Universiteti “Haxhi Zeka” feston 14-vjetorin - institucion në konsolidim të vazhdueshëm akademik, shkencor dhe ndërkombëtar

Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë ka shënuar sot 14-vjetorin e themelimit, një moment reflektimi institucional dhe afirmimi të rolit që universiteti ka ndërtuar ndër vite në arsimin e lartë, kërkimin shkencor dhe zhvillimin socio-ekonomik të rajonit të Dukagjinit dhe gjithë Kosovës.
Rrënjët e arsimit të lartë në Pejë shtrihen që nga viti 1960, me krijimin e Shkollës së Lartë Ekonomike – Komerciale, një institucion që për dekada formoi profesionistët e parë të ekonomisë në vend dhe që shërbeu si bazë për ndërtimin e kapaciteteve të sotme akademike.
Kjo traditë kulmoi më 14 nëntor 2011 me themelimin e Universitetit “Haxhi Zeka”, një vendim historik i mbështetur nga vizionarë, profesorë, intelektualë dhe përfaqësues të komunitetit.
Përkundër sfidave fillestare, institucioni u ngrit mbi punën e palodhur, idealizmin dhe përkushtimin e stafit të parë akademik dhe administrativ, të cilët ndërtuan themelet e një universiteti që sot ka rol ndërkombëtar.
Sot, UHZ është një institucion i akredituar për pesë vite, me pesë fakultete, mbi 20 programe studimi në nivelet bachelor, master dhe doktoratë, dhe me mijëra studentë që ndër vite kanë zgjedhur këtë institucion si bazën e karrierës së tyre profesionale dhe akademike.
Universiteti është vlerësuar gjithashtu me certifikatën e ekselencës nga Agjencia e Kosovës për Akreditim për proceset e tij të brendshme të cilësisë.
Rektori i UHZ, prof.dr. Armand Krasniqi theksoi se Universiteti "Haxhi Zeka” është sot një institucion stabil, i konsoliduar dhe me standarde të avancuara të cilësisë.
“Këto 14 vite kanë qenë vite pune, përkushtimi dhe transformimi të thellë institucional. Sot kemi një universitet që operon sipas parimeve të integritetit akademik, inovacionit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Ne kemi ngritur qendra të reja akademike, kemi rritur kapacitetet e kërkimit shkencor dhe jemi bërë pjesë e projekteve të rëndësishme evropiane që e rrisin profilin dhe ndikimin tonë”, ka thënë ai.
Gjatë viteve të fundit, Universiteti “Haxhi Zeka” ka forcuar ndjeshëm praninë e tij ndërkombëtare, duke u bërë pjesë aktive e konsorciumeve evropiane, projekteve zhvillimore dhe rrjeteve akademike. Universiteti ka rritur bashkëpunimet me institucione partnere në Evropë dhe më gjerë, duke krijuar mundësi të reja për mobilitet, shkëmbim përvoje, ndërtim kapacitetesh dhe zhvillim të programeve inovative.
Po ashtu, UHZ ka konsoliduar rolin e tij si organizator i ngjarjeve akademike me karakter ndërkombëtar, përfshirë programe verore dhe dimërore, javë ndërkombëtare dhe konferenca shkencore që sjellin në Pejë studiues, ekspertë dhe pedagogë nga shumë vende të botës.
Një nga zhvillimet më të rëndësishme të periudhës së fundit është themelimi i Qendrës për Inovacion dhe Ndërmarrësi – UNI-NOVA, e cila po krijon hapësira të reja për studentët dhe stafin akademik në fushën e inovacionit, sipërmarrjes dhe lidhjes me industrinë dhe sektorin publik.
Po ashtu, përmes Forumit Ekonomik Rajonal Dukagjini (FERD) dhe Peja Peace Forum, universiteti është shndërruar në një aktor të rëndësishëm në dialogun ndërsektorial, zhvillimin ekonomik dhe promovimin e kulturës së paqes. /Telegrafi/


















































