LAJMI I FUNDIT:

UNIVERSI PO ZGJEROHET…

UNIVERSI PO ZGJEROHET…

Poezi nga: Jean Orizet
Përktheu: Anton Papleka

Universi po zgjerohet. Një shekull po merr fund
Dhe im atë iku i shndërruar në tym.
Disa grushta hi që mbetën prej tij
I shpërndava në një korije lisash
Atë ditë frynte mistrali
Dhe ma kthente pluhurin e tij në fytyrë.
Nëna ime qante duke pare shokun e jetës
Se si përpiqej të kapej pas pranisë sonë zemërlënduar.
Qe vullneti i tim eti të rrinte pak me ne
Në vreshtën që e donte aq shumë.
Unë e mbylla boskën e zbrazët
E futa në këllëfin e saj prej pëlhure
Pastaj ia dhashë nënës sime që ndoshta do ta ruajë
Për të vënë lule në të.
Im atë do të përzihet me ujin që do të ushqejë
Anemona apo tulipanë
Dhe nëna ime do të kujdeset për to me dashuri.