heroi i detit Nanas dhe shpendi i tokës Guaraks” (skica dhe tregime), 209 faqe, Tiranë 1980; “Mujo Ulqinaku”, fq 212, Tiranë 1979.
I thashë Moikom Zeqo-s të ndërhyjë për të emëruar Marien në punë në Tiranë. Maria mori Diplomën universitare për llogaritare në Mai (?) 1980.
Më tha Moikom-i: “Do përpiqem, do t’ju njoftoj prej Tirane” (po ay s’di si do jetë rezultati i përpjekjeve të tija).
Poradec, e Premte 26 Shtator 1980:
Ardhi mbrëmave ora 6 Moikom Zeqo-ja në shtëpi, më solli dhuratë 1 klen (peshk) të math, tha: “e vrava me thikë unë nën ujë, m’a rrëfeu gushën e klenit ku kish hyrë thika. Moikomi dje vajti në Elin (ne fshatin Buqeza, ne gadishullin e Linit ) për hunjtë që duken nënë ujë.
Më tha: “zbulova banesat lakustre, hunjtë ishin prej gështenje”. Kish hyrë 2 herë nënë ujë, çdo herë kish ndenjur nënë ujë nga 45 minuta.
“Nesër” tha “do vete prapë në Elin. Nesër do vijnë atje profesorët francezë” (që janë për vizitë?).
I thashë të vejë bashkë me Bashkim Shehun-n në Ministrinë përkatëse”.
Tha: “do t’a mbarojmë” (po a do mundi të mbarojë emërimin e Maries?).
Poradec, e Shtunë 27 Shtator 1980:
Moikomi më ardhi në shtëpi bashkë me të shoqen në orën 9 të mëngjezit, u fjalosmë mjaft pastaj vajtmë në kafenenë e “Turizmit” të vogël, ku ndenjmë me Nuçi Tirën.
Ardhi Moikomi edhe mbrëmave (pa u ngrysur) ora 6 me të shoqen në shtëpi, më shpuri në “Turizmin e math”.
Pagovi, si gjithnjë, ay (s’më ka lënë kurrë të paguaj unë).
Poradec, e Djelë 28 Shtator 1980:
Ardhi prapë ora 9 mëngjes Moikomi me nusen e tij, vajtmë pastaj në “Turizmin e vogël”; ardhi edhe mbrëmave (ora 6) pa nusen, tha të vemi më mirë në Turizmin e math, ku porositi nga 1 pastë të mirë dhe nga 1 raki rushi (pagoj ay, s’më la në asnjë mënyrë të paguaj unë).
Tha: “nesër, ora 10 para m.d. do shkojnë.
U përqafuam dhe më puthi, tha: “punën e Maries (emërimin) do t’a mbarojmë, do të të lajmëroj”. Më gëzovi – po a do t’a mbarojë?
Poradec, e Hënë 29 Shtator 1980:
Dola më orën 9 që të përcjell Moikomnë në autobuzat që shkojnë për në tren, për në “Gurin e kuq”, po s’e pashë Moikomin.
Prita gjer më 11 kur nisen autobuzet, po s’e pashë, dhe u ktheva (ndofta ka vajtur me automobil për ne treni, se, dje, më tha që do të shkojë me tren).
Poradec, e Djelë 28 Shtator 1980:
Të Shtunën, 27 Shtator, Moikomi nuk vajti në Elin, për banesat lakustre që zbulovi atje të Premten. Nuk vajti se ish koha e keqe.
Tha do shkruajë si ngjau zbulimi, unë i thashë t’a tregojë në shkrim punën hollësisht, me çdo hollësirë.
Poradec, e Hënë 29 Shtator 1980:
Moikomi më tha se “do vemi në Kosovë Prillin ose Majin e arthmë (1981). Unë i kam thënë këto ditë se “kam disa kondita që të vete në Kosovë”.
Moikomi më tha se pregatitjet për vajtjen time në Kosovë (Prishtinë) janë të gatshme. Po unë nuk e kam fjalën për “Pregatitjet që – qenkan gati. Unë kam kondita që të mund të vete në Kosovë.
Poradec, 25/10/1980:
Mora letër prej Moikom Zeqos, më dërgon dhe 1 fotografi timen që më nxorri me aparatin e tij, më thotë se Marien do t’a emërojnë së shpejti (u interesua ay), më dërgon të fala prej Ismail Kadaresë, Bashkim Shehut dhe gruas së tij.
Tiranë, e Martë 14 Prill 1981:
Më vizitoj Moikom Zeqo-ja, i thashë: “ke krijuar 1 ishull magjik të detarisë pellazge me ato 3 librat tuaja” (sepse më pyeti ç’thua për librat e mija).
I thashë se Marien e kanë “emëruar”, sa për mëshirë, provizorisht, dhe vetëm me 4000 lekë në muaj, jo 6200 sa është ligji, si universitare.
Më tha: “do t’a rregulloj unë çështjen”.
Më ftovi në Durrës, në shtëpi të tij, thashë: “Do vi” (po nuk di në do kem kohë, me që nga fund Prilli ose fillim Maji them të shkoj në Poradec).
Poradec, e Premte 17 Korrik 1981:
Ardhi Maria prej Tirane, 5 ditë me rrogë 7 pa të drejtë rroge.
Më tha që, më 5 Maj, 1 ditë pasi u nisa për në Poradec (4 Maj) më kish ardhur në shtëpi në Tiranë Moikom Zeqo-ja bashkë me Bashkim Shehun.
Kur i tha Maria që kisha shkuar në Poradec, Moikomi kish thënë: “Ah!” me shumë surprizë.
Kishin ndenjur si ndonjë orë, i kish fjalosur Maria. Moikomi kish sjellë dhe 1 libër të tij…
I kish thënë Maries se do më vinë në Poradec.
Kishin vajtur me 1 veturë.
/DITA/