Nëse jeni fizikisht në formë dhe të fortë sot, kjo nënkupton se keni shanse të mëdha që të jeni me shëndet të mirë dhe të fortë mendor edhe në vitet e ardhshme.

Kjo teori është ndërtuar nga një studim i ri, i cili ka zbuluar se nivelet e vogla të aktivitetit fizik ndërlidhen me dëmtim më të shpejtë të nervave në tru – pra mungesa e aktivitetit fizik e shpejton ngadalësimin e aftësive njohëse, dhe i rritë shanset për demencë, duke përfshirë edhe sëmundjen e Alzheimerit, transmeton Telegrafi.


Ky hulumtim e mbështetë hipotezën se “mendja e shëndoshë qëndron në trup të shëndoshë”.

Aktiviteti fizik e rritë materien e bardhë të trurit

Raporti, i publikuar në revistën ‘Journal of Alzheimer’s Disesase’, ka analizuar një lloj të indit të trurit që quhet materia e bardhë, dhe që përdoret për të dërguar mesazhe përgjatë trurit.

Pas eksperimenteve të ndryshme, shkencëtarët kishin konstatuar se pjesëmarrësit e studimit me fitnes më të mirë kardiovaskular kanë materie më të fortë të bardhë, gjë e cila ndërlidhet edhe me funksion të mirë të trurit.

Ushtrimet fizike e rrisin edhe materien gri të trurit

Truri përmban edhe një lloj tjetër të indit që quhet materia gri, dhe që është përgjegjëse për lëvizjen e muskujve, shqisat, mendimet, emocionet, kujtesën... thuajse përgjegjëse për çdo gjë.

Një studim tjetër ka gjetur një lidhje mes niveleve të larta të lëvizjes së muskujve – qoftë edhe aktivitetet si pastrimi i shtëpisë, shëtitja e qenit apo kopshtaria – me nivelet e larta të materies gri në tru.

Aq më shumë materie gri që keni, aq më të mirë e keni funksionin e aftësive njohëse. /Telegrafi/